14:34, 11 Janar 2019

Me homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatorja e Rexhep Malës e Nuhi Berishës,  Komuna e Gjilanit ka hapur zyrtarisht manifestimin shumëkulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”,​ i cili është i  28-ti me radhë dhe organizohet për një muaj rresht nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri.

Kreu i Gjilanit, pasi bëri homazhe me bashkëpunëtorët dhe udhëheqësit e institucioneve tjera, ka deklaruar se gjatë janarit kjo komunë nderon të gjithë dëshmorët përmes vlerave kulturore.

I pari i Gjilanit, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë, ka vizituar edhe Batalionin e Parë të Reagimit të Shpejtë të FSK.

Bëhet e ditur se gjatë ditës ai ka vizituar edhe familjet e dëshmorëve, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, duke ngritur në piedestal veprën heroike të bijve të tyre, sikurse që ka vlerësuar lartë kontributin e këtyre familjeve për çështjen kombëtare.

Ndryshe, sot në ora 17:00 bëhet ndezja e Flakadanit para shtatores së heronjve Mala dhe Berisha, i cili simbolizon sakrificën e tyre për lirinë e shqiptarëve.