9:39, 7 Qershor 2018

Golden State vendos njërën dorë tek titulli kampion në NBA.

Nuk ka 2 pa 3 me kampionët në fuqi që treguan dhëmbët ndaj Cleveland Cavaliers edhe në ndeshjen e tretë që u zhvillua në Quicken Loans Arena të Ohios dhe tashmë janë shumë pranë titullit të tretë në katër vitet e fundit dhe të dytit radhazi.

Unazat e skuadrës kampione me shumë gjasa do të mbeten në gishtat e basketbollistëve të Golden State pasi Warriors tashmë kryesojnë 3-0 serinë e finaleve të mëdha të NBA ndaj Cavaliers dhe janë vetëm një fitore larg triumfit në këtë sezon.

Në Ohio ishte mbrëmja e Kevin Durant, autori i një ndeshjeje të jashtëzakonshme. Ylli i Warriors koleksionoi në total 43 pikë, 7 asiste dhe 13 rikuperime në suksesin me shifrat 110-102 të Golden State.

Sfida e Quicken Loans Arena mori drejtim në njërin krah vetëm në periodën e katërt sepse pjesa e parë foli në favor të vendasve ndërsa deri në fund të periodës së tretë diferencat ishin shumë të vogla, shkruan Supersport.al.

LeBron James e bëri detyrën e tij duke arritur shifrat e dyfishta në çdo aspekt të lojës pasi e mbylli sfidën me 33 pikë, 11 asiste e 10 rikuperime poshtë tabelës, por edhe këtë herë nuk u mbështet mjaftueshëm nga shokët e skuadrës.

Cleveland e nisi me marshin e gjashtë ndeshjen duke u shkëputur në +12 që në fillim por me kalimin e minutave Golden State e rriti ndjeshëm ritmin duke marrë frenat e lojës në dorë.

Te Cleveland spikati edhe Kevin Love me 11 pikë e 13 ‘rebound’ ndërsa nuk shkëlqyen dy yjet e tjerë të Warriors pasi Stephen Curry realizoi vetëm 11 pikë, 1 më shumë se Klay Thompson.

Edhe sfida e katërt finale do të zhvillohet në Quicken Loans Arena aty ku Golden State do të synojë të mbyllë përfundimisht çështjen titull.

Interesante