“Çështja e demarkacionit është shndërruar në simbolikë të mjerimit politik në Kosovë. Ka tre vjet që ky neni i famshëm(që lejon rinegociim, nëse palët konstatojnë gabime) përmendet nëpër debate, por politikanët nuk kanë dashur që të diskutojnë për këtë mundësi. Opozita e ka injoruar atë vazhdimisht, sepse ka pasur fjalor të ngarkuar emocionalisht”

18:11, 14 Shkurt 2018

Analisti Artan Muhaxhiri ka kritikuar ashpër klasën politike kosovare për mënyrën e trajtimit të demarkimit të kufirit me Malin e Zi, mospërmbyllja e së cilës çështje i ka lënë qytetarët kosovarë pa liberalizim të vizave.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se zgjidhjet që po ofrohen tani janë të vonuara, dhe pasojë e një diskursi patriotik, i ndërthurur me argumente pseudo-shkencore.

“Pritet që (Dushko)Markoviq në konferencë të thotë se demarkacioni është punë e kryer për Malin e Zi, ndërsa (Ramush)Haradinaj të thotë të kundërtën. Kjo vetëm do ta vazhdojë agoninë dhe ta mjegullojë situatën. Nuk po shihet zgjidhje, por vetëm prolongim”.

“Çështja e demarkacionit është shndërruar në simbolikë të mjerimit politik në Kosovë. Ka tre vjet që ky neni i famshëm(që lejon rinegociim, nëse palët konstatojnë gabime) përmendet nëpër debate, por politikanët nuk kanë dashur që të diskutojnë për këtë mundësi. Opozita e ka injoruar atë vazhdimisht, sepse ka pasur fjalor të ngarkuar emocionalisht. Edhe nëse realizohet, kjo është zgjidhje e vonuar për tre vjet”.

“Pse është dashur të humben tre vjet? Pse ta vëmë veten në kësi pozite, kur miqve tanë u duhet që të vijnë dhe të na lusin për ta bërë këtë gjë? Pse është dashur që të vijmë deri këtu, me argumente patriotike dhe pseudo-shkencore?”