19:04, 2 Qershor 2016

Skema e re e pensioneve të Kosovës, ka hasur në disa polemika në mesin e përfaqësuesve të pensionistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

Riza Shala, Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve të Kosovës po thotë se skema e re e pensioneve, nuk është në përputhje të plotë me nevojat e kërkesat e pensionistëve.

“Ne pensionistët po i kërkojmë vetëm të drejtat tona, as më pak e as më shumë, vetëm të marrim djersën tonë. Kjo skemë pensionale që ekziston tek ne, as për nga përmbajtja as për nga forma s’i përmbushë kërkesat e pensionistëve. Është ndihmë sociale për pensionistët nga buxheti i shtetit”, ka thënë Shala gjatë një interviste në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.

Sipas Shalës, pensionistët që nuk janë kontributdhënës do të mbeten me shuma solide për muaj, që quhet ndihmë sociale e jo pension.

Kurse në anën tjetër, as Kushtrim Shaipi, Aktivist i Shoqërisë Civile nuk po pajtohet me ndryshimet që Qeveria i ka propozuar për tu bërë në ligjin e ri për pensionistët.

“Procesi si proces i ndryshimit të ligjit, s’duhet të ndryshohet më shumë se 30% dhe deri më tani propozimet që janë bërë, është të ndryshohet tërësisht. Sistemi aktual i pensioneve në Kosovë ka shumë vrima që duhet përmirësuar, e jo të bëhen shkurtime me anë të ndryshimeve të ligjit”, shprehet Shaipi.

Ndërsa, Bahri Xhaferi – Drejtor i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, konsideron se ligji ende duhet përmirësuar dhe nuk është asgjë finale deri në këtë fazë dhe garanton se askush s’do të dëmtohet.

“Çdo gjë ka hapësirë të avancohet e të përmirësohet, mirëpo s’mund të themi se jemi në gjendje alarmante. Ligji nuk është përfundimtar. Kurrsesi s’do të ketë dëmtim të njerëzve që do të jenë pjesë e ligjit”.

Ai po ashtu bën thirrje që familjarët e individëve që kanë ndërruar jetë, të paraqiten te organet përkatëse në mënyrë që të qartësohet numri i saktë i pensionistëve.

“Është shumë e rëndësishme që të lajmërohen njerëzit që tashmë kanë ndërruar jetë, në mënyrë që pensionet të mos shkojnë aty ku nuk ka individ tw pensionuar”.

Madje ai zotohet se Skemën Pensionale, Kosova e ka më të mirën nga vendet e tjera të rajonit.

“Askund në rajon me skemën e re, nuk janë përfshirë pensionistët e të gjitha kategorive në formën që është bërë tani”.

Mospajtimi i Kushtrim Shaipit, ka vazhduar edhe më tutje duke thënë se qeveria nuk duhet t’i tatimojë pensionistët në pensione.

“Qeveria po tenton t’i shfrytëzojë kursimet tona individuale. Kontributet që ne i kemi dhënë janë tonat, i kemi dhënë nga pagat tona. Pensioni i moshës të takon vetëm pse je banor i Kosovës, e po ashtu qeveria s’mund të kërkojë tatim në pension ashtu siç po propozohet tani me ligjin e ri”, thotë Shaipi.

Qeveria kishte marrë vendim që nga janari i vitit 2016, pensionet të rriten për pensionistët kontributdhënës, mirëpo kjo është cilësuar si e padrejtë ndaj kategorisë tjetër ku hyjnë pensionistët jo-kontributdhënës.