18:54, 12 Tetor 2018

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ish-trajneri Arbnor Morina, e ka komentuar lojën e mbrëmshme futbollistike në mes të Kosovës dhe Maltës , duke dhënë mendimet e tij rreth lojtarëve dhe mbarëvajtjes së ndeshjes.

“Këta djem janë ose të lindur ose rritur në perëndim, mirëpo e flasin shqipen dhe nuk ngurojnë me fol shqip. Po ashtu atë gjuhën universale të futbollit e folën mire dhe duhemi me qenë të kënaqur që episoda jashtë fushës së lojës ishte goxha e këndshme”.

Ai po ashtu foli edhe rreth futbollistit kosovar që mbrëmë u deklarua se nuk ishte i kënaqur me pozitën e lojës që ia kishte caktuar trajneri, por megjithatë kishte vazhduar tutje:

“Kjo tregon profesionalizëm si një djalë që është rritur në perëndim. Trajneri nuk ia ndërron dikujt pozitën prej qejfit, po për shkak të nevojës, dhe këto bëhen duke e ditur me kë kemi me zhvillu lojë dhe kë e kemi kundërshtar, pra për këtë ndërrohen pozitat e lojtarëve”.

Ish-trajneri Morina foli edhe rreth performancës së mbrëmshme të futbollistit Edon Zhegrova, duke e vlerësuar si lojtar të fortë, por që ende ka hapësirë për përmirësim.

“Qysh prej fëmijërisë ka treguar që është talent i madh dhe një dëshmi është edhe fakti që tani luan në Belgjikë. Mirëpo para tij është koha që i duhet për t’u pjekur ende”.

“Mbrëmë ka treguar që është lojtar i mire dhe me lëvizje të mirë, por individualiteti i tij në disa raste ka qenë i tepruar. Do duhej të ishte i orientuar kah ekipi dhe në disa momente e ka dëshmuar, mirëpo ai duhet ta kuptojë sa më shpejtë që vetëm me kolektiv mund të shkojë përpara”.

“Me punën që e bën në Belgjikë dhe trajnerët që i ka, do t’ia bëjnë të kuptojë që duhet të angazhohet më shumë si ekip. Përndryshe ka treguar performancë të tillë dhe publiku ka qenë i kënaqur me lojën”.

Morina po ashtu ka lavdëruar edhe punën që është bërë me stadiumin: “Aty tani mund të vijnë familjet komplet dhe të kënaqen së bashku. Me gjithë këto tipare që i ka po lejon një organizim të mirë të lojës dhe përpos që sigurimi dhe policia kanë treguar një punë të mirë, edhe tifozët kanë treguar rregull të nivelit të lartë”.