21:25, 19 Maj 2017

Vetëvendosje ka pasur debat të gjatë të brendshëm për zgjedhjet.

Madje ata kanë hapur edhe diskutim për partnerët e mundshëm të koalicionit në mënyrë që të mos dalin përjashtues.

Kështu ka thënë sekretari organizativ i Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, që ka shtuar se po të garonin partitë si të vetme në zgjedhje, padyshim se kjo lëvizje do të dalte fituese, njofton Klan Kosova.

Për të koalicionet parazgjedhore të arritura në vend janë pazare të dështimit dhe të dorëzimit.

“Kishim një PDK, që thoshte se jam e pamposhtur dhe thoshte se është e para në sondazhe, partia e cila pretendoi që do të jetë fituese absolute e dorëzoi postin e kryeministrit. Pesë muaj ditë fushatë me para edhe të buxhetit të Kosovës dhe disa orë para se të përfundojë dorëzoi postin e kryeministrit”, ka thënë Molliqaj në Magazina Zgjedhore në Klan Kosova.

“Kjo tregon pafuqi, pasiguri”, ka shtuar ai.

“LDK tha se ka qeverisur mirë, se kishin kryeministrin më të mire dhe se i rrëzoi PDK, ndodhi që ky kryeministri i mirë tha që nuk po kandidoj, kjo është kontradiktore. Mund ta marrim që po donë me bo ndryshim, a është ndryshimi Avdullah Hoti?”, ka pohuar ai.

“Si mund të jetë kryeministër, s’është as i  dhjeti për nga ndikimi në LDK”, ka thënë Molliqaj për Avdullah Hotin”.

“Është njeriu i besueshëm i LDK-së dhe është i vetmi që ka sakrifikuar për të shpëtuar Isa Mustafën sepse ai nuk ishte gati të futej dhe të humbiste andaj përdori një vartës”, ka deklaruar Molliqaj.

PDK dhe LDK, sipas tij janë dorëzues të garës.

“Ata kanë shitur e kanë blerë dhe nuk është bërë asnjë diskutim për programe”.

“Vetëvendosje është në garë me dy subjekte që janë dorëzuar. Besoj që populli i Kosovës do të ja u prishë pazaret”, ka pohuar ai ndër të tjera.

Sipas tij vota e qytetarëve nuk do të jetë votë për ata që janë dorëzuar.

“AAK, NISMA dhe PDK është koalicion i natyrshëm por i keq, sepse janë koalicion i krimit, janë bashkuar kriminelët në një vend”.

“Kemi përfaqësuesit e krimit dhe anën tjetër kemi grupin që është letargjik. Kosovës si duhet as udhëheqja nga letargjikët e as nga koalicioni i krimit”, ka shtuar Molliqaj.

Interesante