22:14, 11 Janar 2018

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u bëri thirrje të gjitha palëve të vazhdojnë të respektojnë marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, duke thënë se ajo “po funksionon”.

Mogherini i bëri këto komente në Bruksel, një ditë para se të kalojë afati për presidentin amerikan, Donald Trump, që të deklarojë nëse do ta vazhdojë mbështetjen për këtë marrëveshje ose jo.

Duke folur pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif, si dhe me ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, Mogherini tha se marrëveshja bërthamore “po përmbush qëllimin kryesor” për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar në mbështetjen e zbatimit të plotë dhe efektiv të marrëveshjes”, tha Mogherini.

Marrëveshja kërkon nga Irani të frenojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Shtëpia e Bardhë ka lënë të kuptohet se mund të tërhiqet nga marrëveshja e vitit 2015, duke e akuzuar Iranin për moszbatim të saj.

Irani ka paralajmëruar të mërkurën se do të tërhiqet nga marrëveshja, nëse edhe SHBA e bën një gjë të tillë.