11:06, 6 Gusht 2018

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë sot për herë të parë, tri çmime në fushën e arteve pamore “Muslim Mulliqi”.

Çmimi kryesor, Ndërkombëtar, post mortem, ‘Muslim Mulliqi’ u nda për Muslim Mulliqin. Ky çmim për Veprimtari Jetësore, u vendos me vendim unanim të Jurisë Profesionale pasi u nominua nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve dhe Fakulteti i Arteve të Bukura, njofton Klan Kosova.

Me këtë çmim u nderua edhe artisti, Akademik Xhevdet Xhafa, me çmim Kombëtar, i cili i kushtoi tërë jetën artit pamor.

Në kabinetin e Ministrit, Kujtim Gashi, u nda edhe një çmim Vjetor për të arriturat në Fushën e Artit Pamor, për profesorin Fatmir Krypa.

Ky i fundit arriti suksese të mëdha në fushën e grafikës, në ekspozita kombëtare e ndërkombëtare si dhe për veprimtarinë e tij aktive në zhvillim të Artit.

Dy çmimet e para kanë marrë shpërblime në vlerë financiare në vlerë prej 5 mijë euro, ndërsa çmimi i tretë në vlerë prej 3 mijë euro.