17:40, 14 Qershor 2018

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese mund të jetë pengesë për firmosjen e marrëveshjes së detit nga presidenti i Republikës.

Burimet nga Presidenca bënë me dije se Ilir Meta ende nuk ka vendosur nëse do ta kushtëzonte firmën e tij me krijimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo pasi në mungesë të Kushtetueses si garanti suprem, presidentit do t’i binte pesha e të qenit i vetmi garant. Vetë Meta shmangu një përgjigje direkte kur u pyet nga gazetarët, por duke deklaruar shqetësimin e tij për Kushtetuesen.

“Dua të shpreh kënaqësinë për konfirmimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, zotit Dedja . Është e domosdoshme që të kemi sa më shpejt një Gjykatë funksionale dhe të përgjegjshme për ti dal për zot kushtetutës së vendit dhe gjithë debateve lidhur me kushtetuetshmërinë e ligjeve apo akteve të ndryshme”, u shpreh Meta.

Në këto kushte vjen interesante ndërhyrja e presidentit me një thirrje ndaj Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili nuk po seleksionon kandidatët për Gjykatën Kushtetuese me argumentin se anëtarët e tij nuk kanë hyrë ende në vetting.

“KED të funksionojë më shpejt për të vlerësuar kandidaturat që kanë paraqitur në përputhje me procedurat Kushtetuese e ligjore si nga Presidenti ashtu dhe nga Kuvendi”, theksoi Presidenti/

Deklaratat e Ilir Metës vijnë një ditë pas takimit me kryeministrin Edi Rama, ku është folur për shpejtësi dhe kushtetutshmëri në arritjen e paktit detar.

“Kryeministri nuk ka ardhur për të informuar për ecurinë. Thjesht kemi bërë vlerësim të situatës dhe perspektivës për të ecur drejt mundësisë së finalizimit të një marrëveshje shpejt, por në respekt të Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Institucioni i Presidentit pret informacione edhe më të plota sipas standardeve më serioze që meriton rëndësia e kësaj çështjeje”, theksoi Meta.

Në pritje të këtyre informacioneve të plota, Meta deklaroi se është në një dialog të vazhdueshëm dhe marrëdhënie që e cilësoi tepër korrekte me Ministrinë e Jashtme, e cila këto ditë ka hedhur poshtë zërat se marrëveshja është finalizuar.