14:14, 11 Tetor 2018

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka rikthyer sërish në Kuvend ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Ky i fundit u miratua vetëm me votat e shumicës. Meta dekretoi sot kthimin e ligjit.

Në dekretin e shpallur në faqen zyrtare të Presidencës thuhet se, “në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës, dekretoj kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018, datë 20.09.2018 ‘Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’’”.

Ndër arsyet e kthimit të këtij ligji, Meta rendit:

Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2018, të miratuar nga Kuvendi më datë 20.09.2018, Presidenti i Republikës ka arritur në konkluzionin se ky ligj nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej 9 çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi.

Kuvendi, megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm një prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje. Ligji i ri nr. 37, dt 20.09.2018, paraqet sërish probleme kushtetuese, pasi edhe pse në pamje të parë ai duket sikur ka zgjidhur problematikën e konstatuar, në thelb dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurencën e lirë, por përkundrazi, sërish konstatohet një trajtim preferencial që kufizon pjesëmarrjen në garë.

Këto konstatime e bëjnë këtë ligj të bjerë sërish ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cenuar funksionimin e vet shtetit të së drejtës. Në këtë mënyrë në tërësi ligji i ri nr.37, datë 20.09.2018, paraqet të njëjtat probleme kushtetuese të evidentuara nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij, duke e bërë atë të padekretueshëm për shpallje”.