15:01, 11 Janar 2019

Presidenti Ilir Meta ka kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), transmeton Klan Kosova.

Kjo kërkesë e Metës vjen një ditë pas mosdekretimit të Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm.

Në letrën drejtuar kryeministrit Rama, ku shpjegonte arsyet e vendimit të tij, Meta shkruante se nga procesi i verifikimit të kandidaturës, Gent Cakaj rezultonte se ka punuar pa certifikatë sigurie edhe gjatë periudhës si zv/ministër i jashtëm, ndërsa DSIK bëri të mundur paisjen me çertifikatë sigurie të tij, brenda 24 orëve.

Prej kësaj ndodhie, Meta i është drejtuar sot me një letër, kryeparlamentarit Gramoz Ruci, si edhe krerëve të grupeve parlamentare ku kërkon ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të hetuar punën e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

“Vetëm më datë 03.01.2019, moment ky kjo që përkon me bërjen publike të  propozimit të Kryeministrit për emërimin e tij në postin e Ministrit për Evropën për Punët e Jashtme, (si dhe 3 ditë pas firmosjes së propozimit për dekretim si Ministër të MEPJ), ai ka plotësuar aplikimin për certifikatë sigurie pranë kësaj Ministrie edhe pse përmbushja e këtij detyrimi fillonte nga dita e marrjes së detyrës si zv.ministër i MEPJ.”- thuhet në arsyetimin e Presidentit.
Bazuar në kthim përgjigjet e institucioneve për Gent Cakaj, Meta shkruan se rezulton se, procesi i verifikimit, i kryer në këtë rast nga (DSIK) si Autoriteti i Sigurimit Kombëtar në Shqipëri është realizuar brenda 1 (një dite)./lapsi .al/