20:20, 10 Janar 2019

Gazetari Mero Baze komenton përplasjen e fundit mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, pas vendimit për mosdekretimin e Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm.

Baze shprehet se Meta po bën politikë të brendshme të pistë me qëllim bërjen e ndonjë pazari. Sipas Bazes, Meta nuk gjeti asnjë arsye kushtetuese për të mos e emëruar Cakajn, ndërsa shton se në fund të fundit, ai do të arrijë të bëhet Ministër i Jashtëm.

 

Shkrimi i plotë

 

Nëse Presidenti gjykon se qeveria ka një politikë antikombëtare ndaj Kosovës, mund ta thotë publikisht, ashtu sikundër dhe Kryeministri mund ta thotë këtë për qëndrimet politike të Presidentit. Por ju lutem, jo për Gent Cakën. Ai s’ka në dorë asgjë që nuk e ka Edi Rama apo Ilir Meta, as për Shqipërinë, as për Kosovën, bile as për Komunën e Tuzit.

Më tej akoma, argumentet burokratike për çertifikatën e sigurisë së Gent Cakës, janë banalitete administrate, që nuk thonë asgjë. Në çdo kohë që një shërbim sigurie i Shqipërisë konstaton se Gent Caka është i pabesueshëm, ai është objekt i ligjit, dhe jo i paranojave të zyrës së Presidentit.

Presidenti i Shqipërisë ka të drejtë të hapë debat publik në Shqipëri, vetëm në rast se dyshon se Kryeministri i vendit po ndryshon politikën e jashtme të Shqipërisë kundër interesit kombëtar, dhe jo pse po ndërron ministrin e Jashtëm.

Ministri i Jashtëm është kompetencë e Kryeministrit. Ai heq dhe vendos atë që mendon se i duhet, dhe nuk është kompetencë e Presidentit ta gjykojë këtë. Detyrë e Presidentit është të diskutojë për politikën, dhe jo për personat. As ata që e lavdërojnë dhe e ngrejnë në qiell Gent Cakën, as ata që e fyejnë me tone raciste për orgjinën dhe moshën e tij, nuk janë duke e ndihmuar atë.

Ai është emëruar Ministër i Jashtëm nga Kryeministri i vendit, dhe do të bëhet. Nëse nuk di ta bëjë këtë punë, pasi të fillojë ta ushtrojë, do të shkarkohet, dhe nëse shkëlqen, mund të ecë përpara, por ky nuk është debati i ditës së sotme.

Debati i sotëm është se Presidenti i vendit kërkon të bëjë politikë me një të drejtë formale, që ka për të dërguar në Kuvend dekretimin e miratimit të një ministri, siç e ka bërë dhe më parë.

Se mirë që nuk ka gjetur dot një arsye kushtetuese, për të mos emëruar ministër të Jashtëm djaloshin Gent Caka, por çfarë argumenti kushtetues ka gjetur, që nuk dekreton shkarkimin e Ditmir Bushatit? Çfarë ka gjetur jo kushtetuese tek dekreti për shkarkimin e një minisitri, dhe në cilën Kushtetutë të botës e ka lexuar, që Presidenti nuk lejon Kryeministrin të shkarkojë një ministër?

Halli i tij është i njëjtë. Ai do të bëjë politikë me karrigen e Presidentit, duke dashur të fyejë dhe dëmtojë edhe Ditmir Bushatin, dhe të bëjë ndonjë pazar me Edi Ramën, për pasardhësin.

Përfytyrimi më banal është sipas filozofisë së LSI, që për çdo pazar ka një çmim, dhe tani e përfytyroj duke u konsultuar me Petrit Vasilin, i cili i thotë që kufiri me Greqinë do shitet me lekë, dhe LSI do ngelet pa pjesë, apo kufiri me Kosovën do ndryshojë, dhe LSI nuk do marrë gjë, dhe për këtë nuk duhet firmosur ky Gent Caka.

Mund të jetë dhe më banale se kaq, por nuk kemi pse lodhemi të kuptojmë gjithë banalitetet e Presidencës Meta.

Shqiptarët kanë nevojë të kuptojnë se Presidenti po përpiqet të bëjë politikë të brendshme të pistë, me postin e politikës së jashtme, në kërkim të ndonjë pazari. Dhe Gent Caka është i përzgjedhur si viktimë në këtë histori.

Politika më e mirë e jashtme e Shqipërisë, është të bëjmë mirë politikën e brendshme. Dhe me këtë që bën Presidenti, i cili shkel rregullisht Kushtetutën, për të bërë pazare, është duke na bërë politikën më të keqe të jashtme të mundshme, pasi të huajt na shikojnë si shtet primitiv. Dhe për këtë gjë, nuk kemi kujt t’i kërkojmë falje. Sidomos Edi Rama që e ka zgjedhur vetë!