9:51, 5 Mars 2018

Një nga ngjarjet më të rëndësishme në industrinë e filmit, ndoshta më e rëndësishmja, Ceremonia e 90’të e ndarjes së Çmimeve Oscar, u zhvillua mbrëmjen e së dielës në Teatrin “Dolby” në Hollywood.

Oscar 2018 u përcoll me lëvizjen #MeeToo, përfaqësoi një ngjarje kulturore plot diversitet si dhe pati fjalime që preknin çështjet politike aktuale.

Nata nisi me një montazhe bardh dhe zi të figurave me eminente si Salma Hayek, Emma Stone, e Lupta Nyong’o per t’u pasuar nga monologu i nikoqirit të kësaj mbrëmje Jimmy Kimmel. Ai ofroi një monolog që balanconte mirë humorin dhe problemet si ngacmimet seksuale në Hollywood apo dallimet gjinore në paga.

Fituesi i kësaj nate ishte filmi “The Shape Of Water” i cili rrëmbeu katër çmime, nga 13 sa ishte i nominuar, duke përfshirë këtu edhe çmimin për filmin më të mirë.

Drama që flet për një grua e cila dashurohet në një krijese ujore, gjithashtu morri çmimin për regjinë më të mirë nga Guilermo del Toro, atë për muzikën më të mirë origjinale dhe dizajnin e produksionit.

Aktorja më e mirë në rolin kryesor ishte Frances McDormand, me rolin e saj tek “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, dramë e cila trajton luftën e një nëne në kërkim të drejtësisë për vajzën e saj. Nuk mungoi as një fjalim nga ana e saj në përkrahje të grave në industrinë e filmit. Ky film ishte i nominuar për shtatë çmime Oscar, dhe u shpërblye edhe në kategorinë e aktorit më të mirë në rol dytësor me Sam Rockwell, i cili portretizon një polic të korruptuar në këtë dramë.

Çmimin për aktorin më të mirë e mori Gary Oldman, me portretizimin e Winston Churchill tek “Darkest Hour”, film ky që morri edhe çmimin për grimin më të mirë.

Allison Janney rrëmbeu çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor, me punën e saj tek filmi “I Tonya”.

Në kategoritë për punën teknike u shpërblye “Dunkirk” i cili rrëmbeu tre çmime, për montazhin më të mirë, zërimin dhe miksimin e zërimit.

“A fantastik Woman” mori çmimin për filmin më të mirë të huaj, ndërsa në kategorinë për dokumentarin më të mirë u shpërblye “Icarus”.

Filmi horror “Get Out” u zgjodh më i miri në kategorinë për skenarin më të mirë, përderisa drama “Call Me by Your Name” mori çmimin për skenarin e adaptuar.

“Blade Runner 2049” film fantashkencë nga Denis Villenueve mori dy çmime, për kinematografi dhe efekte speciale.

Filmi më i mirë i animuar ishte “Coco”, i cili gjithashtu mori çmimin për këngën më të mirë me “Remember Me”.

Interesante