16:32, 20 Mars 2018

Udhëheqësi i Facebook Mark Zuckerberg është thirrur të dëshmojë para komiteti parlamentar, në menyrë që të ofrojë prova për përdorimin e të dhënave nga Cambridge Analytica.

Kompania këshilluese politike me bazë në Britani është akuzuar për përdorimin e të dhënave të mbi 50 milionë përdoruesve të Facebook, me qëllim të influencimit në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA.

Damian Collins, udhëheqësi i hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve për lajmet e rreme, ka akuzuar Facebook për “mashtrim” të komitetit. Ai kishte thënë se dëshiron të marrë deklaratë nga Zuckerberg javën që shkoi ndërsa tani e ka paraqitur këtë kërkesë edhe zyrtarisht.

“Tani është koha që të dëgjojmë nga një udhëheqës i lartë i Facebook me autoritet të duhur, që mund të jap llogari për dështimin katastrofik të procesit” thuhet në letrën e Collins.

Kompania britanike Cambridge Analytica ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje, ndërsa ishte suspenduar nga Facebook javën që shkoi.