21:31, 10 Janar 2019

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, dhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit nuk arritën t’i tejkalojnë dallimet rreth kërkesave të tyre.

Jo zyrtarisht mësohet se problem për mos arritjen e marrëveshjes është mos futja e gjuhës shqipe në Ligjin Kushtetues.

Nga Besa thonë se presin përgjigjen e kryeministrit Zaev, transmeton Klan Kosova.

Megjithëse marrëveshja vështirë të arrihet, Zaev pranon se për kërkesat e Besës mund të gjendet zgjidhje e duhur.

“Në esencën e Besës është që përmes formulimit “maqedonase/qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore”, të mos lihet përshtypja se shqiptarët, turqit, serbët, vllahët, boshnjakët, romët dhe të tjerët në shtet, do të jenë “maqedonas”. Kjo është esenca. Këtu gjenden aspektet teknike të zgjidhjes. Sigurisht që shtetësia është “maqedonase”, me “maqedonase” ashtu edhe do të mbetet. Në fund padyshim, Besa nuk kërkon të ndryshohet identiteti apo diç ngjashëm. Megjithatë që shqiptarët dhe bashkësitë tjera etnike të mos jenë “maqedonas”, sepse nuk janë maqedonas, ata janë shqiptarë të Maqedonisë, janë turq të Maqedonisë, serb të Maqedonisë. Ky është formulimi që gjendet”, u shpreh Zaev.

Zaev nuk është i sigurt në 80 numrat e nevojshëm.

Në rast se dështon votimi i ndryshimeve kushtetuese, i pari LSDM-së do të thirr Këshillin Qendror të partisë për të diskutuar përgjegjësinë, megjithatë nuk ndan detaje nëse përgjegjësia nënkupton dorëheqjen e tij apo kërkimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“S’mund të them në këtë moment se a kemi 80. Ditët janë të numëruara. Pse? Sepse procedura ka nisur. Ja sot, varësisht nga diskutimi, mund të zhvillohet dhe më së voni mund të votohet nesër. Unë besoj se duhet votuar sot amendamenti 1. Opozita e VMRO DPMNE-së në krye me Mickoskin nuk është aty, kështu që logjika thotë se duhet votuar, dhe nëse nuk votohet, atëherë kjo është kjo, përgjegjësinë për procesin do ta mbajmë të gjithë, megjithatë është vendimi i deputetit, secili e din përgjegjësinë e vet dhe do të jetojmë me këtë përgjegjësi”, theksoi Zaev.

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi u shpreh i vendosur se pa sigurimin e numrave të nevojshëm nuk do të nisë procedura e miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Seanca plenare pritet të vazhdojë ditën e premte, shkruan Alsat M.