12:29, 14 Qershor 2018

Me rastin e shënimit të 19 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Komunës së Drenasit, Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka bërë homazhe dhe kanë vënë buqeta lulesh pranë varrezave të dëshmorëve në Çikatovë e Vjetër, Gllanasellë, Likoshan, Polac, Shtuticë, Vërboc, Tërstenik, Gllobar, Abri (varrezat e dëshmorëve dhe varrezat e familjes Deliu), Baicë, Krajkovë, Negroc dhe Poklek të Vjetër (varrezat e dëshmorëve dhe martirëve).

Lladrovci ishte i shoqëruar nga Nënkryetari i Komunës, Gani Sylaj, Shefi i Kabinetit, Flamur Curri dhe drejtorët e drejtorive komunale, Kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj dhe asambleistë, si dhe përfaqësues nga Stacioni Policor në Drenas, njofton Klan Kosova.

Dita e Çlirimit të Drenasit do të vazhdon me aktivitete të ndryshme, duke filluar me Seancë Solemne të Kuvendit, pastaj hapja e ekspozitës nga Shoqata e Piktorëve të Drenasit, shfaqje teatrore për fëmijë në Sallën e Kulturës, zbulimi i pllakës së dëshmorit Hysni Jetullahu në Palestrën e sporteve, ndeshja sportive në nderim të dëshmorit Hysni Jetullahu, Koncerti Festiv dhe aktivitetet përmbyllen me Finalen e Turnirit Tradicional ”Rasim Kiçina”.