10:14, 13 Shkurt 2018

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, e ka lavdëruar Korenë e Jugut për, siç tha, mikpritjen “mbresëlënëse” të delegacionit të Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore, transmeton Klan Kosova.

Komentet vijnë pasi delegacioni zyrtar i Veriut, i udhëhequr nga motra e Kimit, Kim Yo-Jong, ka mbaruar vizitën historike dhe është kthyer në Phenjan.

“Pas raportit të delegacionit mbi vizitën, Kim Jong-Un shprehu kënaqësi mbi të,” raportoi media shtetërore KCNA.

Dy vendet nuk kanë nënshkruar kurrë traktat të paqes për të përfunduar zyrtarisht luftën dhe janë në një gjendje konstante të mosbesimit reciprok.

Pjesëmarrja e Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike është parë si një ngrohje e marrëdhënieve midis dy Koreve, ndonëse ka pasur gjithashtu shqetësime se ajo i ka mundësuar Koresë së Veriut të blejë kohë për zhvillimin e programit të saj bërthamor.