Liderët e partive në Maqedoni zgjedhin Lulëzim Hazirin në komisionin ad hoc NULL NULL 31.08.2016 23:17 31.08.2016 23:17 Liderët e partive më të mëdha politike në Maqedoni sonte janë dakorduar që ta zgjedhin edhe anëtarin e pestë të komisionit Ad Hoc që do t’i monitorojë mediat gjatë 100 ditëve deri në zgjedhje, njofton Klan Kosova. Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe Zoran Zaev janë dakorduar që anëtari i pestë të jetë shkrimtari dhe publicisti i famshëm shqiptar Lulëzim Haziri, i cili aktualisht është i angazhuar në organizatën joqeveritare ADI. Më parë, Nikola Gruevski e ka lëshuar sallën e bisedimeve duke paralajmëruar që anëtarin e pestë ta dakordojnë tre liderët tjerë. Pas shumë peripecive në lidhje me zgjedhjen e anëtarit të pestë shqiptar në komisionin “ad hoc”, komision ky që për 100 ditë do të merret me monitorimin e mediave në procesin zgjedhor, më në fund ky komision është plotësuar. Shkrimtari dhe publicisti i famshëm Lulzim Haziri do të jetë anëtari i pestë shqiptar i këtij komisioni me çka ky komision kompletohet dhe fillon për monitorimin e mediave pasi që ishte pikërisht një nga pengesat kryesore meqë nuk përafronte qëndrimet e partive politike në lidhje me daljen nga kriza politike. Kush është anëtari shqiptar i këtij komisioni? I lindur në vitin 1962 në fshatin Reçan të Gostivarit, Lulëzim Haziri shkollën fillore dhe të mesme e mbaron në Gostivar, derisa në Prishtinë vazhdoi studimet në fakultetin e makinerisë. Poezitë e para i botoi në revistat “Zëri i rinisë”, “Bota e re”, “Fjala”, “Rilindja” etj. , ndërsa në vitin 1989 Shtëpia Botuese Rilindja ia botoi përmbledhjen e parë poetike “Kënga lind në vetmi”. Me këtë vepër poeti i solli letërsisë shqipe një poezi të ndjeshmërisë urbane, trajtoi motive që hasen në vepra të letërsisë botërore, por nuk ishin të pranishme në letërsinë shqipe. Me përmbledhjen e dytë poetike “Kur dyert hapen me zile” (1995) dhe me përmbledhjen “Dalja nga safari” (2005) vazhdoi të përforcojë diskursin poetik me poezi që s’e duron trivialitetin, s’e duron mungesën e kreativitetit, s’e duron gjuhën e eksploatuar figurative, s’i duron normat e ngurta. Letërsia haziriane buron nga përditshmëria e lodhur nga e rëndomta, përditshmëri urbane e mbrujtur me preokupime, dilema dhe shqetësime urbane. Ai profilizon ngulfatjen e njeriut brenda një hapësire jo aq dashamirëse për subjektin lirik që kërkon të përmbys kaosin e paketuar si harmoni. Haziri për shumë vite është aktiv edhe me tregime, ese dhe shkrimet e tij publicistike, veçanërisht me shkrimet për kulturën e rokut. Disa nga këto shkrime i ka përfshirë në librat publicistikë “Rokenrolli shqiptar!” (2000) dhe “Bardhë e zi” (2010), në të cilat shqyrton sintezat muzikore mes rokenrollit dhe muzikës popullore dhe artit popullor në përgjithësi. Aktualisht jeton në Gostivar dhe është aktiv në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ka qenë korrespondent në Zërin Ditor, Radio Kosova – Programi i dytë, Rilindja dhe Bujku. Për pesë vite me ka punuar edhe në të përditshmen Bota Sot, më pas në RTV të Maqedonisë – Programi në gjuhën shqipe, si dhe në organizatën joqeveritare ADI. Veprat e Lulëzim Hazirit *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.