Lexojeni patjetër: Pse anglezët e shohin Xhakën si lider të ri të Arsenalit NULL NULL 26.05.2016 17:50 26.05.2016 17:50 Menaxheri i përkohshëm i Borussia Monchengladbach, André Schubert po kërkonte liderin e ri të skuadrës, në mesin e atyre lojtarëve që kishte në zhveshtore. Pas humbjes së pesë ndeshjeve me radhë, në fillim të edicionit të fundit, dhe lëndimit të dy kapitenëve, Martin Stranzl dhe Tony Jantchke, ai kishte mbetur pa një futbollist udhëheqës të ekipit. Skuadra kishte prekur fundin e Bundesligës, në kërkim të këndelljes pas largimit të menaxherit të respektuar Lucien Favre, që e pati kualifikuar skuadrën për në Ligën e Kampionëve, sezonin paraprak, dhe Schubert donte dikë që të ishte shtyllë e ekipit në fushë dhe jashtë saj, shkruan The Guardian, transmeton Klan Kosova. Ai mund të zgjidhte portierin zviceran, Yann Sommer, apo Lars Stindl, që ishte inspirues tek Hannover, para se të largohej nga këtu, më 2015. Por nuk e bëri këtë gjë. Përkundrazi, Schubert vendosi që këtë gjë t’ia besonte një 22 vjeçari, me një histori të pabesueshme të kartonë të verdhë e të kuq, të marrë krejtësisht panevojshëm. “Kishte dy ose tre lojtarë tjerë që mund ta zëvendësonin Jantchken, por zgjodha Granit Xhakën sepse ai është lojtar i rëndësishëm për ne, me kualitete të mira. Por më shumë sepse ai do që të mësojë dhe të marrë përgjegjësi”, ka thënë Schubert. Ishte gjuajtje symbyllazi dhe me shumë rriskë, që në fund u shpagua. Xhaka mund të gjunjëzohej me detyrën e re, por përkundrazi ai u rrit me përgjegjësinë. Ndeshja e parë e Xhakës si kapiten, në shtëpi ndaj Augsburg, e shpjegon më së miri atë: vrapime të panumërta, ndërhyrje të shpeshta, një gol dhe një pasim milimetrik i saktë – dhe zëvendësimi në minutën e 77-të të ndeshjes, pas marrjes së kartonit të verdhë, si pasojë e një ndërhyrje që u dha mysafirëve një penalti. Me këto që tregoi, Xhaka ishte një aset, por edhe rrezik për skuadrën, njëkohësisht. Ishte kjo ndeshja e gjashtë e Xhakës në ligë dhe ndëshkimi i tretë. Deri në të 17-ën përballje të Bundesligës ai ishte përjashtuar tri herë. Me këtë që po bënte, ai nuk ishte duke i ndihmuar vetes aspak, shkruan The Guardian, transmeton Klan Kosova. Por, siç thotë menaxheri i tij, Xhaka ngadalë u rrit në rolin e kapitenit, duke u pjekur në fushë, duke arritur të luajë në mënyrë më të balancuar dhe duke u bërë më i qetë”. Dhe Schubert kishte të drejtë. Pas një kartoni të tretë të kuq, të cilin e mori më 31 tetor, Xhaka u ndëshkua vetëm edhe një herë, deri në fund të edicionit vjeshtor, me të verdhë. Në lidershipin e tij, skuadra iu kthye fitoreve. Këtë javë, mesfushori 23 vjeçar i Zvicrës iu bashkua Arsenalit për 35 milionë funte, duke u bërë lojtari i tretë më i shtrenjtë në histori të skuadrës nga Emirates Stadium, pas Mesut Ozil dhe Alexis Sanchez. Transferimi i tij ishte gati trefish më i vlefshëm se ai i bashkëlojtarit të tij tek përfaqësuesja zvicerane, Xherdan Shaqiri, që në janar kaloi tek Stoke City. Arsene Wenger tha se e kishte përcjellë lojtarin për më shumë se një vit, ndërsa Xhaka e ka pranuar se francezi ishte një nga arsyet kryesore të transferimit të tij tek Gunners. “Ai është legjendë. Kontaktet e para me të i kam pasur rreth një vit më parë. Më telefonoi ai. Unë nuk besoja dhe mezi flisja”, ka thënë lojtari për Blick, përcjellë Klan Kosova. Xhaka për pak sa nuk iu bashkua Atletico Madridit, sezonin e kaluar, por përkundër faktit se klubi spanjoll mbërriti në finale të Ligës së Kampionëve, dy herë në tre vjet, zvicerani këmbëngul se bëri zgjedhjen e duhur duke pritur Wengerin, shkruan The Guardian, transmeton Klan Kosova. “Arsenali ishte me të vërtetë i interesuar për mua, një kohë të gjatë, dhe mendoj se unë përshtatem mirë në futbollin që e luan ky ekip”, shtoi ai. “Unë jam një futbollist i mirë por po ashtu kam dëshirë të luftoj shumë. Arsenali, në këto disa vitet e fundit ka luajtur gjithmonë një futboll madhështor dhe tërheqës dhe ky hap, për mua, është një hap i mirë”. Xhaka shtoi më pas se të qenit kapiten i Borusias në një moshë aq të re, ishte diçka “jonormale”. Atëherë i bie që edhe vetë Xhaka nuk është lojtar “normal”. I lindur në Zvicër nga prindërit kosovarë, atij iu desh t’i thyejë barrierat për të arritur aty ku është sot. Kohëve të fundit ai po shihet si shembull i përsosur i integrimit në vend, por për të nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Kur më 2012 u pyet nëse ka qenë i diskriminuar për shkak të prejardhjes të tij shqiptare, ai i tha “Schweiz am Sonntag”: “Po, absolutisht! Unë asnjëherë nuk u konsiderova, seriozisht, si një zviceran. Unë shpesh dëgjoja njerëz që thonin gjëra si “gjithmonë këta shqiptarët e mutit”, por kurrë nuk u dorëzova për shkak se e dija që kjo është vetëm një klishe… “Ka shumë raste kur shqiptarët shkaktojnë probleme, por ne po ashtu jemi popull shumë i mirë. Nganjëherë harrohet se ka njerëz tjetër të mirë edhe në Ballkan, po ashtu. Dallimi më i madh mes meje dhe një ‘Urschweizer’ (dikush që ka lindur në Zvicër) është emri. Kaq dhe pikë. Nëse një Max Müller dhe Flamur Berisha aplikojnë për të njëjtin vend pune, atëherë me shumë gjasë atë e fiton Maxi. Kjo më është dukur gjithmonë një marrëzi”. Xhaka dhe vëllai i tij, Taulanti, i cili do ta përfaqësojë Shqipërinë në Euro 2016, ia dolën të rrinë larg telasheve kur ishin më të rinj, duke e përkushtuar vetën vetëm ndaj futbollit. Të dy filluan në ekipin e ri të Baselit dhe kaluan nëpër nivele më të larta, duke mbërritur në ekipin e parë, në fillim të sezonit 2010-2011. Më 2012 Graniti iu bashkua Mönchengladbachut dhe menjëherë e bëri të qartë se nuk ka mungesë besimi. Pas disa muajve, kur rrinte kryesisht në bankën rezervë, 20 vjeçari u tha medieve se “do të flasë me menaxherin e tij” dhe se “tashmë e ka dëshmuar se mund të luajë në nivelin më të lartë”. Komentet nuk u panë mirë nga bashkëlojtarët dhe menaxheri Favre. Por, pavarësisht se flirtoi me Lazion, Xhaka qëndroi në Gladbach. Më vonë kur u pyet se çfarë kishte mësuar nga kjo përvojë, ai tha: “Të flas më pak me shtypin”. “Nuk i fajësojë gazetarët por që unë tash gjërat do t’i them ndryshe. I thosha gjërat shumë hapur për atë se çfarë mendoja”. Që nga atëherë Xhaka ka folur vetëm përmes lojës së tij, duke u përmirësuar atë në secilin nga katër vjetët që kaloi në “Die Borussen”. Nuk ka kurrfarë dyshimi se ai do të jetë një aset për Arsenalin. Ç’është e vërteta, Xhaka ka shkathtësi, por jo të një niveli të përsosur. Megjithatë, ai i kombinon në vete të gjitha aspektet e duhura të një loje të mirë. Në një minutë kohë ai mund të përfshihet në një ndërhyrje të ashpër, e më pas mund të jetë në një aksion ku do ta dërgojë topin përmes fushës, me një saktësi sikur ajo e Xabi Alonsos. Nëse ai vazhdon që të zhvillohet në mënyrën se si ka bërë deri tash, për katër vjet, do të mund të bëhet kapiten i Arsenalit. Në fund të sezonit 2014-15 Xhaka kishte zhvilluar nëntë ndeshje me një brinjë të thyer, fillimisht duke luajtur me një mbrojtëse të veçantë kundër dhimbjeve. “Nganjëherë me dhemb tmerrshëm”, ka thënë Xhaka për Der Express. “Por kur luaja isha i koncentruar, nuk interesohesha në brinjën e thyer. Ne kishim për t’u kualifikuar për në Champions League.” Një futbollist zor se do ta ndryshojë gjithë mentalitetin e një skuadre, por Xhaka me atë që ka treguar në Gladbach, mund të inspirojë bashkëlojtarët me entuziazmin dhe nivelin e punës. Wenger ka marrë një lider 23 vjeçar. Atij mbase do t’i duhen edhe disa tjerë për të fituar trofeun e Premier League, por të paktën francezi, me Xhakën,ka bërë një hap në drejtimin e duhur, shkruan The Guardian, transmeton Klan Kosova. klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.