11:37, 11 Prill 2018

Çfarë e bën një familje të lumtur? Përgjigjet e kësaj pyetje janë të pafundme dhe ndryshojnë në kohë. Shëndeti, mirëqenia, qetësia mendore dhe angazhimi janë faktorë kryesorë në atë që quajmë lumturi. Me angazhim kuptojmë përfshirjen pa kushte në gjëra në dukje të vogla, por të rëndësishme për të dashurit e secilit.

Lumturia nuk është gjendje e përhershme, nuk është një pikësynim për t’u përmbushur. Të lumtur na bën një fjalë, një përqafim; të lumtur na bën ai parku i lodrave ku kemi kaluar ditë të fëmijërisë, të lumtur na bën familja.

Dhe një nga sekretet për një familje të lumtur është, veç të tjerash, edhe leximi i librave bashkërisht, me zë të lartë. Nuk e themi ne. E thonë mjekët dhe studiuesit, shkruan botimeshqip.com

Ka shumë studime se pse është e dobishme t’u lexosh fëmijëve. Sipas ekspertëve të pediatrisë, prindërit që u lexojnë çdo ditë fëmijëve me zë të lartë i ndihmojnë ata të marrin aftësitë bazë të gjuhës dhe komunikimit. Nëpërmjet çdo paragrafi që lexoni, ju lidheni me fëmijën tuaj nëpërmjet fjalëve të reja, nëpërmjet një bote të re, personazheve të ndryshme dhe historive të pabesueshme. Kalimi nga librat me ilustrime tek ata më të ndërlikuar është shumë i rëndësishëm në zhvillimin mendor të fëmijës.

Për ta bërë më interesante dhe të këndshme kohën që kaloni me fëmijën zgjidhni libra që ju argëtojnë të dyve dhe ku angazhohen njëlloj si lexuesi, edhe dëgjuesi.