16:26, 7 Qershor 2018

Sipas një studimi të ri, leximi ndihmon për të evituar demencën te personat e moshuar.

Studimi, i publikuar në “JAMA Psychiatry”, është bazuar në vëzhgimin e përditshmërisë së 15.582 rezidentëve në Hong Kong, në mosha rreth ose mbi 65 vjeç, për disa vite me radhë.

Studiuesit u interesuan ndaj subjekteve rreth aktivitetit intelektual të kryer edhe muaj më parë, duke përfshirë edhe leximin e librave, revistave, për lojërat e ndryshme, si dhe për bastet me kuaj. “Time” shkruan se kërkuesit vlerësuan edhe situatën e përgjithshme shëndetësore të të anketuarve, shkruan botimeshqip.com

Sipas studimit të specialistëve nga Hong Kongu, personat që kryejnë përditë aktivitete intelektuale, si leximi apo lojërat, kanë ulur në mënyrë drastike probabilitetin për të pasur demencë. Edhe pasi studiuesit analizuan faktorë të tjerë, si aktiviteti fizik, konsumimi i frutave dhe perimeve, pozita ekonomike dhe sociale, aktiviteti social, leximi dhe loja vijojnë të jenë faktorët kyç në reduktimin domethënës të mundësive për t’u prekur nga demenca.

Të mirat e leximit

Leximi nuk është avantazh vetëm për të reduktuar mundësinë e prekjes nga demenca. Të lexosh rregullisht libra përmirëson memorien dhe funksionet cerebrale, redukton stresin, rrit empatinë dhe e bën më të mirë një person. Pra, blijuni një libër prindërve ose gjyshërve, në këtë mënyrë i ndihmoni të jetojnë më gjatë dhe në mënyrë të shëndetshme.