20:12, 6 Dhjetor 2018

Rrustem Mustafa, i njohur në luftën e fundit në Kosovë si Komandant Remi, është i ftuari i parë për tu intervistuar në Gjykatën Speciale.

Këtë e ka konfirmuar avokati i Rrustem Mustafës, Arianit Koci, ndërsa ka theksuar se klienti i tij do të jetë pjesë e këtij procesi në Hagë më 14 janar të vitit 2019-të, njofton Klan Kosova.

”Me autorizimin e klientit tim z. Rrustem Mustafa, ju njoftoj se z. Mustafa ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë.
Kjo është ftesë për intervistim.

Mustafa do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar.

Kjo është e gjitha për çfarë kemi njohuri tani për tani, dhe me mirësjellje kërkoj nga gazetarët që të mos e kontaktojnë z. Mustafa rreth kësaj çështjeje”, shkruan avokati Arianit Koci, njofton Klan Kosova.

Remi ishte komandant në zonën e Llapit ndërsa paslufte ishte deputet nga radhët PDK-së në parlamentin e Kosovës.

Në bazë të kësaj, viti 2019 po del të jetë vit i nxehtë për Kosovën!