15:15, 13 Mars 2018

Sekretari i sapoemëruar i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ishte një kongresmen i pakompromis republikan para se presidenti Donald Trump ta emëronte në krye të CIA-s, dhe më pas edhe ta vinte në krye të Departamentit të Shtetit, përcjell Klan Kosova.

“Ai do ta bëjë një punë fantastike”, ka thënë Trump në Twitter, pak pasi që e ka emëruar atë.

Pompeo shihet si besnik i Trump-it, i cili ka performuar një akt delikat balanci në CIA, në menaxhimin e marrëdhënieve të tendosura mes agjencisë së spiunazhit dhe një kreu të shtetit i cili i kishte krahasur shërbimet e inteligjencës amerikane me nazistët.

Ai në të kaluarën ka minimizuar të gjeturat e CIA-s, se rusët kanë tentuar që të ndikojnë në zgjedhjet e fundit në SHBA. Por ai po ashtu ka shfaqur gatishmëri që ta kundërshtojë presidentin në këtë çështje.

Kur Trump kishte thënë se i beson mohimet e presidentit rus, Vladimir Putin, Pompeo kishte qëndruar përkrah vlerësimeve amerikane për ndërhyrjen e supozuar të Moskës.

Pompeo shihet si më i ashpër karshi Kremlinit se sa presidenti, dhe në të kaluarën ka tërhequr vërejtjen se presidenti Putin është një lider i rrezikshëm.

Gjatë kohës së tij në kongres, ai kishte qenë kritik i madh i marrëveshjes bërthamore me Iranin të administratës së Barack Obamës.

Pompeo ka diplomuar i pari në klasën e tij në West Point, dhe është i diplomuar në Harvard, ku kishte qenë redaktor në Rishikimin e Ligjit të tij.

Ai ishte zgjedhur në Shtëpinë e Përfaqësuesve më 2010 me përkrahjen e donatorëve të mëdhenj të republikanëve, Charles dhe David Koch.

Pompeo ishte bërë anëtar i komitetit të inteligjencës dhe panelit të tij të energjisë dhe tregtisë.

Para se t’i bashkohej Kongresit, ai kishte themeluar një firmë me pjesë të aeroplanëve, dhe një kompani furnizimi me naftë.

Ai ishte akuzuar për islamofobi për komentet e tij pas sulmit me bombë në Maratonën e Bostonit më 2013.

Pompeo kishte sugjeruar që disa liderë fetarë islamik mund të jenë duke i inkurajuar sulmet terroriste në mënyrë të heshtur.

Interesante