16:18, 13 Janar 2018

Albin Kurti, kandidati i vetëm për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka shpalosur platformën e tij për udhëheqjen e Vetëvendosjes në vitet e ardhshme, njofton Klan Kosova.

Ai me një fjalim të gjatë ka treguar se cilat do jenë prioritetet e tij në krye të Lëvizjes dhe cilat janë qëllimet e tij si kryetar i Vetëvendosjes.

Ka thënë se do të donte të kishte kundër-kandidat, por nuk varet nga ai nëse dikush kandidon ose jo.

“Më vjen keq që nuk ka edhe një platformë tjetër që do më kundërshtonte, por kjo nuk varet prej meje. Disa kandidatë nuk janë garanci për demokracinë, ashtu siç një kandidat nuk tregon mungesën e saj”.

Kurti ka falënderuar ish-kryetarin Visar Ymeri, për të cilin ka thënë se ia ka thënë këshillat, por edhe do t’ia kërkojë sa herë që do jetë e nevojshme.

“Dua ta falënderoj Visar Ymerin për punën e kontributin e vazhdueshëm, shumë të dobishëm e shumë të vlefshëm për Lëvizjen tonë. Visari është anëtar në Lëvizje bashkë me neve, ai është deputet i joni. E kam çmuar dhe e çmoj mendimin e Visarit në rrafshin politik, por edhe në atë institucional e praktik. Ai është konsultuar me mua dhe kështu do të bëj edhe unë, do të konsultohem me të”.

Në këtë tubim nuk ka marrë pjesë asnjë nga të dorëhequrit nga pozitat e tyre; ish-kryetari, Visar Ymeri, nënkryetarët, Dardan Sejdiu e Aida Dërguti, sekretari organizativ, Dardan Molliqaj, anëtarët e kryesisë e disa deputetët të tjerë.

Në tubim nuk ka marrë pjesë as kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili pikërisht sot, kishte zgjedhur të udhëtonte për në Tiranë.

Kurti për rreth 20 minuta ka folur për problemet që sipas tij i ka pasur Vetëvendosje deri tani në organizim dhe se si e ka ndërmend t’i eliminojë ato probleme.

Tubimi i Vetëvendosjes është mbajtur në sallën e Kuqe në Prishtinë.

 

klankosova.tv