11:47, 14 Shtator 2017

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.

Të dy diskutuan për raportet e shkëlqyera që Kosova dhe Kroacia kultivojnë midis tyre, në funksion të bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës euro-atlantike të të gjithë rajonit.

Veseli theksoi se rrugëtimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian duhet të jetë model për vendet e tjera të rajonit, të cilat aspirojnë integrimin në BE, njofton Klan Kosova.

Kapitanoviq, ndërkaq, theksoi se Kroacia vazhdon të mbetet mbështetëse e fuqishme e Kosovës si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në procesin integrimit evropian të saj dhe afirmimit të mëtejmë ndërkombëtar të shtetësisë.

Diplomatja kroate i shprehu kreut të Kuvendit të Kosovës urimet e përzemërta me rastin e rizgjedhjes së tij në këtë funksion.

 

Interesante