Kosova zgjedhet organizatore për Kampionatin Europian U20 në basketbollin për femra NULL NULL 18.12.2018 11:31 18.12.2018 11:31 Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) e ka fituar të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian U20, Divizioni B në konkurrencën e femrave. Kampionati do të mbahet prej 3 deri më 11 gusht të vitit 2019 në Prishtinë, njofton Klan Kosova. Këtë vendim e ka marrë Bordi i FIBA Evropës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur në Munich. Shtetet pjesëmarrëse në këtë Kampionat do të jenë: Kosova, Islanda, Kroacia, Izareli, Ukraina, Irlanda, Britania e Madhe, Danimarka, Turqia, Rumania, Finlanda, Greqia dhe Bullgaria. “Për FBK-në, por edhe për vet Kosovën dhe sportin kosovar në përgjithësi dhe në veçanti sportin femëror, kjo është një e arritur e madhe. Federata e Basketbollit të Kosovës këtë vit ishte organizatore e FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C, në të cilin Përfaqësuesja jonë triumfoi në mesin e nëntë shteteve duke u shpallur kampione dhe duke avancuar një Divizion më lartë, pra në atë B që nga viti 2019”, thuhet në njoftomin e FBK-së. Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka thënë se punë e mirë që është bërë në Kosovë është arsyeja se pse do të organizohet edhe njëherë një ngjarje e tillë. “Organizimi i shkëlqyeshëm i FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C në verën që e lamë pas si dhe puna e madhe që FBK po e bën me gjenerata të reja dhe interesimi ynë për të avancuar basketbollin femëror ka bërë që Bordi i FIBA Evropës sot të aprovojë kandidaturën e Kosovës”, ka thënë Dushku. Ajo shtoi se janë duke punuar në ngritjen e cilësisë së basketbollit të femrave si dhe për zhvillimin e tij në gjeneratat e reja tek moshat 6 deri në 15 vjeç. “Sigurisht se për ne është nder organizimi i një Kampionati të nivelit të tillë, por në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi e madhe. Normalisht se këtu presim mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, më saktësisht, Ministrisë së Sportit, si dhe të Komunës së Prishtinës, por edhe të sponsorëve të ndryshëm. Ne jemi shumë të emocionuar që vitin e ardhshëm do t’ju sjellim adhuruesve të basketbollit kosovar një Kampionat Evropian në konkurrencën e femrave dhe në të njëjtën kohë premtojmë se do të punojmë që gjithçka sa i përket organizimit të shkoj në mënyrën më të mirë të duhur”, përfundoi Dushku. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.