9:51, 27 Qershor 2017

Nxënësit kosovarë të shkollave të mesme, Elita Hajrizi, Liburn Bajraktari, Flokart Pajaziti, Gëzim Morina dhe Rigon Statovci, nën mentorimin e rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizi, do të jenë përfaqësuesit e Kosovës në garën më të madhe ndërkombëtare në fushën e robotikës, FIRST Global Challenge, që do të mbahet në SHBA, më 14-18 korrik të këtij viti.

Pjesë e kësaj gare do të jenë të rinj nga 164 shtete të ndryshme të botës, të cilët do ta sfidojnë njëri-tjetrin përmes dizajnimit dhe programimit të një roboti, për ndërtimin e të cilit përfshihen dhe nevojiten aftësi, ide dhe kreativitet në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

FIRST Global është garë që i inspiron të rinjtë të mësojnë aftësitë që u duhen për të bërë shpikje, që prindërit dhe gjyshërit e tyre do i konsideronin vetëm mrekulli, gjëra të pamundura ose plane fiktive shkencore., teksa synon që përmes pjesëmarrjes së tyre në këtë garë ndërkombëtare, të ndërtojë ura ndërmjet nxënësve të shkollave të mesme, me prapavijë, gjuhë, fe dhe zakone të ndryshme.

Në fund të garës, FIRST Global Challenge do të ndajë 10 çmime të ndryshme për fituesit, si dhe do të ndahen edhe medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta, teksa materialet e ekipeve fituese do të shfaqen nëpër mediat amerikane dhe botërore.

Sfida më e madhe e garës së sivjetme në FIRST Global Challenge do të jetë mundësimi i qasjes në ujë të pastër, që aktualisht është njëri ndër problemet më të mëdha me të cilin po përballet bota, transmeton Klan Kosova.

 

Interesante