22:44, 11 Tetor 2018

Ka përfunduar ndeshja e shumëpritur e futbollit midis kombëtares së Kosovës dhe asaj të Maltës me rezultat prej 3-1.

Ndeshja është zhvilluar në stadiumin e Prishtinës, “Fadil Vokrri” dhe futbollistët kosovarë kanë qenë dukshëm më të mirë në lojë, njofton Klan Kosova.

Dardanët arritën që të shënojnë në minutën e 30’, nëpërmjet futbollistit Benjamin Kololli i cili e shfrytëzoj për mrekulli topin e asistuar nga mesfushori Valon Berisha.

Mirëpo pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, skuadra kundërshtare arriti që ta barazoj rezultatin nëpërmjet Andrei Agius i cili ka shënuar duke e qëlluar topin me kokë.

Ndërsa pas shumë përpjekjeve dhe disa rasteve të humbura, Vedat Muriqi, ka arritur që ta ngritë epërsinë duke shënuar gol në minutën 69’.

Loja e mirë e Kosovës vazhdoi edhe më tutje, ku nëntë minuta para përfundimit të ndeshjes së shumëpritur autori i golit të parë, ka realizuar një gol tjetër në minutën e 81’, kështu duke e rritur edhe më tej epërsinë ndaj skuadrës kundërshtare.

Në grupin 3, Kosova tani renditet në vendin e parë me dy fitore dhe një barazim, ndërsa Malta mbetet e fundit me vetëm një pikë.

 

 

klankosova.tv