21:58, 9 Gusht 2018

Kosova dhe Shqipëria do të kenë agjendë të përbashkët të turzimit.

Këtë e konfirmuan ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe ministri i Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi gjatë takimit të tyre në Prizren.

Ministri Klosi tha se do të punojnë në ndërtimin e një strategjie në mes dy vendeve në fushën e turizmit dhe Kosova dhe Shqipëria ta kenë një ofertë të përbashkët për vendet e Ballkanit.

“Zgjodhëm Prizrenin për të dëshmuar se sa mirë një qytet  mund të shndërrohet një pikë turistike Evropiane, ashtu si u bë Prizreni dhe u shndërrua përmes   festivalit ‘DokuFest’. Për të pasur fakt si pikënisje të gjitha politikat tona në të dy anët e bjeshkëve ndërtimin e një strategjie të përbashkët që mos ta ndajmë detin të Shqipërisë dhe Kosovës, është i gjithë shqiptarëve.  Ajo që na del detyrë, të kemi mundësi ta bëjmë një program të përbashkët që politikat administrative ta ndjekin me korrektes kërkesën e bizneseve. Prandaj një grupi përbashkët do të kenë mundësi që deri në tetor të përgatisin një agjendë të përbashkët dhe të kemi një mundësi për tërë rajonin e Ballkanit të kemi një ofertë të përbashkët, dhe ofertat e dy qeverive tona të jenë të përbashkëta”, tha Klosi.

Ndërkaq i pari i MTI-së, theksoi se bashkë me Klosin do të bëjnë hapjen e sezonit turistik dimëror në bjeshkët e Rugovës ose në Brezovicë.

Hasani tha se edhe Kosova ka atraksione turistike për tu vizituar, e sidomos në sezonin e dimrit.

““Takuam ministrin e turizmit zoti Blendi Klosin. Biseduam për bashkëpunimin në mes dy vendeve dhe si të organizohemi dhe të bashkëpunojmë në të ardhmen edhe më mirë në fushën e turizmit. Shqipëria ka ecur mirë në fushën e turizmit. Edhe ne i kemi dhënë shumë rëndësi turizmit pas krijimit të departamentit. Sot jemi jo rastësisht në Prizren e bukur për të dhënë një mesazh nga këtu se jemi për një bashkëpunim në mes dy vendeve sidomos me Republikën e Shqipërisë, sepse ka mundësi dhe fusha të bashkëpunimit. Biseduam me ministrin që në fillim të sezonës të vjeshtës që në Brezovicë ose Rugovë të bëjmë hapjen e sezonit dimëror dhe nga aty të japim një mesazh sepse mendojmë se ka vend edhe Kosova për tu vizituar nga shqiptarët”, tha ministri Hasani.