17:54, 2 Janar 2018

Koreja e Jugut ka ofruar bisedime të nivelit të lartë me Korenë e Veriut të martën e ardhshme për të diskutuar pjesëmarrjen e saj të mundshme në Lojërat Olimpike Dimërore 2018.

Udhëheqësi i Veriut, Kim Jong-un, më herët tha se po mendonte të dërgonte një ekip në Pyeongchang në Korenë e Jugut për Lojrat të cilat do të mbahen në muajin shkurt, transmeton Klan Kosova.

Ai tha se të dy palët duhet “të takohen urgjentisht për të diskutuar mundësinë”.

Ndërkaq Presidenti i Koresë së Jugut tha se e pa ofertën si një “shans novator” për të përmirësuar marrëdhëniet.

Në një takim të kabinetit të martën, Moon Jae-in tha gjithashtu se programi bërthamor i Veriut do të ishte sfondi i çdo diskutimi sportiv.

Presidenti i SHBA Donald Trump tha se sanksionet “dhe presione të tjera” po fillonin të kishin një ndikim në Korenë e Veriut.

Duke iu referuar dialogut të mundshëm Veri-Jug ai shkroi:

“Ndoshta kjo është një lajm i mirë, ndoshta jo – ne do të shohim”,  përfundon Trump në Twitter, transmeton Klan Kosova.