14:19, 10 Janar 2019

Kompania ajrore “Germania”, e cila fluturon nga disa qytete europiane në Prishtinë dhe Shkup, ka bërë të ditur se po ballafaqohet me disa vështirësi financiare.

Përmes një komuniakte kjo kompani ka bërë të ditur se po shqyrton disa mundësi financimi për të siguruar likuiditetin.

Për momentin nuk ka kufizime sa i përket orarit të fluturimeve. Megjithatë, në rast se kompania falimenton kjo mund të ketë pasoja për pasagjerët shqiptarë, të cilët fluturojnë nga shumë qytete gjermane dhe nga Zürichu në Prishtinë dhe Shkup.

Drejtori i kompanisë, Karsten Balke, në fillim të vitit që shkoi pati mohuar se “Germania” ka probleme financiare, megjithate duket se situata ka ndryshuar. Nga kjo kompani kanë përmendur shtrenjtimin e kerozinës dhe rënien e vlerës së euros dhe dollarit amerikan, vonesën e madhe në pajisjen me avionë dhe servisimin e paparashikuar të avionëve.

Nga të dhënat publike shihet se “Germania” gjatë periudhës 2012-2016 pësoi humbje prej 51,7 milionë euro. Në vitin 2015 qarkullimi ishte 425 milionë euro, por një vit më vonë ra në 369 milionë euro.