15:48, 2 Qershor 2017 Autor: Peter Staunton

Kur u pensionua më 2006, pa asnjë dëshirë të shfaqur publikisht se do të bëhej trajner, besohej që Zinedine Zidane e kishte bërë nijet të kalojë një jetë të qetë, pa angazhime, me gruan dhe katër fëmijët e tij.

Por, “era e barit” nuk e la rehat.

“Një ditë më tha se kur të mos luajë më, nuk dëshironte të bëhej trajner”, tha ish lojtari i Realit, Kaka. “Ai thjesht donte të rrinte me familjen, ta shijojë jetën pak më tepër dhe të udhëtojë rreth e rrotull. Dhe, pas ty a tre vjetëve që po i mungonte fusha dhe era e barit, ai mendoi “jo, ndoshta është koha për t’u kthyer”.

Më 2009 Zidane u kthye në Real, ku më herët kaloi pesë vjet si lojtar. Ai mori një rol prej këshilltari, që ia ofroi presidenti i klubit, Florentino Perez. Mbase po bëhej gati për ulësen më të nxehtë në Santiago Bernabeu.

Zidane bëri punën e tij, përgjatë niveleve të ndryshme, për vite të tëra, në Real. Ai ishte një “këshilltar special” i Jose Mourinhos, drejtor sportiv, ndihmës dhe madje edhe trajner i ekipit të të rinjve, Castilla, para se t’i ofrohej posti kryesor, si një kundërpërgjigje e Perezit ndaj Pep Guardiolas.

Emërimi i tij ishte si një vetëtimë që pastroi ajrin pas Rafael Benitezit. Krejt armiqësitë dhe pakënaqësitë në klub ikën, bashkë me Rafan, kur ai doli nga dera dhe u largua.

Sergio Ramos, James Rodriguez dhe Cristiano Ronaldo – lojtarë të mëdhenj me personalitet të madh – ishin të pakënaqur me Benitezin dhe nuk donin t’i pranonin instruksionet e tij.

Por, me Zidanen, ka një sens të pamohueshëm të unitetit në skuadër. Është një lloj alkimie që duhet për ta bërë një klub si Realin e Madridit të paraqitet me tërë potencialet e tij.

Zidane i ka kualitetet që Benitezit i mungojnë, pavarësisht dekadave të përvojës së këtij të fundit. Zidane ka një pedigre origjinale si lojtar, komunikimi i tij është i saktë dhe i kompletuar.

Madridi për pak nuk ia arriti t’i hip përmbi Barcelonës, që në një fazë dukej shumë mirë, si favorit absolut për ta fituar La Ligën, sezonin e kaluar.

Edhe pse ata e fituan Ligën e Kampionëve, falë penalltive, një kor zërash të sojit “po, por..”, i shoqëroi madrilenët gjithë kohës. Arsye për këtë gjoja se ishin oponentët e varfër me të cilët ata u sfiduan, gjatë fazës së eleminimit direkt të Champions.

Skeptikët thonin se Madridi, me gjithë atë kualitet individësh, disi pati shumë fat, përgjatë rrugës për t’u bërë kampion i Evropës.

Pjesa e rolit të Zidanes në këtë triumf disi u zbeh, sado që atij i pëlqente gjithçka thonin për të. Ai është mbret i nënvlerësimeve. Është në gjendje të bëjë gjithçka mundet për t’i ikur furtunës mediatike.

Kur ai u pyet më herët gjatë këtij sezoni nëse e ndjen veten me “fat”, Zidane u përgjigj që natyrisht se po; ndihet me fat që punon në një ekip si Real Madrid.

Aftësia për të shpërbërë, e jo të tubojë pakënaqësi e inate, është cilësi për të cilën ka shumë nevojë një klub si Real Madridi i tejekspozuar.

Të shkuara e të harruara janë çfarëdo krahasimesh me Roberto Di Matteon, i larguar nga Chelsea, pak muaj pasi fitoi Championsin. Zidane tashti është pak a shumë si Brian Clough dhe Arrigo Sacchi, gati për të fituar për të dytën herë trofeun më të çmueshëm evropian në futbollin e klubeve.

Kështu diçka nuk i ndodh një trajneri që ka fat. Zidane është një trajner galaktiko, për kohërat galaktike.

“Do të thoja se Zidane mund të krahasohet me Carlo Ancelotti dhe Vicente del Bosque. Ai është një trajner që nxjerr më të mirën nga ata që ka”, ka thënë ish portieri i Madridit, Bodo Ollgner. “Ai ka top lojtarë, por punon në mënyrë shembullore me ta. Ai është trajneri ideal për Realin e Madridit”.

“Lojtarët e rinj kanë shumë respekt për të, pasi që ai karakterizohet me aurën e një futbollisti të kalibrit botëror. Yjet sikur Ronaldo e respektojnë atë pasi që ai mund të flasë sy më sy me ta, gjë që ka qenë e pamundur në rastin e Benitez. Për më tepër, karakteri i tij i qetë e bën të veten, po ashtu”.

Koha që Zidane e kaloi si ndihmës i Ancellotit gjatë sezonit kur Reali fitoi titullin e dhjetë të Champions, ishte kritike për zejen e tij prej trajneri.  Zidane mësoi nga Ancelotti – dhe nga Marcello Lippi para tij, në Juventus – se futbolli, mbi të gjitha, dhe në radhë të parë, ka të bëjë me talentin. Ekipi që ka më tepër talente në radhët e veta, duhet të fitojë secilën ndeshje.

Pavarësisht nëse punoi me të mëdhenjtë e dëshmuar, si puna e Ronaldos, apo talentët premtues, si Marco Asencio, Zidane ishte në gjendje të shtojë fuqitë e lojtarëve të tij, ndërsa në të njëjtën kohë të maskojë të metat e tyre, duke mbajtur gjithmonë baraspeshën në ekip.

Zidane ka një mendje të mprehtë futbolli, në radhë të parë për shkak të dekadave të lojës në disa prej klubeve më të mira në botë, me trajnerët më të mirë në botë. Ai e di çfarë i bënë ekipet të funksionojnë mirë, por, më e rëndësishme se kjo, ai e di çfarë i bënë lojtarët e mëdhenj të funksionojnë mirë, gjithashtu.

“Ai është një trajner që është shumë i afërt me lojtarët”, ka thënë anësori i Realit, Lucas Vasquez. “Ai është miqësor dhe u ndihmon lojtarëve. Ai gjithmonë përpiqet t’i bëjë lojtarët të lumtur dhe të ndihen komfor”.

Për ndeshjen e së shtunës të Ligës së Kampionëve kundër Juventusit, Zidane krejt lehtë mund ta marrë për model një tjetër faqe të fletores së Ancelottit.

Më 2014, trajneri ua shfaqi lojtarëve një video motivuese, para se ata të ndesheshin me Atleticon në Lisbonë. Vitin e kaluar ZIdane ua shfaqi një të tyren, për të ilustruar unitetin, aftësitë dhe vendosmërinë si grup.

Gjatë qëndrimit në Real, ai rrezikoi shumë në sistemin e lojës. Ekuilibri i duhej për mesfushë, kështu që Isco dhe James Rodriguez e panë veten me më pak minuta, ndërsa ishte Casemiro që fitoi.

Ky veprim i dha Toni Kroosit platformën për të cilën ai kishte nevojë, në mënyrë që të ushtrojë më tepër ndikim në posedim të topit. Lëndimi i Gareth Bale i lejoi Iscos të kthehet si një playmaker ortodoks. Spanjolli shkëlqeu javët e fundit, sikur edhe në gjysmëfinalen e parë ndaj Atleticos.

Kjo performancë i dha shumë mundësi Ronaldos për finalizime mbresëlënëse. Vlerësimi më i madh për Zidanen mund të jetë menaxhimi që i bëri fituesit të shumëfishtë të Topit të Artë.

Personaliteti i Ronaldos është i tillë që ai e sheh çdo lojë si një mundësi për më tepër famë individuale. Zidane e bindi Ronaldon se disa gola vlejnë shumë më tepër se disa tjerë, dhe disa muaj janë më të rëndësishëm se disa tjerë, po ashtu. Me pushime shtesë që i dha, ai ia doli ta ketë Ronaldon me formën më të mirë, në fund të sezonit.

Pra, duhet një galaktiko, për ta njohur një galaktiko.

Ky është vetëm një shembull se sa i fokusuar është Zidane në përgatitjet e tij fizike për ekipin. Ai punësoi si trajner fitnesi Antonio Pintus, i cili ishte në Juventus kur Zidane luante këtu. Pintus u ftua nga Lyoni, verën e kaluar, në mënyrë që të sigurojë se Madridi do të arrijë në fazën finale të sezonit në gjendjen më të mirë fizike të lojtarëve.

Ka aq shumë siguri te Real Madridi tash sa shumica e ndeshjeve për klubin duken si hajgare.

Nuk është shumë të thuhet që edhe në rast se 11 lojtarët e klubit lidhen bashkë ne një gotë të vjetër, në fushë, loja do të fitohet sërish.

Por, epoka e keqe e Benitez na mësoi se nuk është ashtu.

Veterani i La Ligas dhe fituesi i Ligës së Kampionëve nuk ishte në gjendje ta kryejë punën e tij në Santiago Bernabeu, stadium ky botërisht i njohur si një nga dhomat më të vështira të zhveshjes në botën e futbollit.

Zidane, ndonëse me ngjyrë lapsi ende të patharë në licencën e tij profesioanel të trajnerit të futbollit, të lëshuar nga UEFA, ia doli tashmë të fitojë dy këta tituj.

Ai po i bën të gjitha vështirësitë të duken të lehta, dhe madhështinë më të cilën luajti futbollin e tij, po e përkthen në mënyrë të shkëlqyer në menaxhim të ekipit.

Për çdo ditë që po kalon, Zidane po vlerësohet gjithnjë e më pak si një djalë me fat, dhe gjithnjë e më shumë si një burim themelor i sukseseve të fundit të Realit Madridit.

Përkthyer për klankosova.tv nga Gazmend Syla, Drejtori i Informacionit në Klan Kosova TV

Lajme të tjera