20:46, 26 Tetor 2017 Autor: Baton Haxhiu

 

 

Një gjyqtare nga Katanja, qytet në skaj të Italisë, e bëri rrëmujë një shtet.

Një moment drejtësie u shndërrua në luftë politike për dy arsye që nuk janë vetëm arsye drejtësie.

E para ka të bëjë me marrjen e meritave kush do ta gjykojë Sajmir Tahirin.

Fakti që insistohet në marrjen e meritave për ta gjykuar një rast të tillë tregon arsyen e fortë politike që është pengesë për ta ndërtuar një rast drejtësie.

E dyta ka të bëjë me sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Një mik imi, luftëtar i dëshpëruar për drejtësi një kohë të gjatë, i inspiruar nga një takim rasti ma tha një konstatim interesant: “Një kohë të gjatë drejtësia në Shqipëri shërben si mekanizëm për regjistrimin e krimeve nga pushtetarët që më vonë të përdoren si shantazh dhe pastaj t’i kenë si mbrojtje në momentet kur akuzohen vet për krime”.

Siç shkruan Ernest Hemingway, ky është një “zhvillim i arrestuar”.

Nëse duhet pak sqarim, termi “zhvillim i arrestuar” ka pasur kuptime të shumëfishta për më shumë se 200 vjet. Në fushën e mjekësisë, ai është përdorur për ta nënkuptuar një ndërprerje të zhvillimit fizik.

Hemingway e përdor atë në “Dhe lind dielli”, në faqen 51, kur Harvey i thotë Cohn:

“Unë ju kam gjykuar gabim. Ju nuk jeni idiot, jeni vetëm një rast i zhvillimit të arrestuar”.

Po mundohem ta sqaroj ç’kuptim ka ky term në rastin e Sajmir Tahirit.

Çështja aktuale e Prokurorisë Shqiptare për Krimet e Rënda me dyshimin e krimit të kanabisit, lidhur me lidhjen e deputetit dhe ish-Ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, mund të duket lojë e brendshme e pushtetit, por është shumë më tepër.

Mbi të gjitha, dëshmon kapacitetin e shoqërisë shqiptare për demokraci.

A kemi kapacitet për t’u marrë me çështjen brenda institucioneve të pavarura, pa e bërë atë monedhë politike?

Sigurisht, opozita ishte e shpejtë ta akuzojë qeverinë si të korruptuar dhe kriminale. Për të, ky ishte momenti i duhur për ta lëkundur legjitimitetin e qeverisë.

Në fakt, kjo është metodë për ta zbehur humbjen e madhe në zgjedhjet e fundit.

Por, kjo situatë, gjithashtu po ekspozon epshin e opozitës për pushtet dhe një faktim për publikun se qeverisja në Shqipëri është një “one-man-show”, që përkon me realitetin e qeverisjes së Ramës.
Përsëri, diçka që kemi parë në të kaluarën, si rasti i armëve kimike, kur i gjithë shteti u çua në këmbë pa e ditur të vërtetën.

Edhe atëherë, edhe tash, ka një logjikë dhe përpjekje që në emër të rendit dhe ligjit ta arrestojmë kombin dhe zhvillimin e tij.

Po, të arrestohet kombi – figurativisht, për shkak se nuk ka prosperitet të shoqërisë shqiptare derisa ballafaqimi me aspektet kriminale të shoqërisë bëhet në një reality-show politik.

Dhe qëndron shumë larg drejtësisë.

Ky është Arrestim i Zhvillimit.

Kjo jo vetëm që nuk po e ndihmon, në fakt po shkatërron mundësinë për t’u marrë me një nga çështjet më sfiduese për të ardhmen e kombit.

Shqipëria ka nevojë për ndryshim e disa aspekteve të mentalitetit dhe kulturës shekullore të të bërit të gjërave, në mënyrë që të merret realisht me çështjen e kriminalitetit.

Kjo nuk do të ndodhë nëse para syve të shqiptarëve çështjen e kanabisit e bëjmë çështje politike, e jo çështje të drejtësisë.

Edhe pse, duhet të pranoj, shpesh duket se shumica prej tyre që tash flasin për rastin janë pikërisht ata që janë thellë në barërat e këqija.

Shqipëria nuk mund të përballojë asnjë imazh ndërkombëtar që është i lidhur me kriminalitetin.

Kjo tashmë po i kushton ekonomisë dhe mundësive të munguara të të rinjve në të ardhmen.

Vetëm imagjinoni nëse Mali i Zi të ishte kaq i shpejtë për të vepruar në akuzën e prokurorisë italiane për lidhjet e Milo Gjukanoviqit dhe rrethit të tij të ngushtë me kontrabandën e cigareve, rast që përfundimisht u hodh poshtë në gjykatat italiane ndaj shumicës së akuzuarve.

Pastaj, duhet ndërprerë bindjen se policia italiane mund të ketë gjithmonë motive fisnike edhe pse përvoja e saj në luftimin e mafisë duhet përdorur përballë sfidës sonë të vështirë dhe të vazhdueshme. Ata kanë nevojë për një fitore për hir të moralit të tyre dhe se është legjitim, por jo nëse kostoja është goditje ndaj moralit të shtetit dhe kombit.

Kjo është arsyeja pse kjo çështje nuk duhet dhe të shndërrohet në luftë politike.

Kemi humbur aq shumë kohë që të mund ta përballojmë edhe një shkundje të madhe të shtetit. Mund të rrezikojmë një tjetër skenar udhëtimi në kohë. Ne duhet të merremi me këtë rast si çështje penale, dhe të jemi shumë kritikë, pa ndërtuar vlerë të shtuar krimi që inspirohet nga skandali i mediave dhe politikës së papërgjegjshme.

Dhe, në fund, pse të mos mendohet Rasti Tahiri si rast për të hapur debat konceptual për kanabisin, si në SHBA, Maqedoni dhe në disa vende të tjera, dhe të flitet për legalizimin e prodhimit të kanabisit mjekësor. Mund të jetë rruga që një nga sfidat tona më të mëdha ta kthejmë në mundësi të shkëlqyer për prosperitet.

Ajo po bëhet gjithnjë e më e zakonshme edhe pse në Shqipëri nuk ka kapacitet dhe traditë të  udhëhiqet pa krim në këtë industri në rritje. Kjo është çështja që do të dëshiroja ta shihja duke i diskutuar nga politikanët – legalizimi dhe përfitimi nga tradita e tjerëve, dhe jo të përplasen në betejë politike për ta arrestuar zhvillimin.

Demokracia është një proces i brishtë, sidomos në Ballkan.

Prandaj, çdo sfidë e madhe do të duhet të transformohet në leksion konstruktiv.

 

 

 

Lajme të tjera