19:16, 27 Dhjetor 2017 Autor: Agron Hoti

Stagnacioni konstant në zhvillimin ekonomik gjatë periudhës komuniste dhe konfliktet ndëretnike në Jugosllavi patën lënë prapa një gjendje pothuajse të pashpresë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Si rezultat i kësaj, harta infrastrukturore e Ballkanit Perëndimor, dhe e Ballkanit në tërësi, pas vitit 1990 nuk u përgjigjej trendeve neoliberale në ardhje, të cilët kërkonin dinamikë dhe intensifikim të ndërlidhjes apo interkonektivitetit mes shteteve dhe rajoneve.

Për të theksuar qasjen rajonale të saj, BE në vitin 1996 pati bërë diferencimin mes termit “Evropë Juglindore” dhe “Ballkan Perëndimor”. Me “Evropë Juglindore” nënkuptohej kryesisht Sllovenia, Bullgaria dhe Rumania, kurse me “Ballkan Perëndimor” nënkuptohej ish-hapësira jugosllave (minus Sllovenia) dhe Shqipëria. Kjo ndarje është më shumë politike për rajonin e Ballkanit dhe ka dy dinamika: 1) Në njërën anë kemi Slloveninë, Kroacinë, Rumaninë dhe Bullgarinë si anëtare të BE-së, 2) Në anën tjetër kemi Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjën e Hercegovinën dhe Serbinë, që janë jashtë BE-së. Pra, vështirësitë e ndryshme me të cilat është përballur rajoni kanë determinuar edhe dinamikat brenda shteteve të ndryshme.

Shikuar prapa në shekullin e kaluar, shumë lehtë vërehet se infrastruktura e Ballkanit Perëndimor dhe Ballkanit në tërësi nuk ishte ndërtuar sipas nevojave të rajonit, por sipas diktatit. Analisti britanik dhe njohësi i rrethanave në Ballkan, Misha Glenny, shkruan se “infrastruktura e Ballkanit asnjëherë nuk ishte bërë sipas nevojave të vendeve ballkanike, por sipas interesave të të tjerëve”. Pra, përpos problemeve të shumta politike edhe infrastruktura e pazhvilluar ishte barrierë që sfidonte lëvizjen lirë të njerëzve, shkëmbimet tregtare dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të rajonit.

Ofrimi i perspektivës evropiane për tërë rajonin e Ballkanit dhe ndërmarrja e hapave konkretë për të jetësuar këtë proces ishin përgjigjja më e duhur për të ardhmen e rajonit. Edhe shtetet e rajonit tashmë kishin konfirmuar përkushtimin e tyre për të ardhme evropiane. Që nga viti 1990 e deri më sot, BE ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të avancuar procesin e Integrimit Evropian në vendet e Ballkanit, duke përkrahur dhe njëkohësisht vlerësuar individualisht secilin shtet për të arriturat në këtë proces. Mbi këtë bazë, BE-ja ia doli t’i përfshijë në gjirin e vet Slloveninë, Kroacinë, Bullgarinë dhe Rumaninë, ndërkohë që pak më herët, në vitin 2004, kjo ndodhi me 10 shtete, kryesisht nga bota ish-komuniste.

Mbështetja për zhvillim ekonomik si përgjigje ndaj stagnacionit të vazhdueshëm të ekonomive të Ballkanit Perëndimor ka bërë që BE0ja t’i intensifikojë përpjekjet për zhvillim të këtij rajoni. Ndër iniciativat më të njohura është edhe themelimi i Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në vitin 2009, nga Komisioni Evropian, Institucionet Financiare Ndërkombëtare, donatorë të ndryshëm dhe 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ky instrument i BE-së kishte dhe ka për qëllim zhvillimin socioekonomik, përshpejtimin e anëtarësimit në BE duke lehtësuar dhe implementuar investime në projekte infrastrukturore në sektorët e transportit, mjedisit, energjisë dhe në sektorin social.

Përpjekjet e BE-së për zhvillimin e rajonit u rikonfirmuan edhe në Procesin e Berlinit të filluar në gusht të vitit 2014. Edhe këtu u riafirmua rëndësia e përmirësimit të ndërlidhjes apo interkonektivitetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor mes tyre dhe me BE-në. Kjo iniciativë ishte bërë në kohën e duhur pasi që pati shërbyer si shërim i ndjenjave të lënduara në rajon, të cilat ishin ngritur nga deklarata Presidentit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, që pati thënë se “nuk do të ketë zgjerim të ri të BE-së gjatë mandatit pesëvjeçar të Komisionit Evropian”.

Edhe pse teknikisht korrekte, kjo deklaratë ishte interpretuar nga shumë qarqe si zvenitje e përkushtimit të BE-së karshi aspiratave të anëtarësimit të vendeve të rajonit. Edhe pse i organizuar jashtë kornizës normale të vendimmarrjes institucionale të BE-së dhe me vetëm 7 shtete anëtare të BE-së, Procesi i Berlinit ka merita, sepse e mirëmban përqendrimin në rajon duke i ulur së bashku të gjithë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një të ardhme më të mirë.

Ndonëse ka pasur zëra se WBIF dhe Procesi i Berlinit mund të shihen si dy iniciativa paralele, njëra e BE-së dhe tjera kryesisht gjermane, këto dy iniciativa plotësojnë njëra tjetrën, sepse të dyja kanë si qëllim kryesor zhvillim socio-ekonomik të rajonit dhe afrimin e tij me BE-në. Gjithsesi, si WBIF ashtu edhe Procesi i Berlinit, janë në linjë me politikat e Komisionit Evropian për zgjerim dhe rrjedhimisht, të dy iniciativat mjetet financiare i kanë të siguruara nga buxheti i BE-së. Dihet që vija kryesore buxhetore e BE-së për Ballkanin Perëndimor është Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA). Ky instrument financiar ka dy faza: 2007-2013 dhe 2014-2020.

IPA ka edhe një Komitet Drejtues që vendos dhe orienton buxhetin. Në tetor 2014, Komiteti Drejtues i IPA-s pati miratuar metodologjinë e re të WBIF-së. Kjo metodologji, ndër të tjera, përfshin: 1) Bashkëfinancimin e investimeve nga ana e BE-së me 20% grante, kurse për hekurudha 50% grante; 2) Themelimin e Këshillave Kombëtare për Investime (KKI) nga secili vend i Ballkanit Perëndimor; dhe 3) Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet krijuar Listën e Projekteve Prioritare Infrastrukturore (LPPI) për sektorët e transportit, mjedisit, energjisë dhe sektorit social.

WBIF mbështetet vazhdimisht nga Komisionit Evropian me Asistencë Teknike (këshillë – dhe ekspertizë-dhënie) dhe se zyrat me ekspertë të ndryshëm WBIF i ka në secilin vend të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. E mira e kësaj Asistence Teknike të WBIF-së është se këta ekspertë bëjnë analiza të ndryshme për projektet prioritare infrastrukturore e sidomos: studime të para-fizibilitetit dhe fizibilitetit, kost-benefit analiza, dizajne të projekteve të ndryshme, vlerësime të ndikimit në mjedis të projekteve të ndryshme, përgatitje të projekt-propozimeve, etj. Të gjitha këto aktivitete tepër të kushtueshme bëhen tërësisht nën koston e BE-së dhe vendet përfituese nuk e shpenzojnë asnjë cent.

Vlen të theksohet që Kosova është përfituese me të drejta të barabarta nga WBIF dhe Procesi i Berlinit, pa marrë parasysh faktin që 5 shtete anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në përgjigje të politikave të BE-së, Qeveria e Kosovës në përputhje me rekomandimet e WBIF-së dhe Procesit të Berlinit, në korrik 2015 pati themeluar Këshillin Kombëtar për Investime, i cili bashkëkryesohet nga Ministria e Integrimit Evropian dhe Ministria e Financave, si dhe një Sekretariat që është në shërbim të këtij Këshilli.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka nxjerrë Listën e Projekteve Prioritare Infrastrukturore, e cila për vitin 2018 (e përtashësuar) përfshin 63 projekte për sektorin e transportit, energjisë, mjedisit dhe sektorit social, në vlerë totale prej 3.4 miliardë euro. Nuk do të thotë që të gjitha këto projekte do të implementohen në vitin 2018, sepse atëherë kjo do të përbënte mrekulli të llojit të vet, por gjithsesi që këto projekte do të implementohen ndër vite, varësisht prej poentimit sipas kritereve që marrin nga WBIF, donatorët dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare.

Më 18 dhjetor 2017 është mbajtur takimi i radhës së Këshillit Kombëtar për Investime për të diskutuar për Listën e Projekteve Prioritare Infrastrukturore. Lista më pas dërgohet për miratim në Qeveri dhe pastaj në Bruksel, në Komisionin Evropian. Më pastaj, Lista do të jetë dokument kyç planifikues dhe negociues për Qeverinë, donatorët dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare sa u përket projekteve prioritare infrastrukturore.

Përfundimi i projektit të furnizimit me ujë për Prishtinën dhe sistemi i ngrohjes përmes kogjenerimit për Prishtinën janë dy projekte kapitale që janë mbështetur nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), pra projekte që janë bashkëfinancuar nga buxheti i Kosovës, donacionet dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare.

Ndërtimi i autostradave Prishtinë – Morinë dhe Prishtinë – Shkup, edhe pse nuk kanë kaluar përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe Procesit të Berlinit (sepse janë financuar tërësisht nga buxheti vendor), janë në përputhje të plotë me politikat e interkonektivitetit të BE-së. Edhe arritja e marrëveshjes së fundit për fillimin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” do të kontribuojë në forcimin e sektorit të energjisë, si sektorin më vital për zhvillimin e ekonomik të vendit.

Se sa është e rëndësishme infrastruktura vlen të theksohet fakti që para jo më shumë se 10 vitesh, të merrje rrugë prej Prishtinës për Tiranë përbënte sfidë për secilin prej nesh. Përderisa koha e udhëtimit nga Prishtina në Tiranë zgjaste së paku 10 orë, ajo u shkurtua në vetëm 2.5 apo maksimalisht 3 orë si rezultat i ndërtimit të autostradës. Prandaj, kohëzgjatja e shkuarjes në Tiranë sot dhe në Shkup nesër do të jetë e papërfillshme. Historia na ka mësuar që zhvillimi i hovshëm ekonomik i bërthamës së Bashkimit Evropian është bërë falë rrugëve dhe hekurudhave të shumta anë e përtej BE-së. Prandaj, Kosova, si e barabartë mes të barabartëve të rajonit, është duke ndjekur trendet e BE-së për zhvillim infrastrukturor në të gjitha dimensionet e tij.

BE me instrumentin e saj të WBIF-së dhe të plotësuar me Procesin e Berlinit spikati pikërisht vështirësitë kryesore të rajonit të Ballkanit Perëndimor, pra përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës, diçka që i kishte munguar rajonit në përgjithësi, e hapësirës shqiptare në veçanti. Pra, pa marrë parasysh zhvillimet e brendshme, Kosova, ashtu sikurse rajoni, është në rrugë të mirë në identifikimin dhe implementimin e projekteve që dalin nga Procesi i Berlinit. Këto projeksione do të vazhdojnë, ashtu siç do të vazhdojë rrugëtimi i shteteve të rajonit drejt anëtarësimit në BE.

Institucionet e Kosovës do t’i përshpejtojnë dinamikat në dhënien e përgjigjeve me kohë dhe brenda kritereve, obligimeve që dalin nga WBIF dhe Procesi i Berlinit, ashtu sikundër që do të jenë falënderuese për këtë ndihmë të jashtëzakonshme dhe tepër të kushtueshme që japin ekspertët e WBIF-së në dizajnimin e projekteve multimilionëshe, të cilat do të kenë ndikim direkt në përmirësimin e jetës së qytetarëve në Kosovë.

 

 

 

Lajme të tjera