20:03, 5 Mars 2017 Autor: Federica Mogherini

Ura e Mitrovicës është një simbol i përçarjeve, luftërave dhe dhimbjes që shënon historinë e Ballkanit në 25 vjetët e fundit. Tani mund të bëhet simboli i dialogut, pajtimit, shpresës.

Dua t’i kthehem tregimit të rrugëtimit tim në Ballkan duke nisur pikërisht nga këtu, nga vizita në Mitrovicë, nga ura që e eca me shumë të rinj, me liderët lokalë, me forcat e policisë të komuniteteve serbe e kosovare; vetëm disa metra i mbajnë këto komunitete të ndara. Të njëjtat metra, sot, mund t’i bashkojnë ato falë Bashkimit Europian.

Në çdo ndalesë gjatë vizitës – të rëndësishme, të mrekullueshme dhe të vështirë në disa raste – pash energjinë dhe shpresën e burrave e grave të reja, të cilët janë dhe ndjehen europianë në plotni.

Ata duan që vendet e tyre të bëhen pjesë e Bashkimit Europian dhe kërkojnë nga politikëbërësit që të ecin në shtegun drejt BE-së me konsistencë e përkushtim. Këtë ata ua kërkojnë qeverive, parlamenteve dhe neve po ashtu. Për këtë arsye mesazhi im – nga Beogradi në Tiranë, nga Shkupi në Sarajevë nga Prishtina në Podgoricë – është ky; dyert e unionit tonë janë të hapura, dhe ne duam një të ardhme ku kjo pjesë e Europës është pjesë e Bashkimit Europian.

Nuk është një ëndërr e largët, por një projekt që mund të realizohet nga gjenerata jonë në interes të paqes e pajtimit në këtë rajon, në interes të sigurisë tonë të përbashkët dhe rritjes ekonomike në të gjithë Europën.

Në këtë moment, kur reflektojmë për të ardhmen e unionit tonë, duhet ta mbajmë në mend se një anëtar i joni po largohet, por të tjerët po bashkohen dhe më shumë se 70 për qind e qytetarëve të këtyre vendeve janë mbështetës të Bashkimit Europian.

Sot ky regjion ballafaqohet me tensione politike, kriza institucionale, vështirësi të mëdha, si në çështje sociale ashtu edhe ekonomike, në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrezikon të shndërrohet në një fushë shahu për lojërat e mëdha të gjeopolitikave globale.

Por, kur flet me të rinjtë në Ballkan – por, gjithashtu edhe me shumë politikëbërës që provojnë ta fuqizojnë shoqërinë e tyre, ta ndryshojnë vendin për të mirë dhe ta integrojnë – e sheh se e ardhmja e tyre do të jetë në Bashkimin Europian, dhe nuk ka një tjetër burim për zhvillim e pajtim më të fuqishëm se BE-ja.

Ne jemi forca e paqes, të drejtave, lirisë dhe zhvillimit ekonomik. Dhe kjo është pikërisht ajo që njerëzit në Ballkan kërkojnë, por edhe kanë nevojë.

Ne jemi aty për ta. Sepse ne e dimë se kjo është po ashtu në interesin tonë. Çdo skenar tjetër do të na kthente prapa tek tragjeditë e historisë së vonë.

Prandaj unë do të raportoj për rezultatet e vizitës time dhe do të flasim për të ardhmen e Ballkanit në Këshillin për Punë të Jashtme dhe të enjten po ashtu në Këshillin Europian me krerët e shteteve dhe qeverive.

Opinion nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini në bllogun e saj personal – përkthyer nga Klan Kosova.

Lajme të tjera