11:19, 15 Qershor 2017 Autor: Kenan Hoti

Tani, pasi kanë përfunduar zgjedhjet, koalicioni fitues bën çmos për ta siguruar shumicën në Kuvend. Kjo, për t’i mos i rrëshqitur nga dora mundësia për ta krijuar qeverinë, pra për të mos ngjarë ajo që ndodhi në Maqedoni.

Ku opozita krijoi qeverinë, pasi partia fituese nuk i kishte numrat. Me siguri se koalicioni fitues PAN do të angazhohet intensivisht të bisedojë me çdo individë a parti relevante që do t’ia siguronte ndonjë deputet. Pra, në këto rrethana, një deputet vlen! Zaten për një deputet nuk po mund të krijohet qeveria (PAN parashihet t’i ketë deri në dyzet deputetë, komunitetet, njëzet).

Me ata, me të cilët koalicioni PAN nuk po e çan kokën fare të bisedojë, për çështjen e koalicioneve paszgjedhore, janë dhjetëshja joserbe, përkatësisht deputetët e komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom, që bëjnë katër nga dhjetë sa janë.

Jo për shkak se këta janë të parëndësishëm për numra në Kuvend, por për arsye se këta PAN-i i konsideron të sigurt dhe besnikë në koalicion. Me vite radhazi, partitë fituese këta deputetë i kanë “rrëmbyer” duke ia mbyllur sytë me nga një zëvendësministër, edhe atë të dytë, thuajse pa asnjë përgjegjësi qeveritare.

Edhe PAN, përmes z. Haradinaj, në një emision televiziv, para 11 qershorit, potencoi se deputetëve joserbe tradicionalisht, si në qeveritë e kaluara, edhe në këtë mandat, pasi partitë e tyre të bëhen pjesë e qeverisë, do t’u ndahen nga një zëvendësministër i dytë.

Kjo nuk do të duhej më assesi të lejohej për shumë arsye, ndër to: komunitetet ashkali, egjiptian dhe rom janë më të varfërat në Kosovë, më të diskriminuarat dhe më të lënat anash. Qeveritë nuk kanë treguar ndonjë angazhim të madh për t’u marrë me përmirësimin e kualitetit të jetës së tyre.

Tani, nëse edhe deputetët, si përfaqësues të tyre, nuk kushtëzojnë hyrjen e tyre në qeveri me implementimin e projekteve infrastrukturore, arsimore, ekonomike, me ngritjen e pjesëmarrjes në ushtri dhe polici të Kosovës etj., kush tjetër, ose cila mundësi tjetër mund të shfrytëzohet për t’i përfshirë këto komunitete sa më dinjitetshëm në të gjitha institucionet shtetërore e publike, si dhe në shoqërinë kosovare?

Katër deputetët e ardhshëm të këtyre tri komuniteteve, që sipas të gjitha gjasave, janë të njëjtit që kanë qenë në legjislaturën e kaluar, do të duhej që tani ta bëjnë një marrëveshje, me anë të së cilës ata pajtohen që në koalicion me PAN, LAA ose VV hyjnë vetëm si pako. Pra të katërtit, edhe atë me kushte të posaçme! Për shembull, pasi që infrastruktura e banimit të pjesëtarëve të këtyre komuniteteve është katastrofale, këta katër deputetë do të mund të kërkonin, që në çdo miratim të buxhetit vjetor, të parashihet një linjë e veçantë për ndërtimin e njëqind shtëpive për familjet e pastreha.

Çdo qeveri e ka miratuar një strategji, që quhet Strategjia për Përfshirjen e Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Shoqërinë Kosovare.

Kjo strategji qeveritare çdoherë miratohet pa buxhet qeveritar! Në marrëveshjen e ardhshme për koalicion, këta katër deputetë do të duhej të kërkonin buxhetimin e kësaj Strategjie, duke e futur si linjë, në buxhetin vjetor të shtetit. Në marrëveshjen për koalicion do të mund të kërkohet edhe rritja e numrit të pjesëtarëve policorë e ushtarakë nga radhët e këtyre komuniteteve, por edhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore në rrethinat ku jetojnë ashkalinjtë, egjiptianët e romët, e që këto tri komunitete jetojnë zakonisht në të njëjtat rrethina.

Vetëm atëherë kur të merren vesh për përfitimet, që prekin drejtpërdrejt jetën e këtyre komuniteteve, do të mund të flitet për pozita politike, që garantohen edhe me kushtetutën e vendit.

Në këtë ‘panik’ të krijimit të koalicioneve paszgjedhore, nëse deputetët ashkalinjë, egjiptianë e romë, bëjnë paraprakisht marrëveshje në mes vete, dhe negociojnë si një trupë me partitë fituese, me kushtet e tyre, që disa i përmenda më lartë, suksesi do të ishte i patjetërsueshëm.

Fundi-fundit, edhe nëse përfaqësuesit e këtyre komuniteteve nuk bëhen pjesë e qeverisë, pra mbesin në opozitë, kiameti nuk bëhet. Edhe ashtu, me emërimin e një zëvendësministri nuk ndryshon asgjë për të mirë gjendja e komuniteteve në fjalë.

Autori i këtij shkrimi i takon komunitetit  ashkali, ka punuar si asistent në Kuvendin e Kosovës dhe jeton në diasporë.

Ndjek rrjedhat politike në Kosovë, sidomos ato, që kanë të bëjnë me komunitetet ashkali, egjiptian dhe rom.

Lajme të tjera