19:00, 7 Janar 2018 Autor: Selman Jusufi

Të ngjitesh në skenë. Të bëshë grimin. Të ngjallësh personazhin. Të jetosh në mes të dekoreve dhe perdeve. Të ulesh në proskenium. Të marrësh frymë thellë. Ta dëgjosh zërin e natës. Të jetosh jetën e huaj. Ta bartësh mbi supe kalvarin. Ta shikosh në sy Ferrin dhe Parajsën njëkohësisht. Të jesh i ekzaltuar, i emocionuar, i lodhur nga jeta e heroit në skenë. Të zgjohesh nga ankthi dhe ëndrra. Ta bëshë copë e grimë vetminë e Hamletit në pasqyrë. Pastaj ta prekësh iluzionin pas perdeve pa ngjyrë dhe dritë. Ta ushtrosh trupin dhe shpirtin terë jetën, para publikut në një sallë që të duartroket…

Aktori i ngjan Pegazit. Jeta e tij është dëshirë dhe nostalgji për ngritje. Për ecje kah majat e skenës. Është pirg Obelisku. Instikt dhe dhunti. Skena është jetë kulti. Lutje. Gjuhë mistike e vetmisë. Teatri është themeli i shtëpisë së imagjinuar. Rekuizitë e elementeve sakrale në një bodrum…

Një ditë ai ikë nga jeta reale. Ikë nga heronjtë e tij. Nga personazhet. Nga myku në garderobë. Nga zhurma në skenë. Natën pa hënë, tinëz ikë, duke i flakur në fund të garderobës kostumet e grisura përplot pluhur shekullor. Duke lënë tekstin, rekuizitat, pëshpëritësin, autorin, regjisorin, kostumografin, skenografin, dhe njëqind të tjerë…

Shani Pallaska ishte aktor dhe doajen. Ishte princ i skenës. E jetoi jetën në heshtje dhe kreacion. Foli vetëm pesëdhjetë vite në skenë. Bëri jetë të pagabuar skenike. Ishte zë antik i një simfonie. I lindur me talent dhe vokacion të rrallë. Timbër dhe fah të Aleksandër Moisiut. Bashkëkohanik i tij. Lojtar si ai…

 

Myku në garderobë dhe gjuha mistike e vetmisë

Bardi i Teatrit të Kosovës, aktori Shani Pallaska, për pesëdhjetë vjet me radhë nuk zbriti nga skena jonë teatrore. Madje as kohët e fundit, para luftës dhe para vdekjes, kur lodhja shpirtërore dhe fizike kolektive peshonte rëndë mbi çdo njeri. Ai s’ju dorëzue stuhisë për asnjë çast, duke mbyllur kështu rrethin artistik të karrierës së tij të shkëlqyeshme prej artisti dhe duke shënuar qartë fillimin, rritën dhe zhvillimin e tempullit të kulturës sonë.

Shani Pallaska hyri në këtë tempull me 1946. Hyri si autodidakt dhe si tetëmbëdhjetëvjeçar. Në të vërtetë, ai ishte themelues i institucionit tonë të parë teatror. Hyri si entuziast atëbotë dhe shkoi si mbret i skenës, i cili padyshim në historinë e Teatrit Shqiptar do të mbetet ndër aktorët më të mirë të shekullit XX.

Shaniu ishte i seleksionuar nga natyra me talentin e rrallë që kishte. Dhe kjo dhunti e talentit të tij që nga roli i parë e deri te ai i fundit janë role që karakterizohen me një vrull dhe mjeshtëri aktoreske të rrallë. Zhvillimi dhe sukseset më të mëdha të Teatrit të Kosovës janë të lidhura me punën dhe emrin e tij, pra mund të thuhet se ai ishte edhe arkitekt i kësaj skene. Në galerinë e qindra roleve të tij, të cilat i realizoi me aq përkushtim që nga Shekspiri, Kadareja, Beketi dhe sidomos nga dramaturgjia kombëtare të cilën e afirmoi me aq sukses. “Erveheja” ishte zbulim, ndërsa Godoja i tij në shfaqjen e Beketit “Duke pritur Godonë” ishte versioni i rolit më të mirë në Evropë në vitin 1970.

 

Testamenti artistik: Ushtrimi i trupit dhe i shpirtit

Shani Pallaska jetoi shtatëdhjetë e një vjet. Në skenë kaloi gjysmë shekulli. Ai ishte një epokë e tërë e aktrimit për skenën shqiptare.

Regjisori Fadil Hysaj i cili bashkëpunoi me të, shprehet: Aktroi role të mëdha dhe të vogla. Luajti në shfaqje të mëdha dhe në të vogla. Për të ishte me rëndësi të ishte në skenë. Vetëm jeta jashtë skene për Shani Pallaskën nuk kishte kuptim. Në një hapësirë të zhbrazët, të quajtur skenë, dekada me radhë Shaniu krijoi dhe ngjalli personazhe përmes të cilave ndezi emocione të fuqishme te spektatorët, duke iu plasuar atyre mesazhe sublime me magjinë e aktrimit teatror.

Gjysmë shekulli më parë, Shani Pallaska së bashku me një grup entuziastësh si Muharrem Qena, Katerina Josipi, Meribane Shala, Matej Serreçi, Hyrije Hana e të tjerë,  formuan Teatrin Popullor të Kosovës. Gjatë karrierës brilante dhe të gjatë në këtë skenë, Shaniu u imponua me lojën e tij, të një stili të veçantë të aktrimit, i cili me kohë u përvetësue nga shumica e aktorëve të tjerë si stil kolektiv i aktrimit.

Shani Pallaska u bë i njohur për publikun me shfaqjen “Besa” të Sami Frashërit që në vitin 1951. Pastaj, publiku ynë duke i përcjellë me dashuri të veçantë shfaqjet e ardhshme, filloi ta mësojë rrugën për në teatër. Me shfaqjen “Erveheja”, edhe publiku por edhe aktorët arrijnë pjekurinë artistike, ndërsa Shaniu me rolin e tij në këtë shfaqje sëndërton një stil të veçantë të aktrimit të cilin do ta kultivojë pastaj edhe me tepër në shfaqjet “Duke pritur Godonë” të Beketit, në “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Kadaresë, e në dhjetëra shfaqje dhe autorë të tjerë.

Gjuha skenike me të cilën ai iu qasej personazheve të tij ishte një lloj testamenti i veçantë artistik. Shaniu në të gjitha rolet e tij demonstroi një mjeshtri të rrallë të aktrimit, me një gamë të gjerë të arsenalit shprehimor aktoresk që përbëhej prej intonacionesh e ngjyrimesh vokale të cilat të shprehura herë si psherëtima e herë si shpërthime eruptive, aktrimit të tij i jepnin një peshë të një tragjedie antike. Ai i ndërtonte karakteret e personazheve të tij duke kombinuar me sukses grimasat dhe gjestet e imëta me maska dhe gjeste të mëdha, që dinin të përshkonin terë skenën. Loja e tij ngërthente mrekullisht nuanca të holla psikologjike të gërshetuara me grotesken, tragjiken dhe komiken. Dhe të gjitha këto arrinte t’i harmonizonte çuditërisht me një terësi organike e cila rrezatonte nga ai energji të cilën e disponojnë vetëm aktorët e mëdhenj të skenës, përfundon regjisori Hysaj.

 

Mileti dhe telalli me tupan

Në një intervistë me dramaturgun Haqif Mulliqin për revistën “Theatri” në vitin 1995, i pyetur për shfaqjet e para të Teatrit të atëhershëm Popullor, se si i ka pritur publiku atëbotë, Shaniu përgjigjet: “Paj, ç’të them… Më kujtohet kur shkuam për të shfaqur një pjesë diku në një fshat të Ferizajt. Kur arritëm në fshat rreth nesh ngarendën fëmijët, e besa kishte edhe të rritur në mesin e tyre. Njëri prej tyre na pyeti:  “Hej, a jeni ju cirku, a?”. Ne u thamë: “Po, cirku jemi”, dhe i ftuam që të vijnë në mbrëmje që ta shikojnë “cirkun”.

Ndërkaq, kur shkuam në Zhegër të Gjilanit, në shesh të fshatit doli telalli me tupan dhe nisi të thërrasë: “O milet, nëse doni të shihni seri, ejani sonte në mejtepin e xhamisë!”.

Më kujtohet kur në një manifestim ne e fituam shpërblimin kolektiv, i cili kishte vlerën prej 50 mijë dinarëve të asaj kohe. Mirëpo, fati e deshi që shefi i kontabilitetit, sapo u kthyem së andejmi, i vodhi ato para dhe iku në Kanada…

Sa i përket shkollimit, Shaniu në të njejtën intervistë përgjigjet: “Unë në fillim kisha planifikuar që të shkoja diku në shkollim të zërit, pra të studioja muzikën. Të gjithë rreth meje mendonin se posedoja një zë të bukur. Por, me angazhimin tim në teatër, Xhavit Nimani i cili në atë kohë ishte përgjegjës për arsim dhe kulturë në Kosovë, më tha: “Ose rri në teatër e puno si aktor, ose do të dërgoj që të punosh si mësues diku në ndonjë katund të përtej bjeshkëve”. Natyrisht që unë në mes të parës dhe të dytës u përcaktova për teatër dhe për aktrim, por e di se më me dëshirë do të shkoja për ta shkolluar zërin. E dija se teatri ishte aty dhe se në të do të mund të kthehesha kur të doja, por në akademi nuk shkohet çdo ditë”.

 

Gjenerali…” shfaqja e përmasave kombëtare

Duke folur për repertorin teatror, Shaniu shton se në fillim në teatër kishte fare pak publik, por me ardhjen e “Besës” së Sami Frashërit në skenë gradualisht nisi të krijohej publiku shqiptar i cili kërkonte edhe një biletë më tepër. Ndërkaq, për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë,  në të cilin gjithashtu ai luante rolin kryesor, vlerëson se kjo ishte një ngjarje kulturore e përmasave kombëtare. Ndërsa për periudhën e mëvonshme të krizës teatrore e cila filloi me aneksimin e Kosovës nga ana e Serbisë, Shaniu përveç tjerash shprehet: “Do të thosha se kështu ka ndodhur edhe dekulturimi i shikuesit tonë, në veçanti duke i imponuar atij skeçet e Lecit, Cimës apo edhe të ndonjë tjetri… Por, çështja është se në rrethanat në të cilat jetojmë është absolutisht e pamundur që të bëhet çfarëdoqoftë në mbrojtjen e vlerave të mirëfillta. Kjo bëhet me sistem, ndërsa fatkeqësisht, një sistem të tillë ne nuk e posedojmë…”. Në vazhdim të kësaj interviste për revistën “Theatri”, i pyetur nga autori i saj për shfaqjet e ndaluara dhe konkretisht për “Krushqit janë të ngrirë” të Kadaresë në regji të Selman Jusufit dhe Pirro Manit në vitin 1993, dhe për përjetimin e tij, ai shton: “Shikoni, unë nuk e kam përjetuar burgun, ashtu siç e përjetuan të tjerët, por mendoj se për aktorin është po aq përdhunuese kur ia ndalojnë shfaqjen, kur ia vrasin personazhin të cilit ia ka falur trupin dhe gjakun… Më kujtohet para dy vjetësh kur në TPK u ndalua shfaqja “Krushqit janë të ngrirë”. Nuk di a më besoni se sa tmerrshëm e kam përjetuar këtë. Ata, madje nuk na lanë as të hyjmë në teatër, duke na kërcënuar. U ktheva në shtëpi, u mbylla në dhomë dhe deri në mëngjes nuk kam fjetur. Terë natën, nuk e di sa e sa herë, në vete e kam përseritur tekstin tim… Kisha nevojë ta bëja këtë… Pas kësaj ndalese kisha përshtypjen se unë do ta harroj këtë rol. Se ata do të më futen në kokë dhe do ta shlyejnë atë edhe nga koka ime. Andaj instikti më shtyente që ta përsërisja tekstin vazhdimisht…”.

Shani Pallaska padyshim ishte aktori që la gjurmë të thella në aktrim skenik dhe filmik në Kosovë. Aktrimi i tij ishte total dhe unik. Ndërsa për skenën tonë, për një gjysmë shekulli, ishte shenjë mbrojtëse dhe emblemë.

 

 

Nga Selman Jusufi në nëntëdhjetëvjetorin e lindjes së doajenit të skenës kosovare, aktorit Shani Pallaska.

 

 

Lajme të tjera