11:15, 10 Janar 2019 Autor: Albana Kasapi

Është etnia ajo që determinon se ku e pini kafen në qytetin serb Bujanovc, në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Shqiptarët dhe serbët nuk i frekuentojnë kafenetë e njëjta”, thotë Valon Arifi, me etni shqiptare.

Shumica e popullsisë së këtij qyteti janë serbë, mirëpo në regjion shqiptarët janë më në numër.

Kjo është pse Lugina e Preshevës është në qendër të spekulimeve: a mund të jetë pjesë e një shkëmbimi të territoreve në marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë?

“Njerëzit këtu pinë kafe së bashku vetëm nëse janë duke kryer punë”, thotë Valoni. “Mirëpo të pinë kafe si miq? Kjo nuk ndodh”.

Valon Arifi

Në qoftë se porosisni një espresso “në mënyrë të gabuar” në Bujanovc, menjëherë do ta kuptoni mesazhin.

“Mund të lexoni fjalëkalimin e wi-fi: diçka si ‘shqiptarët nuk janë të mirëseardhur këtu’. Ndërsa në kafet e shqiptarëve, mund të jete diçka e tillë kundër serbëve” thotë ai.

Separacioni etnik është pjesë e jetës së përditshme në Luginën e Preshevës, një skaj i varfër i Serbisë.

Vendi ku jetoni, shkolla ku i dërgoni fëmijët, gjuha të cilën e flisni dhe në qoftë se shkoni në kishe apo xhami, të gjitha reflektojnë origjinën tuaj.


 

Pse shkëmbimi i territorit?

Që kur Serbia dhe Kosova përjetuan një luftë të përgjakshme që mori fund në vitin 1999, marrëdhëniet mes tyre kanë ngelur të tensionuara. Serbia kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.

Mirëpo Bashkimi Evropian do që Serbia të arrijë normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj para se të vazhdojë anëtarësimin në BE. Ndërsa, Kosova dëshiron njohjen formale në OKB, e cila është e bllokuar nga aleati i Serbisë, Rusia.

Një zgjidhje dramatike – për disa a paimagjinueshme – për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve, mund të jetë shkëmbimi i territoreve në baza etnike.

Map of Serbia and Kosovo

Kosova do të merrte Luginën e Preshevës dhe regjionet me shumicë serbe në veri të Kosovës do të bëheshin pjesë e Serbisë.

Mirëpo, asgjë nuk është vendosur dhe askush nuk e di se ku do të shënohen kufijtë e rinj.

Përderisa bisedimet në Bruksel kanë stagnuar, tensionet janë në rritje – Kosova ka vendosur taksë 100% për mallrat me origjinë serbe.

Tani ka presion nga Uashingtoni. Presidenti Donald Trump ka bërë apel direkt tek liderët e Kosovës dhe Serbisë, duke i nxitur që të arrijnë marrëveshje paqësore.


 

Në veri-perëndim të Bujanovcit, më afër kufirit me Kosovën, komuniteti i Tërrnovcit është ekskluzivisht shqiptarë.

Propozimi që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës nuk është i ri. Pas përfundimit të luftës, Terrnovci u shndërrua në qendër të një force paramilitare që luftoi Serbia deri në vitin 2001 me qëllim që të arrinte pikërisht këtë.

Aridona Shabani, që është në shtëpi për pushime nga studimet që po i kryen në shkollën e mjekësisë në Shqipëri, do të dëshironte një gjë të tillë.

Duke u rritur ajo nuk kishte shokë serbë dhe e flet shumë pak gjuhën serbe.

Xhevahire Shabani (L) and her daughter in Trnovac

“Nuk më pëlqen gjuha” thotë ajo. “Nuk është interesante siç është gjuha angleze apo frënge”.

Nëna e saj Xhevahire mund të mos pijë kafe me serbët që i njeh, mirëpo e flet gjuhën.

“Kemi jetuar në ish-Jugosllavi ku serbët dhe shqiptarët duhej të ishin të unifikuar” kujton ajo.

“Kjo gjeneratë është rritur në kohë lufte, ku urrejtja mbizotëroi. Ato eksperienca të rënda kanë bërë që të rinjtë të largohen nga njëri-tjetri”.

Disa kilometra tutje në lindje, shtrihet Rakovci përgjatë një rruge të kufizuar nga fushat me lakër.

“Rakovci është një fshat i moçëm serb. Nuk duam të jemi pjesë e Kosovës” thotë Vukasin, që është në të 20-tat dhe nuk do ta bëjë publik mbiemrin.

A bus leaves Rakovac                   

Në qoftë se kufijtë do të rishkruhen dhe Rakovci do të bëhej pjesë e Kosovës, a do të kishte rrezik për dhunë?

“Mund të ndodhë” thotë Dragoslav, i cili si shumë të tjerë këtu është i papunë dhe mbijeton duke punuar me dru.

I lodhur nga politika, Stojko Janic, ndjen keqardhje për hendekun në rritje në mes të komuniteteve.

“Kam punuar me shqiptarët për 17 vjet”, kujton ai. “Kisha miq më të mirë mes tyre se sa në mesin e serbëve. Ata ende dëshirojnë të jenë miqtë e mi, mirëpo kanë frikë të shihen në shoqërinë time, sepse do të dukeshin tradhtarë në komunitetin e tyre”.

Në një aspekt, të paktën, lidhjet po sforcohen nëpër Luginën e ndarë të Preshevës.

Në një salle basketbolli në Play 017 në Bujanovc, të rinjtë serbë, shqiptarë dhe romë kryejnë treningun së bashku.

Friends Hevzi (L) and Danilo 

“Sa isha duke u rritur të gjithë luanim së bashku, mirëpo gjërat kanë ndryshuar për shkak të luftës”, thotë themeluesi i klubit, Nenad Stajic, i cili është serb.

“Kam një filozofi: gjithkah nëpër botë, fëmijët qajnë njëjtë, nuk ka dallim në mes tyre. Të rinjtë këtu mësohen të jetojnë së bashku, të punojnë së bashku e të shoqërohen”.

The basketball club in Bujanovac

Hevzi Imeri me etni shqiptare dhe Danilo Dabetic i cili është serb, janë lojtarë me aspirata dhe janë shokë të mirë.

“Danilo është si shokët e mi shqiptarë, veçse flet një gjuhë tjetër” thotë Hevziu, i cili flet rrjedhshëm gjuhën serbe.

Ky është një partneritet dhe e mund kulturën ndarëse të kafesë në Bujanovc.

“Ne dalim për të pirë kafe, takohemi për qejf, shkojmë në ditëlindje dhe festa së bashku” thotë Danilo.

Mirëpo, kjo mund të ndërrojë në qoftë se rishkruhen kufijtë e Luginës së Preshevës.

 

 

Publikuar në BBC, përkthyer nga klankosova.tv

Lajme të tjera