17:38, 4 Maj 2018 Autor: Faton Abdullahu

Sikur prania e Federatës Ruse në Ballkan ta rrezikonte këtë rajon për aq sa ajo është e fortë, në krahasim me forcat e botës perëndimore, ne sot nuk do të duhej të shqetësohemi shumë. Rusia në aspektin ekonomik dhe ushtarak, edhe pse është fuqi e madhe, është më e dobët se SHBA-të dhe larg më e dobët se koalicioni perëndimor, i cili qysh se dihet për rivalitetin, Perëndim-Lindje, kurrë nuk ka qenë gjeopolitikisht më i shtrirë se tani në Ballkan. Por, kjo gjeopolitikë dhe ky rivalitet janë më të ndërlikuar se kaq. Strategjia dhe taktikat e involvimit të Rusisë në një rajon, apo vend, për ta shtrirë ndikimin për të cilin ajo merr vendim dhe e kualifikon se është i interesit të saj nacional, shquhen me disa karakteristika të cilat shpesh janë të vrazhda e edhe më shpesh për paqen shumë kërcënuese. Edhe sot, gjeopolitika e Rusisë është reflektim i politikës së brendshme autoritare dhe antidemokratike. Aktet e vrasjeve të pushtetarëve rivalë antirusë gjithandej në shtete të ndryshme, kidnapimet e biznesmenëve, kërcënimet dhe shantazhet e politikanëve të padëgjueshëm, organizimet e grusht-shteteve, stimulimet e përçarjeve, janë disa nga ato. Po të kësaj natyre mbesin edhe ato më të zakonshmet – investimet në propaganda mediale, sponsorizimi intelektual antiwesternist, investimet në segmente të caktuara sigurie, e shumë të tjera të kësaj natyre.
Tash e sa kohë, Rusia në Ballkan dhe përgjithësisht në Evropën Lindore, kurrë nuk ka qenë më e dobët në krahasim me Perëndimin. Por, si duket, kësaj politike të perceptuar si disfatiste nga ajo, Moska zyrtare i ka dhënë fund, e bindur se nuk duhet të dorëzohet, por duhet të rikthehet dhe për këtë të bëjë diçka. Kjo diçka e Rusisë sot shihet shpluar më së miri në Ballkan.
Për aq sa BE nuk e shtyn para agjendën e zgjerimit në Ballkan dhe bëhet zhgënjyese me politikat hezituese tek vendet e rajonit tonë dhe për aq sa SHBA-të nuk e kanë prioritet tash e sa kohë Ballkanin, involvimit të Rusisë po i krijohet hapësira e përshtatshme dhe ajo pa hezitim po e shfrytëzon këtë. Kjo është parë në Mal të Zi, jo zakonshëm, por në stilin rus, me përpjekjen për grusht-shtet, por edhe në Maqedoni me stimulimin e përçarjes dhe ndihmës e madhe përmes një lufte speciale dhënë forcave nacionaliste maqedonase. Kurse ky involvim në Serbi është larg më i shprehur dhe mirë i njohur, me raporte të shkëlqyera ekonomike politike, kulturore dhe ekonomike, me Qendrën të ashtuquajtur Humanitare në Nish, me shitjen dhe faljen e armëve, me ushtrime të përbashkëta ushtarake dhe me shumë elementë të tjerë të kësaj natyre. Nëse rusët kanë shtuar ndikimin në Ballkan me metodat e tyre të njohura, a ka vend për t’u brengosur për ndikimin e tyre në Kosovë?

1) A duhet të jemi kundër Erdoganit që t’i ndalim rusët?

Nëse Ankaraja zyrtare gjithnjë e më shumë po ndahet deri në prishje të raporteve më perëndimorët, a mund rrjedhimisht të ketë marrëveshje që turqit dhe rusët t’i shtrijnë së bashku interesat e tyre në Ballkan, e rrjedhimisht edhe në Kosovë? Ka indicie për një mundësi të tillë gjeopolitike, sado që tani për tani nuk mund të flitet me shumë fakte për një bashkëpunim të kësaj natyre të kësaj aleance të re ruso-turke. Të dyja këto shtete janë autoritare, me përqendrim të madh të pushtetit në një lider dhe me politika të riaktivizuara për shtrirje të interesave të tyre nacionale atje ku i tundon edhe interesi financiar, edhe trashëgimia dhe lidhjet kulturore, fetare e historike, pra në Ballkan. Ajo çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt ndërmjet Turqisë dhe Rusisë dhe cila do të jetë e ardhmja e Ankarasë zyrtare me SHBA-të, do ta formësojë edhe involvimin e këtyre shteteve në Ballkan. Neve na mbetet që ta përcjellim këtë zhvillim dhe të reagojmë në përpjesëtim të drejtë me nevojën e interesave të vendin tonë.

2) A tundohen rusët nga rritja e majtizmit në Kosovë?

Aty ku ka antiamerikanizëm rusët mund të tundohen duke shpresuar se mund të jenë alternativë politike. Zor e besueshme se kjo mund të ndodhë në Kosovë. Mirëpo, është jashtë çdo dyshimi se majtizmi në Kosovë është në rritje tash sa kohë dhe ka rritje edhe të një dimensioni të saj ekstremist. Majtizmi ekstremist në Kosovë ka dy karakteristika vdekjeprurëse. E para është se për ngecje të ndryshme të shtetndërtimit në Kosovë (për ngecje në zhvillim, për pasje të korrupsionit, për mosanëtarësim në OKB ,në BE, për mospasje të ushtrisë e për shumë mangësi të tjera), fajësohen shumë perëndimorët, sidomos amerikanët. E dyta është flirti i tyre me islamin politik në Kosovë. Ky flirt është aktiv tash sa kohë. E përbashkëta e këtyre dy rrymave, majtizmit ekstrem dhe islamit politik, është antiamerikanizmi. Këto janë premisa të mira për të shtruar terren të përshtatshëm, ku rusët mund të shpresojnë për ta hedhur farën e tyre gjeopolitike. Në aspektin historik kjo nuk është risi, por do të ishte përsëritje.

3) A është antiamerikanizmi i islamit politik në Kosovë pro-rus?

Islami politik në Kosovë është anti-western dhe sidomos antiamerikan. E çuditshme dhe vështirë e kuptueshme për mendjen e shëndoshë shqiptare, por ai është i tillë për aq sa nga ky koncept është i përjashtuar apo riinterpretar shqiptarizma. Ai nuk mund të thuhet se sot është pro-rus, por nëse ndodh që të nisen sot ose nesër nga logjika “armiku i armikut tim është miku im”, atëherë islami politik në Kosovë më parë bëhet pro-rus se që bëhet pro-amerikan. Gjithnjë është, përderisa bota perëndimore, konkretisht SHBA-të, perceptohen se nuk kanë të drejtë në konflikte e luftëra të vazhdueshme me shumë vende të botës arabo-islame, pa përjashtuar edhe ato të cilat e përkrahin dhe financojnë islamin politik dhe terrorizmin. Çdo përpjekje për shtrirje dhe ndikim të rusëve në Kosovë mund të shpresojë ta bëjë këtë me këtë rrymë politike.
Thënë përmbledhtazi, kërcënimi i Kosovës nga Federata Ruse sot nuk është bllof. Përkundrazi. Derisa Serbia nuk do të jetë plotësisht pjesë e BE-së, rreziku i Kosovës nga involvimi i këtij shteti destruktiv asnjëherë nuk do të mund të ndalet. Në anën tjetër, për aq sa Brukseli zyrtar ka mirëkuptim të tepruar ndaj Serbisë, edhe kur ajo nuk e meriton aspak këtë trajtim, për aq mund ta pësojë Kosova, pos tjerash, jo vetëm tërthorazi edhe nga Rusia. Ky pësim i Kosovës nga rusët në rend të parë mund të aktivizohet shpejt dhe papritur në ndërlidhje me këto tri karakteristika që i përmenda më sipër. Prandaj, rikthimi më i madh i vëmendjes politike të SHBA-ve në Ballkan, rrjedhimisht edhe në Kosovë, është i domosdoshëm, sidomos kur dihet se tashmë Rusia nuk po e fsheh involvimin e saj në këtë rajon, të cilin e konsideron se e ka humbur pa të drejtë, e bindur se edhe e ka të drejtën ta rikthejë.

 

 

Lajme të tjera