Qosiqi ka vdekur. Rroftë Qosiqi! 123 string(12) "Baton Haxhiu" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/11/baton-haxhiu.jpg" nga Baton Haxhiu 12.03.2017 13:00 12.03.2017 13:00 E nderuara Ljiljana, E lexova me kujdes shkrimin/reagim tënd. Ta lexova edhe shkrimin në revistën Nedelnjik dhe të përcolla në një paraqitje në TV, në program të mëngjesit. Një moment sqarimi kam. Nëse shkrimi lexohet pa kujtesë dhe pa sensin e të kaluarës dhe fajësisë, duket qartë se ke të drejtë në shumë gjëra. Por, gjërat nuk kanë kuptim kur sqarohen pa kujtesën. Natyrisht, nuk jam nga ata që duhet ta marrë kujtesën si arsye për ta dënuar të kaluarën, por kujtesa përdoret që e kaluara të mos përsëritet në të ardhmen. Të mos përsëriten tragjeditë. Dhe tragjeditë, gjithmonë, kanë një emër dhe një kohë. Duke lexuar natyrën letrare të shkrimit tënd, po mundohem që përmes figurave letrare të mos pajtohem me ty. Paraprakisht dua të them se Tragjeditë e Shekspirit kishin të bënin me mbretërit. Tragjeditë bashkëkohore kanë të bëjnë me popujt. E them këtë sepse nuk kam dëshirë që e papranueshmja të pranohet edhe një herë, dhe e patolerueshmja të tolerohet edhe një herë. Shkrimit tënd i mungon kjo dëshirë. Ose, më thënë më mirë, duket sikur dëshiron t’i amnistosh gjërat që kanë ndodhur. Jo duke mos i dënuar, por duke i fshehur. Të dyja këto do ta bënin mungesën e dëshirës për ndërgjegjen dhe për njeriun si qenie e barabartë. Besoj se e ke dëgjuar proverbin latin, sipas të cilit Jupiteri ua merr mendjen atyre që dëshiron t’i shkatërrojë. Ky proverb duhet të adaptohet në rrethanat e dialogut tonë. Proverbi duhet përmirësuar, të thuhet, për shembull, “në fillim ua merr sytë”. Tragjedia në Kosovë ishte paralajmëruar në vitin 1986. Ose edhe më herët. Pikërisht me Lajme të Rreme (Fake News). Nëse iu kujtohet “Rasti Martinoviq” dhe rrëfimi për “shishen e vendosur në anus”. I nisur si shkrim në gazetën Politika dhe pastaj në TV Beograd. Thuhej se këtë akt e kishin bërë shqiptarët. Këtu kishte filluar rrëfimi për tragjedinë që do vinte. Këtu kishte nisur edhe rrëfimi për ndarje dhe për përzënie (“Albance preko Prokletija”). Këtu, e nderuara Ljiljana, nuk pajtohem me ty, sepse ia jep vdekjen një vazhdimësie përmes figurës dhe emrit të Dobrica Qosiqit. Vërtet paskan vdekur Qosiqi dhe Millosheviqi? Burgu më i rëndë i njeriut është ai i kafazit brenda një iluzioni. Sidomos kur iluzioni merr përmasa religjioze në stilin e Kaligulës – i cili duke u thirrur në praktikën romake, në normat dhe amanetet e të parëve, inskenoi veten në perëndi – s’kishte si ndryshe përveçse të shndërrohej në paranojë. Kaligula ishte një “Perëndi” i çmendur, siç shkruan Seneka; Një që pushtetin e siguronte nëpërmjet të pamundurës, ngase duke besuar të jetë Zoti vetë e shihte të ligjshme të vendoste mbi jetën a vdekjen e tjetrit; ta thotë fjalën e fundit se tjetri duhet të jetë skllav, rob apo i lirë, apo të dëbohet nga një cep në tjetrin të globit. Kaligula është varrosur më 24 janar të vitit 41, në Romë. Pyetja ime është pikërisht te vdekja që ti pretendon: Vërtet vdiq ndonjëherë Kaligula? Sa herë shfaqet ndonjë tiran i ri që me bijë e bija kërcënon me luftë kulturat, vendet dhe lirinë e tjerëve, e përjetojmë Kaligulën të dalë nga varri duke vallëzuar me thikën e tij rreth qafës së viktimave. Është tipi, mostra, nëpërmjet të cilit kemi mësuar ta perceptojmë dhe përshkruajmë çdo lugat të tij, pavarësisht kohës, shekullit a epokës. Aq shpesh është ringjallur ai në histori saqë e ka riprodhuar veten deri këtyre ditëve. Bota ende nuk është çliruar nga diktatorët, teokratët, tiranët e vegjël e të mëdhenj që vetja iu duket si Kaligula, si instancë për të vendosur se si duhet të jetojnë tjerët, në tokat dhe nënqiejt e tyre. Kaligula nuk do vdesë kurrë derisa fryma e tij do të inspirojë vazhdimësinë e njëjtë të jetës politike që determinon funksionalitetin e politikave, shteteve, mendësive të kësaj epoke. As Sllobodani dhe as Dobrica s’kanë vdekur derisa fryma e tyre të jetë radari i qeverive dhe individëve që e dominojnë politikën serbe. Kjo gjendje nuk ndryshon pa ndryshuar vetja e më hiç me arrogancë duke qortuar botën pse sillen mirë me tjerët ngase e përjetojnë si diskriminim ndaj tyre. Liljana na tregon se “Brukseli Kosovën e trajton si qershi mbi tortë”. Kush ia tha? Vuçici dhe Nikolici? Është “Fake News”. Si ndaj asnjë shteti tjetër deri më sot, BE-ja ia ka parashtruar Kosovës 95 kushte vetëm për lëvizjen e lirë; krijon e sponsoron gjykata speciale – sikur nxitësit e luftërave në gjithë ish-Jugosllavinë të ishin këta e jo ata që janë – dhe detyron Kosovën në vetëbllokim politik dhe demokratik. Për çka? Pikërisht ngase 5-6% e serbëve në Kosovë kanë pushtetin në vendimmarrje si asnjë grup etnik tjetër në botë. Ndodh diçka e ngjashme me hungarezët, kroatët, rutenët e Vojvodinës dhe shqiptarët e jugut të Serbisë dhe 30% të Maqedonisë? Ndodh ndonjë luftë në Kosovë për shkak kësaj? Jo. Dhe kjo është mrekullia vetë. Në terren nuk ndodh luftë, ajo ndodh në faqet e mediave ne Beograd për çdo ditë, në format më paranojake të mundshme. Madje, kosovarët durojnë edhe atëherë kur ndonjë anëtare e BE-së operon me urdhëresat e lëshuar nga “i vdekuri” Sllobodan. Prandaj, të flasësh për të drejtat e mohuara të ndonjë komuniteti në Kosovë është sikur të lexosh vetëm protokollet e qeverisë dhe të jesh e privuar nga e drejta për të menduar vetë, si qytetare e lirë, si subjekt pa shpatën e diktatit mbi kokë. Patjetër kjo do ndodh edhe nëse tenton ta varrosësh si të paqenë edhe atë që e kumton që disa vite një ministër serb – ndarjet, ëndrrat, dhe iluzionet e këtij soji. Ndoshta kthjelljen politike në Serbi e pengon edhe historia: Nikoliçi ishte edhe vetë në Kosovë dhe pozonte me kallashnikov. Vuçiçi masakronte verbalisht myslimanët dhe gjithë tjerët. Daçiçi ishte dora e djathtë e Millosheviqit. Është vështirë që këto personazhe të dekaligulizohen nga pjesa më e rëndësishme e habitusit të tyre. Po njerëzit e mediave, shoqëria civile? A ka mundësi të vijë dita shpejt kur njëdimensionaliteti kaq i rëndë që e ka skllavëruar frymën e shumicës atje të thyhet dhe ne të lexohemi e të debatojmë, të shkruajmë jo duke riprodhuar programet politike, paranojat e qeverive tona në media e diskurse, por duke dhënë sa më shumë shenja të mendimit dhe frymës personale, njerëzore? Ne, ballkanasit, duhet të ikim nga mendësia të manastireve mesjetare si frymë, duhet të mos lejojmë që nga varret t’i marrim urdhrat se si duhet të duket e ardhmja jonë. Këtë ua dëshiroj të gjithëve. Përndryshe, paqja nuk do jetë asnjëherë e mundshme dhe ky debat ndërmjet meje dhe teje, e nderuara Liljana, do të mbetet vetëm pozë për t’i aktruar të civilizuarit dhe asgjë më shumë. Kushti i parë për ta ndryshuar veten dhe të tjerët është që ta pranojmë të vërtetën. = = = = = = = Platforma KoSSev ka nisur rubrikën e re “Bisedë pa shkas”, me përkrahje nga Ambasada Amerikane, në kuadër të faqes së re “Dialogu”. Në “Bisedë pa shkas” kolumne javore gjatë muajve të ardhshëm do të publikojnë Liljana Smajlovic, kryeredaktorja e deritashme e gazetës Politika nga Beogradi, dhe Baton Haxhiu, drejtor i Klan Kosovës. Këto kolumne do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës. Versioni i kësaj kolumne në gjuhën serbe mund të lexohet KETU. Kolumnja 4 nga Liljana Smajlovic: “Mos e fajësoni Qosiqin” në shqip dhe serbisht. Kolumnja 4 nga Baton Haxhiu: “Jeta jonë në dëshirat e politikanëve” në shqip dhe serbisht. Kolumnja 3 nga Liljana Smajlovic: “Me pyetje ndaj përgjigjeve” në shqip dhe serbisht. Kolumnja 3 nga Baton Haxhiu: “Melania” në shqip dhe serbisht. Kolumnja 2 nga Liljana Smajlovic: “Kur serbët ngazëllohen e shqiptarët vajtojnë”, në shqip dhe serbisht. Kolumnja 2 nga Baton Haxhiu: “Katarsis”, në shqip dhe serbisht Kolumnja 1 nga Liljana Smajlovic: “Kur them ‘Politika’, mendoj Serbia”, në shqip dhe serbisht Kolumnja 1 nga Baton Haxhiu: “Ndryshimi i komunikimit për ridefinim konstruktiv të realitetit”, në shqip dhe serbisht *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.