Është koha që shqiptarët ta dëshmojnë këtë përcaktim në vepër, pa arsyetime e kushtëzime. Çështja e emrit dhe Marrëveshja e Prespës nuk është problem i brendshëm, siç ishte konflikti i 2001, por një konflikt i jashtëm apo ndërkombëtar.

Mobilizimi i madh diplomatik për zgjidhjen e këtij “konflikti gjeopolitik” duhet të shihet si një shansë për faktorizimin e shqiptarëve të Maqedonisë, me atë që do të përkrahin marrëveshjen duke dalë masovikisht në referendum. Nëse në zgjedhjet e fundit parlamentare kishte diku 220 mijë vota shqiptare, synimi duhet të jetë që në referendum të ketë mbi 300 mijë.

9:09, 11 Shtator 2018 Autor: Xhelal Neziri

Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Shkup pikërisht në ditën kur Maqedonia feston 27-vjetorin e shtetësisë së saj ngërthen në vete një porosi të fuqishme për të gjithë ata që hamenden lidhur me të ardhmen e këtij vendi.

Merkel vjen në Shkup pas vizitave të kryeministrit austriak Sebastian Kurz, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, pritjes së ministrit të jashtëm të Maqedonisë Nikolla Dimitrov në State departament nga kreu i diolomacisë amerikane Mike Pompeo, pas mesazheve të diplomatëve të lartë të Washingtonit dhe Brukselit – Matthew Palmer, Wess Mitchel, Johanes Hahn…Vjen për herë të parë në Maqedoni që të vulosë orientimin pro-perëndimor të këtij shteti në zemër të Ballkanit duke bëtë me dije se referendumi i 30 shtatorit patjetër të rezultojë i suksesshëm.

Merkel ishte shumë e drejtpërdrejtë lidhur me atë se si duhet të veprojnë qytetarët e Maqedonisë kundrejt referendumit:

“Tridhjetë shtatori është ditë historike, dilni dhe votoni”. “Nuk dua të përzihem në vendimin e qytetarëve tuaj, por nga përvoja personale e di se kjo është një shansë të cilën një gjenerate i jepet vetëm një herë në jetë. Mos qëndroni në shtëpi një një ditë të këtillë historike dhe dilni e jepni mendimin tuaj në referendum”, ishte e prerë Merkel.

Nëse do të ketë rezultat pozitiv nga referendumi, Merkel paralajmëroi anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. Ajo rikujtoi opinionin se për të arritur këtë qëllim, kishte një parakusht – zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë. “Ka një çështje midis vendit tuaj dhe Greqisë dhe ishte patjetër të gjindet një zgjidhje.

Për atë këto dy çështje (integrimi euroatlantik dhe emri) janë të lidhura ngushtë. Pa zgjidhjen e këtij problemi nuk ka anëtarësim. Ky nuk është është kërcënim, nuk është një lidhshmëri që e ka bërë qeveria, por të gjitha vendet anëtare duhet të votojnë për atë (anëtarësim). Për këtë arsye kjo lidhshmëri duhet të qartësohet”, tha Merkel.

Ajo është takuar vetëm me liderin e opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, i cili hamendet për qëndrimin rreth referendumit, por jo edhe me presidentin e shtetit Gjorgje Ivanov – i cili mban një qëndrim të ashpër kundër marrëveshjes me Greqinë.

Është një paralajmërim ky për të gjithë ata që punojnë kundër Marrëveshjes, që do të thotë kundër integrimeve euroatlantike, se nuk do të llogariten më për partnerë apo edhe miq të Brukselit dhe Washingtonit. Edhe pse ballafaqohen me mosmarrëveshje të shumta, që nga rregullat e tregtisë e deri te çështjet e caktuara gjeopolitike, Washingtoni dhe Brukseli duken të unifikuar lidhur me të ardhmen e Maqedonisë dhe Shqipërisë, por edhe për Ballkanin në tërësi.

Në rastin e arritjes së marrëveshjes historike midis Greqisë dhe Maqedonisë është dëshmuar se BE-ja, e ballafaquar me Brexit, dhe SHBA-ja nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, megjithatë mund të bashkëpunojnë dhe të koordinohen me qëllim që të vihen në mbrojtje të vlerave demokratike në vendet ku të njëjtat rrezikohen. Marrëveshja për emrin është rezultat i një angazhimi maksimal të Washingtonit, Brukselit, Berlinit, Parisit dhe Londrës zyrtare, të cilat kanë përdorur të gjitha kanalet diplomatike për të bindur Shkupin dhe Athinën të pranojnë një kompromisin e madh.

Ka qenë një mobilizim i paparë i diplomacisë perëndimore për çuar në histori problemin që qëndronte si pengesë për integrimin e vendit dhe rajonit në strukturat euroatlantike, problem i cili gjithnjë e më shumë shfrytëzohej nga Moska dhe aleatët e saj për të shtrirë ndikimin. Deri më 30 shtator do të kristalizohen dy tabore – njëri që do të votojë për marrëveshjen në referendum e tjetri që do të bojkotojë. I pari do të rreshtohet përkrah Perëndimit, i dyti do të mbrojë interesat e Rusisë. Deri në këtë ditë historike (siç e quan Merkel), do të mund të detektohen të gjithë ata hipokritë që kamuflohen me vlerat perëndimore, por që mbrojnë interesa që janë në kundërshtim me po ato vlera. Është e drejtë e secilit që të mos pranojë vlerat demokratike, por edhe përgjegjësia jonë si qytetarë dhe shqiptarë që të vulosim masovikisht orientimin tonë pro-perëndimor të brumosur me dekada në proceset dhe përpjekjet e shumta për liri.

Është koha që shqiptarët ta dëshmojnë këtë përcaktim në vepër, pa arsyetime e kushtëzime. Nuk duhet lejuar njerëzit me background të dyshimtë te shqiptarët të çorientojnë opinionin, duke ua ngatërruar qëllimisht çështjet e jashtme me ato të brendshme. Çështja e emrit dhe Marrëveshja e Prespës nuk është mjet për zgjidhjen e një kontesti të brendshëm, siç ishte Marrëveshja e Ohrit, por për tejkalimin e një konflikt i jashtëm apo ndërkombëtar.

Mobilizimi i madh diplomatik për zgjidhjen e këtij “konflikti gjeopolitik” duhet të shihet si një shansë për faktorizimin e shqiptarëve të Maqedonisë, me atë që do të përkrahin marrëveshjen duke dalë masovikisht në referendum. Nëse në zgjedhjet e fundit parlamentare kishte diku 220 mijë vota shqiptare, synimi duhet të jetë që në referendum të ketë mbi 300 mijë. Vetëm në këtë mënyrë do të kontribuohej në arritjen e një barazie të plotë qytetare e etnike në Maqedoni. Në të kundërtën, me një jehonë më të vogël sesa në zgjedhjet e fundit, shqiptarët në Maqedoni nuk do të jenë më partneri më i besueshëm i Perëndimit. Kjo jo që nuk do të krijonte parakushte për avancim të të drejtave, por do të rrezikonte edhe statusin aktual të shqiptarëve etnik në Maqedoni.

Lajme të tjera