19:39, 2 Shkurt 2018 Autor: Andi Bushati

Shumëkush nga ata që e kanë parë të enjten në mbrëmje debatin nervëtendosur në “Studio e hapur”, kanë mbetur të befasuar teksa e dëgjonin Lulzim Bashën ta akuzonte Lubonjën si antiopozitar, si ndihmues të Edi Ramës dhe kulmi i kulmeve, si njeri që e kishte detyruar atë vetë të shkonte e të bënte një pakt me kryeministrin në 18 maj.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që në një studio televizive, lideri i PD zgjedh të hiqet si viktima e antiopozitarizmit të shpallur të shqiptarëve. Nuk është një risi që në mungesë të argumentit, ai të bërtasë se nuk mund t’i mbyllet goja pakicës. E me siguri, nuk ka për të qenë as tentativa e fundit, për të sulmuar ata që pretendojnë se dy partitë e mëdha ngjajnë si dy pika uji.

Por, pyetja që shtrohet pasi ke ndjekur atë përballje të ashpër është: si ka mundësi që mllefi breshëror i Bashës të mbërrijë deri te Lubonja? Çfarë vizioni të errësuar të realitetit duhet të kesh, sa të etiketosh kritikun më epik të Edi Ramës, njeriun që e denoncon atë prej dy dekadash, si një avokat të kryeministrit aktual? Çfarë paaftësie për të bërë opozitë parimore dhe të ndershme të detyron ta quash kundërshtarin mashtrues dhe marksist? Dhe, në fund të fundit, cili ligj i logjikës e përligj akrobacinë që Basha lëshoi nga goja dje: “Unë shkova e u ula në marrëveshje me Ramën, ngaqë Lubonja ashtu si një pjesë e elitës së Tiranës nuk më përkrahu gjatë aksionit të çadrës (gjë që nuk është e vërtetë, por që edhe po të ishte, nuk e përligj tradhëtimin e bindjeve për hir të rrethanave).

Për të kuptuar këto qëndrime, që të radhitura kështu duken si të dala nga goja e një njeriu që ka humbur sensin e realitetit, duhet të kuptojmë pak më mirë kontekstin se si u zhvillua ky debat. Që në fillim, Lubonja, një kritik i ashpër dhe i palodhur i Rilindjes, i tha Bashës në sy se opozita e drejtuar nga ai nuk ngjall shpresë. Se vërtet qeveria është fajtore që shqiptarët po e braktisin në mënyrë masive vendin, por kjo ndodh edhe për shkak se ata nuk perceptojnë asnjë alternativë që do t’i bënte të qëndronin këtu. Se vërtet Edi Rama po e grabit çdo pasuri të këtij vendi në bashkëpunim me oligarkët, por fatkeqësisht, ata janë të njëjtat emra që e kanë bërë këtë edhe gjatë pushtetit të PD. Se vërtet Edi Rama ia ka nënshtruar kryeqytetin një “terrori urban”, por edhe vetë Basha ka qenë në origjinë të gradaçielave që po ngrenë sot ndërtuesit më të pasur të Tiranës.

Ndaj këtyre kritikave, të cilat Lubonja i artikulon si flamurtari i zëshëm i një shumice të heshtur, Basha kishte dy rrugë: ose së pari reflektimin dhe si pasojë e tij, përpjekjen titanike për pastrimin e opozitës, për ribashkimin e saj dhe për rishikimin kritik të së shkuarës, ose mohimin total të këtij opsioni dhe sulmin personal të atyre që i kërkojnë misionin e pamundur të tjetërsimit të PD.

Fatkeqësisht Lulzim Basha zgjodhi këtë të dytën, sepse ai i përket asaj race politikanësh që nuk besojnë tek ardhja në pushtet pa ndihmën e oligarkëve, që ndajnë llokmat e mëdha me qeverinë, por që gjithsesi i hedhin ndonjë thërrime PD-së; sepse ai as që e imagjinon dot t’u kundërvihet mediave të mëdha, pronarët e të cilave edhe kur i kritikon ditën shkon e u kërkon falje në mbrëmje; sepse ai nuk e ka as në versionin e ëndrrave të veta më të fshehta, mundësinë që pushtetit autokratik të Ramës, t’i vendosë një front të bashkuar, demokratik, ku nuk mbisundon hierarkia e mykur e kryetarit të partisë dhe përkundja e djepit të kryeministrit të ardhshëm.

Dhe të gjitha këto e kanë një shpjegim. Ato vijnë nga bindja e thellë e Bashës se në këtë vend, nuk ka nevojë të bësh as revolucione, as sakrifica të mëdha. Mjafton të uzurposh opozitën dhe të presësh që pushteti të degradojë dhe të shkërmoqet vetë. Boll të kesh durim dhe radha për t’u bërë kryeministër do të vijë, ashtu siç i erdhi njëri pas tjetrit edhe Nanos, edhe Berishës, edhe Ramës.

Ndërsa Lubonja prej kohësh mbron një ide tjetër. Pasi e ka provuar disa herë, ai është i bindur se përpos rokadës së liderëve, rotacioni nuk është më garanci për ndryshim. Se pavarësisht se kush është në qeverisje, përsëri në Shqipëri fitojnë vetëm një grusht oligarkësh dhe varfërohet shumica, se qytetarët vidhen njësoj me të njëjtat praktika privatizimesh mafioze, me të njëjtat koncesione dhe leje për grataçiela. Prandaj ai është skeptik për përmbysjet e pushteteve që vijnë pa garanci maksimale nga opozita.

Pikërisht këtë vizion ai shkoi ta përballte me Bashën në “Studio e hapur”. Dhe ngaqë nuk gjeti dot një bashkëbisedues të aftë për të debatuar mbi këtë sfidë titaneske, ai dëgjoi paranojat e rëndomta dhe absurde, se kishte kontribuar për ardhjen në pushtet të Edi Ramës dhe po vazhdonte t’i shërbente atij.

Lajme të tjera