12:51, 26 Qershor 2018 Autor: Faton Abdullahu

A ka llogari Kosova të prishet me perëndimorët për të vazhduar e mbaj lidhje gjithnjë e më të ngushta me Turqinë e Erdoganit, pavarësisht se sa dhe pse ai i prish raportet  me perëndimorët ?  Apo ta shtrojmë pyetjen ndryshe. A ka llogari Kosova që t’i prish raportet shumë të mira që i ka tradicionalisht me Turqinë, sidomos tani pas fitores në zgjedhjet e fundit të Presidentit Erdogan, për shkak se ai gjithnjë e më shumë po prishet me perëndimorët ? Më parë se të ketë përgjigje për këto pyetje, Kosova ka hapur dilemë, në të cilën ka hyrë ngadal por thellë, të cilën në të vërtetë nuk do duhej ta kishte aspak. A ka sens të shtrojmë pyetjet kështu për të gjetur një përgjigje të duhur apo zgjidhja më e mirë pragmatike për këtë dilemë është, përpjekja që të gjejmë një mes të balancuar, ndërmjet Turqisë së Erdoganit dhe perëndimit ?

Në të parë, duket se, na del natyrshëm pragmatike që Kosova të mbaj balance optimale për të nxjerr përfitimi të dyanshme, duke mbajtur në të njëjtën kohë raporte të mira edhe me Turqinë e Erdoganit edhe me botën perëndimore konkretisht me Brukselin dhe Uashingtonin. Por a është në pozitë që Kosova sot ta bëj një përzgjedhje të tillë gjeopolitike, a mund ta mbaj tensionin e kësaj alternative apo duhet të veproj ndryshe.

Nëse dëgjohen këto ditë mediat më të rëndësishme të botës perëndimore, emërues i përbashkët i raportimeve të tyre për Presidentin aktual të Turqisë,është vlerësimi se kemi të bëjmë më një autokrat i cili, sidomos tani pas zgjedhjeve, ka një koncentrim shumë të madh të pushtetit në duar, që e bënë Turqinë shtet jo demokratik dhe Erdoganin një autokrat tipik në stërkeqje e sipër.

Por problemi qëndron aty se, Kosova tashmë ka hyrë në raporte të thella jo vetëm ekonomike me Turqinë dhe duket se e ka të pamundur që, kështu sikundër qëndron puna, të merr kurs tjetër gjeopolitik dhe të filloj ftohjen e marrëdhënieve më Turqinë apo thënë ndryshe të ketë qasje të njëjtë si bota perëndimore ndaj saj. Kjo gjendje tash po e sjell Kosovën krejt panevojshëm dhe mbase po e vë jo vetëm në një pozitë të sikletshme, por edhe me elemente të rrezikshme, para një dileme gjeopolitike – me Turqinë e Erdoganit apo me  perëndimin. Për herë të parë që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, ajo është e vendosur para kësaj dileme. Kjo, sidomos në këto rrethana kruciale të hyrjes në fazën finale të bisedimeve me Serbinë, jo që nuk na duhet aspak, por është edhe e dëmshme. Thjeshtë sa më shumë që bota perëndimore prish marrëdhëneet me Erdoganin ne e kemi më të vështirë të mbajmë marrëdhënje të mira me Ankaranë zyrtare.

Pas një kalkulimi pragmatik, është e lehtë për të konstatuar se ne, do të jemi me Turqinë vetëm për aq sa Turqia nuk na pengon në rrugëtimin tonë drejtë Bashkimit Evropian dhe në vazhdimin e raporteve shumë të mira me SHBA-të.  Por a mund ta zbatojmë këtë në praktikë sot si Kosovë duke pasur parasysh atë se sa dhe si është e involvuar Turqia e Erdoganit në vendin tonë. A ka forcë Kosova që ta bëj këtë ndryshim, me arsyetimin se ne, nuk kemi llogari që në këto rrethana kruciale për fatin tonë, duke mbajtur raporte të mira me Turqinë e Erdoganit, të shihemi gjithnjë e më shumë nga perëndimorët si vend i ri evropian, ku kjo Turqi me filozofi-politike neo-osmaniste mund ti ankoroj interesat e saja, interes këto që nuk janë kompatibile, por gjithnjë e më shumëpo shkojnë në kundërshtim me interesat jo vetëm gjeoplitike, perëndimore?

Thënë përmbledhtazi sot Kosova me këta pushtetar në krye, e sidomos me presidentin Hashim Thaçi i cili është në maja të piramidës të cilën Erdogan e ka ndërtuar në Kosovë, nuk mund ta zgjidhë këtë dilemë gjeo-politike të Kosovës, në të cilën jemi futur, sepse thjeshtë ai është themelues i saj dhe tani nuk mund të zbres nga ajo. Për shkak se është kështu, deri sa të jetë Presidenti Thaçi në pushtet dhe me kaq shumë pushtet autokrat, Kosova do të forcoj edhe më dilemën e panevojshme dhe të dëmshme gjeopolitike – Erdogani apo perëndimi, me tendencë gjithnjë në rritje, më shumë erdoganizëm sesa uesternizëm. Për më keq, as që do të ketë gjasa që në këto rrethana Kosova të mbaj qëndrim të balancuar, edhe Turqi edhe Perëndim, sepse Turqia në Kosovë, konkretisht Erdogani në Kosovë, vjen edhe më i deformuar se sa që është në Turqi. Ai në Kosovë deformohet që në hyrje, në kufi të vendit tonë, nga pushtetarët aktual, dhe nga mendësia e tyre që për interesa matrapazllëku e përfitimi klanor, korruptojnë çdo gjë e me këtë më së shumti rrugëtimin tonë të pa alternativë drejtë botës së lirë demokratike perëndimore pjellë e të cilës jemi dhe ku duhet të rritemi si shtet dhe shoqëri.

 

Lajme të tjera