Katedralja e re në Prishtinë nuk është thjesht një monument fetar; është një simbolikë politike

15:16, 5 Tetor 2017 Autor: Matthew Clayfield

Në rezidencën e Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, disa ditë para ceremonisë së shugurimit në shtator, Atë Lush Gjergji, mezi mban entuziazmin e emocionet e tij.

I veshur krejt zakonshëm me veshje e kollare kleriku katolik, prifti i shkurtër me trup, por shumë i çiltër për nga natyra, me padurim më ofroi një nga librat e tij të shumtë të shkruar për Nënë Terezën e të përkthyer në anglisht.

Gjergji mban veten për njëfarë eksperti për katoliken e famshme, e cila kishte lindur në Shkup – tani kryeqyteti i Maqedonisë – kur qyteti ishte ende pjesë e provincës së Kosovës nën Perandorinë Osmane.

Ai tregon se e ka takuar atë më shumë se 20 herë – në Kalkutë, Kosovë e Shqipëri – dhe ishte shoqërues i saj kur Nëna Terezë u nderua me çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 në Oslo. Prandaj, e natyrshme që Gjergji është vikari gjeneral i dioqezës katolike dedikuar kujtimit të saj.

Katedralja është e para e ndërtuar në kryeqytetin e Kosovës qysh prejse qyteti u lirua nga osmanët.

Kjo ndërtesë e madhe betoni e ndërtuar në stilin italian në zemër të Prishtinës – shugurimi i së cilës u ndoq edhe nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe një delegacion nga Vatikani në krye me një kardinal shqiptar – nuk është thjeshtë një monument fetar; por është gjithashtu shumë e vlefshme për simbolikën politike që bart.

Projekti ka fillesën tek ish-presidenti, Ibrahim Rugova, që udhëhoqi shumicën shqiptare të Kosovës në një kampanjë rezistence kundër represionit serb në vitet 90-ta.

Për Rugovën, katedralja – që ngritët tek cepi ku takohen rrugët Bill Clinton e George W. Bush – ishte një mënyrë për t’ia bërë me dije Europës se vendi i saj më i ri, që shpalli pavarësinë në vitin 2008, është vend i hapur e tolerant.

Duke qenë një nga vendet më numrin më të madh të njerëzve për kokë banori që u janë bashkuar grupeve radikale islamike në Lindjen e Mesme, Kosova është e etur t’ia dëshmojë Europës se shumica myslimane në Kosovë, s’janë një element për të cilin Europa duhet të shqetësohet dhe se kanë bashkëjetesë pa probleme me bashkatdhetarët tjerë katolikë.

95 për qind të kosovarëve janë myslimanë, kurse vetëm 2.2 për qind – e një popullate me 1.9 milionë banorë – e deklarojnë vetën si katolikë.

Gjergji – zyra e të cilit është e mbushur me portrete të gruas që lindi si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu – thotë se katedralja do t’i ketë dyert e hapura për të gjithë.

“Shpirti i Nënës Terezë na fton në çiltërsi dhe pranim, prandaj njerëzit e të gjitha besimeve janë të mirëseardhur këtu. Duke mirëpritur të gjithë, ne jo vetëm që nderojmë Nënën Terezë, por edhe i bashkohemi asaj në madhështi”, thotë ai.

Shugurimi i Katedrales shënon kthimin e administratës apostolike të Kosovës në Prishtinë, pas më tepër se tre shekujve të një lloji ekzili të brendshëm.

Pasi, kur trupi i kryepeshkopit shqiptar dhe liderit të rezistencës, Pjetër Bogdanit, ishte zhvarrosur nga osmanët në vitet 1600 dhe me të ishin ushqyer qentë në qendër të qytetit, katolicizmi u tërhoq në Prizren, ku edhe mbeti.

Shugurimi gjithashtu shënon – me kundërthënie – kulmimin e përpjekjeve të ungjillëzimit të kishës në atë vend ku është tani.

“Ky është një kurorëzim i përpjekjeve tona të mëdha”, thotë Gjergji.

Në fakt, qysh prej luftës në Kosovë, e cila pa fundin e saj me kampanjën e bombardimit nga trupat e NATO-s dhe fundin e regjimit serb, Vatikani ka bërë ndërhyrje në Kosovë, përkundër se si shtet sovran ende nuk e ka njohur.

Ka provuar vazhdimisht që të konvertojë myslimanët, ka hapur disa shkolla katolike dhe është akuzuar për flirte me disa politikanë – përfshirë edhe Rugovën, për të cilin disa besojnë se ishte konvertuar në katolik para se të vdiste.

 

‘Rilindja shpirtërore’

Prapa kësaj përpjekje është bindja e palëkundur e kishës se pushtimi osman i Ballkanit dhe kthimi i banorëve të tij në besimin Islam paraqet gabim hapash në histori, që duhet të ndrequr.

Kosova ishte e krishterë para dyndjes osmane dhe e tillë mbetet në zemër, vazhdon argumenti i kishës.

“Ne e kemi ditur përherë që paraardhësit i kishim katolikë”, thotë Gjergji.

“Ata u bënë myslimanë nën ndikimin osman. Kjo katedrale është simbolikë e rilindjes shpirtërore, që ka nisur qyshkur”.

Përkthyesi im stepet. Ideja se myslimanët në Kosovë janë të tillë vetëm nominalisht është torturuese.

“Ai nuk flet kështu me gazetarët kosovarë”, më thotë pak çaste më vonë.

Ka po ashtu një bindje të gjerë se katedralja po bëhet me shpenzime të jokatolikëve. Për të bërë vend për ndërtimin e saj u rrëzua një shkollë, duke bërë që nxënësit të zhvendoseshin në paralagje të qytetit.

Katedralja ka krenarinë të jetë në qendër të qytetit, ndërsa kërkesa për të ndërtuar një xhami kryesore aty diku ishte refuzuar fillimisht. Më vonë për të qe zgjedhur një truall, por që nga viti 2012 projekti nuk ka ecur tutje nga faza e planbërjes.

Ahmet Sadriu, zëdhënës i Bashkësisë Islame të Kosovës, thotë se ndërtimi pritet të fillojë së shpejti.

Më 2010, pak ditë pas çeljes zyrtare të dyerve të Katedrales Nënë Tereza, megjithëse sikur sot ende e pakompletuar, qe përballur me grafite pro-islamike.

 

‘Kishë politike’

Veç pesë minuta në këmbë nga katedralja, në Bulevardin Bill Klinton falet e xhumaja. Qindra burra të kthyer kah Meka gjunjëzohen në tokën e mbuluar me qilim a copa kartoni.

Ata ulen qetësisht në hijet e pemëve dhe çadrave të Coca Cola, ndërsa dëgjojnë predikimin e imamit, që në veshë u vjen përmes zmadhuesve të vendosur jashtë.

Kur imami mbaron, ata çohen në këmbë, bien prapë në gjunjë dhe më pas në sexhde. Më pas, mbledhin qilimat, hudhin diku kartonët dhe ecin në drejtim të qendrës së qytetit, skaj statujës së Klintonit dhe flamurit amerikan.

“Është përpjekje për ta gënyer botën për identitetin tonë… Askush s’i ka problem katolikët, por ata e ndërtuan këtë kishë si provokim”. -Albert Berisha

“Ne kemi bashkëjetuar me katolikë dhe të krishterë me shekuj, pa pasur kurrë probleme me ta”, thotë Albert Berisha, 30 vjeçar nga Prishtina, që më 2013 pati shkuar në Siri, për të luftuar në formacionet e Ushtrisë së Lirë Siriane.

I zhgënjyer nga ajo që pa, ai qe kthyer pas veç tre javësh, ndërsa tani përballet me mundësinë e burgimit për tre vjet e gjysmë, me akuzën se ka tentuar t’i bashkohet Shtetit Islamik, megjithëse thotë se ia ka dedikuar veten projekteve ç’radikalizuese qëkur është kthyer.

“Besimtarët meritojnë të kenë kisha kudo jetojnë, jo të kenë vetëm një të tillë gjigante midis kryeqytetit”, thotë ai.

Por ai s’e do fort katedralen e re. Është kishë politike, thotë ai, duke e krahasuar me Kishën Ortodokse Serbe, të ndërtuar në hapësirën universitare gjatë regjimit të liderit nacionalist serb, Sllobodan Millosheviq, që është protestuar disa herë paqësisht nga studentët.

“Kisha Katolike do ta bind botën se kosovarët janë katolikë dhe se islami erdhi me turqit”, thotë Berisha.

“Është përpjekje e gënjimit të botës për identitetin tonë… Askush nuk i ka problem besimtarët katolikë, por ata e ndërtuan këtë kishë si provokim”.

Ndërsa, Sadriu, nga Bashkësia Islame e Kosovës, flet me një ton më të butë për këtë çështje.

“Shqiptarët ndër shekuj kanë kultivuar harmoninë dhe tolerancën ndërfetare, që është e gdhendur thellë në identitetin tonë kombëtar”, thotë ai.

Ai i përshkruan aktet e hershme të vandalizmit ndaj katedrales si vepra të dikujt që mund të jetë manipuluar dhe thotë se situata u shtendos duke iu falënderuar mirëkuptimit vëllazëror.

Në katedrale, Atë Gjergji më shoqëron në një shëtitje në vend-punishte. Xhamat e ngjyrosur, ndoshta pak kiç për shijen e dikujt, tregojnë historinë e Kishës Katolike në regjion, nga koha e ilirëve, tek epoka e errët e komunizmit.

Në një nga to, Papa Xhon Pali II-të mban duart e Nënë Terezës në të tijat. Ndërsa, në një tjetër, Papa Benedikti XVI-të i jep skeptrin Papa Françeskut, që më 2014 pati vizituar Shqipërinë, në vizitën e tij të parë bërë shteteve të Europës. Tutje, punëtorët heqin skelat, të vendosura para altarit të ri.

Gjergji thotë se shpreson që katedralja t’i krenojë të gjithë shqiptarët e Kosovës, pa marrë parsysh besimin fetar të cilit i takojnë.

“Ndjenjat tona kombëtare janë më të forta se dallimet tona fetare”, thotë ai.

 

*Përkthyer nga klankosova.tv. Ndalohet përdorimi i tërësishëm, apo i pjesëve të materialit të përkthyer pa lejen e redaksisë

Lajme të tjera