14:22, 9 Prill 2018 Autor: Christopher Hill

Tronditja e kabinetit qeveritar të presidentit Donald Trump – ku ish- drejtori i CIA-s zëvendësoi Rex Tillersonin në postin e Sekretarit të Shtetit dhe mbështetësi i linjës së ashpër të politikës së jashtme, John Bolton, zëvendësoi H.R. McMasterin në postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare – paraqet një shkarje të konsiderueshme në prioritetet dhe qëndrimet e sigurisë kombëtare.

Një botë e rrezikshme mund të bëhet edhe më shumë e rrezikshme. Dhe, pas një viti me drama thuajse të përditshme, bota ka filluar që të përshtatet me realitetin e administratës Trump, i cili përfshin sulme të shpeshta “ad hominem” ndaj liderëve të huaj dhe teket në raportet edhe me aleatët më të ngushtë. Duke filluar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, aleatët e Amerikës, sidomos ata në Evropë, kanë parë se nuk mund t’i llogarisin SHBA-të si partnere.

 

Partneriteti Trans-Paqësor

Si rezultat, këta liderë gjithnjë e më shumë përpiqen të zbusin efektet e vendimeve unilaterale të administratës Trump, shumë prej të cilave dëmtojnë drejtpërdrejt bashkëpunimin global. Në veçanti, Trump tërhoqi SHBA-të nga Partneriteti Trans-Paqësor dhe Partneriteti Transatlantik i Tregtisë dhe Investimeve – dy iniciativa që do të ndihmonin për ta çimentuar udhëheqjen globale të Amerikës nëse administrata Trump nuk do të këmbëngulte për t’i konsideruar ato si komplotet kundër SHBA-ve. Kohët e fundit, Trump dyfishoi ashpërsinë e qasjes së tij, duke njoftuar tarifat e ashpra mbi aluminin dhe çelikun, nga të cilat disa aleatë – por jo Japonia – përjashtohen përkohësisht. Kjo nuk duket e mirë për kryeministrin japonez Shinzo Abe, i cili ishte nxituar të ishte i pari që ta përqafonte administratën Trump. Abe do të jetë shumë më i kujdesshëm gjatë ngjarjeve në vijim.

Derisa u zhvilluan këto ngjarje, Tillerson dhe McMaster luftuan. Ngurrimi dhe arroganca paraqet një kombinim fatal për një sekretar shteti, megjithatë kjo është pikërisht ajo që shfaqi Tillerson – dhe ai rrallë dukej se kishte një ditë të mirë në punë. Në mënyrë të ngjashme, McMaster – një zëvendësim i nxituar, por i mirëpritur për Michael Flynnin e turpëruar – dukej se ishte i paaftë për t’u lidhur me presidentin ose për të menaxhuar dinamikën ndërinstitucionale.

Në anën e kundërt, Pompeo dhe Bolton kanë treguar se ata mund të komunikojnë me Trump – gjë që nuk është e parëndësishme për një president që, edhe në vitin e tij të dytë në detyrë, ende duhet të zhvillojë një marrëdhënie të fortë me ekipin e tij të sigurisë kombëtare. Por, ai asnjëherë nuk ka treguar asnjë kapacitet për t’u marrë me një krizë, aq më pak duke e penguar rënien e lidershipit global të SHBA. Bërja Sekretar i Shtetit – pozicioni më prestigjioz i kabinetit – është një hap i rëndësishëm për Pompeon, mandati i shkurtër i të cilit si drejtor i CIA-s ishte paraprirë nga një periudhë gjashtëvjeçare në Dhomën e Përfaqësuesve, duke përfaqësuar qarkun e katërt të Kanzasit.

Shumica e amerikanëve për të dëgjuan për herë të parë në 2015, kur ai e “torturoi” asokohe Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, për rolin e saj të supozuar në vdekjen tragjike të ambasadorit amerikan në Bengazi, në Libi. Ndërkohë që performanca e tij mund të tregojë një shqetësim të mirëpritur për sigurinë e diplomatëve amerikanë jashtë vendit, ai gjithashtu tregon një qasje të politizuar ndaj sigurisë dhe vendimmarrjes, gjë që u pasqyrua edhe në mandatin e Pompeos në CIA.

Sa i përket Boltonit, ai ka shërbyer si i emëruar politik në disa administrata. Ai la gjurmë si armik i vjetër i agjencive qeveritare tradicionalisht apolitike, të cilat zyrtarët e administratës Trump tani i kanë cilësuar si pjesë të “Shtetit të Thellë”, duke i akuzuar rregullisht profesionistët e tillë – si dhe diplomatët – për “zbutje, dorëzim”.

Një grindavec i pamëshirshëm burokratik, Bolton nuk është krejt pa arritje. Iniciativa e tij për Sigurinë e Përhapjes Bërthamore, e nisur gjatë administratës së Presidentit George W. Bush, konsiderohet përgjithësisht si një sukses diplomatik që ka ndihmuar në nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Por, për pjesën më të madhe, Bolton ka treguar veten të jetë një “skifter” i politikës së jashtme me një dëshirë për njëanshmëri. Me krizën e Koresë së Veriut, bota nuk do të duhet të presë shumë për të gjetur se si prirjet e Boltonit dhe Pompeos do të përkthehen në veprim. Të dy pritet të fillojnë punët e reja në prag të samitit të pritur të Trumpit me Kim Jong-un – produkt i një vendimi tjetër të njëanshëm të pamatur nga ana e presidentit Trump.

 

Zgjidhja ushtarake

Shumë njerëz në kuadër të Partisë Republikane, të cilët janë skeptikë të diplomacisë, për të cilët Bolton është një lider, janë zhgënjyer me vendimin e Trumpit për t’u takuar me Kimin, duke argumentuar se bisedimet me diktatorët janë një humbje kohe që përfundimisht shkojnë në favor të autokratëve. Madje, edhe ata që instinktivisht mbështesin diplomacinë kanë dyshime serioze: në mungesë të hapave të mëtejshëm diplomatikë, në qoftë se Trump-i dështon, do të mbeten vetëm zgjidhjet ushtarake.

Bolton dhe Pompeo mund të besojnë se rezultati më i mirë i mundshëm është që takimi të zhvillohet, me Trumpin që flet me zemërim. Por, një rezultat negativ nuk është ajo që shumica e njerëzve dëshirojnë, sidomos duke pasur parasysh mungesën e alternativave bindëse. Dhe, kjo pothuajse nuk është aspak ajo që dëshiron Trump, duke pasur parasysh gatishmërinë e tij për të provuar se ishte i mençur ta pranonte ftesën e Kim-it për t’u takuar. Shkalla në të cilën Pompeo dhe Bolton mbështesin nismën në fjalë, do të ketë ë ndikim të rëndësishëm jo vetëm në samitin e caktuar, por edhe në presidencën e Trumpit.

Samitet e suksesshme kanë tendencë të jenë ato që janë përgatitur mirë.

A do të jetë Bolton i gatshëm të angazhojë udhëheqësit e Koresë së Jugut, të cilët ai i ka kritikuar kaq shpesh, në mënyrë që të harmonizojë pozicionet e SHBA-së dhe të Koresë së Jugut? Ai ose Pompeo a do të punojnë me kinezët për të identifikuar një mënyrë efektive bashkëpunimi? A do të jetë cilido nga këta zyrtarë i gatshëm të takohet me koreanët e veriut përpara samitit për të siguruar një rezultat pozitiv?

Një president mund ta nxjerrë lepurin nga kapela herë pas here. Por, ky mashtrim është i mundur vetëm kur diplomatët – zakonisht të udhëhequr nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare dhe Sekretari i Shtetit – i kanë përgatitur propozimet. Se a munden Pompeo dhe Bolton ta bëjnë këtë, mbetet e paqartë.

Ajo që është e qartë është se ne nuk duhet të mbështetemi te përvoja, por te shpresa.

 

(Christopher R. Hill është këshilltar kryesor i Kancelarit për angazhim global dhe Profesor i praktikës së diplomacisë në Universitetin e Denverit).

 

Lajme të tjera