Përmbushja e politikës me përmbajtje 123 string(10) "Agron Hoti" string(63) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/09/Agron-Hoti.jpg" nga Agron Hoti 04.09.2017 20:30 04.09.2017 20:30 Evropa gjatë historisë së saj ka përjetuar sisteme të ndryshme politike, ekonomike, sociale dhe fetare. Të gjitha sistemet kanë qenë të drejtuara, nëse jo të instrumentalizuara, nga formacione e elita nga më të ndryshmet, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre në pothuaj të gjitha sferat e zhvillimit mbarëshoqëror. Varësisht nga fuqia e këtyre formacioneve dhe elitave kanë rezultuar dhe sistemet qeverisëse gjithandej. Ndër sistemet më të avancuara të gjertanishme të orientimit dhe menaxhimit të shoqërive është demokracia parlamentare e Mbretërisë së Bashkuar, e themeluar me “Përfaqësimin e Aktit Popullor të vitit 1832” si baza e sistemit elektoral të Anglisë dhe Uellsit. Kjo frymë pastaj ka vazhduar në Skoci, Francë, vende skandinave e kështu me radhë. Evropa, edhe pse e ‘kapluar’ nga demokracia parlamentare, ende nuk ka mundur ta kompletojë frymën e saj të të qenurit demokraci parlamentare me qeverisje që kanë legjitimitet shumëdimensional moral e qytetar. Për këtë do të duhet kohë, mund dhe para së gjithash – frymë pozitive. Bile, ndërvarësia e madhe mes shteteve, mekanizmave e organizatave të panumërta ndërkombëtare, që kanë përfshirë botën si rezultat i globalizmit dhe frymës neoliberale, kanë rezultuar të jenë kontraproduktive sa i përket zhvillimit të demokracisë parlamentare. Kjo sepse dinamikat e zhvillimeve të shpejta globale kanë ecur shumë më përpara sesa demokracitë parlamentare dhe si rezultat i kësaj sistemet parlamentare ndihen të papërmbushura me rolin që do të duhej ta luanin në legjitimimin e zhvillimeve brenda dhe mes shteteve për të mirën e përgjithshme të shoqërive. Duke qenë në një gjendje të tillë, përfshirja e qytetarisë në vendimmarrjet politike në momente të caktuara duket të jetë e pamjaftueshme. Në qoftë se kthehemi pak në të kaluarën shohim që demokracia parlamentare në Evropë ka më pak se 200 vite jetë, krahasuar me periudhën mbi 10 shekullore të Evropës fetare. Ndërkohë që të arriturat e njerëzimit gjatë kësaj periudhe të demokracisë parlamentare janë pakrahasimisht më të mëdha sesa gjatë periudhës së errët fetare. Mirëpo, edhe kjo demokraci parlamentare që ne e njohim sot, shtrirjen më të madhe në Evropë e ka përjetuar vetëm pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas rënies së Perdes së Hekurt në vitin 1990. Sistemi i mirëfilltë demokratik parlamentar në Gjermani fillon pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, sepse ky vend nga viti 1945 deri në vitin 1989 kontrollohej nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore dhe rrjedhimisht çdo zhvillim në këtë vend kontrollohej nga forcat pushtuese. Evropa Qendrore, Evropa Jugore dhe Evropa Juglindore kanë filluar t’i përqafojnë vlerat e demokracisë parlamentare vetëm pas vitit 1990, pra pas rënies së komunizmit. Qytetaria e ish-vendeve komuniste ende nuk ndihet e përmbushur nga fryma e demokracisë parlamentare. Kjo ndodh për arsye të shumta. Ndër to është përvoja e shkurtë kohore dhe ngjizja e pamjaftueshme e demokracisë parlamentare në mjedisin dhe mentalitetin shoqëror të këtyre shteteve, pastaj vullneti i pamjaftueshëm politik për të avancuar në këtë drejtim si rezultat i elitave politike me deficite demokratike në mentalitetin e tyre. Kosova sistemin demokratik parlamentar të qeverisjes e përjeton vetëm pas shpalljes së pavarësisë së saj në shkurt të vitit 2008, sepse më herët ishte e menaxhuar nga Kombet e Bashkuara ashtu siç ishte e menaxhuar Gjermania nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore: SHBA, Britania e Madhe, Franca e Rusia. Pra, shikuar përgjithësisht, sistemi i mirëfilltë demokratik parlamentar në një pjesë të konsiderueshme të Evropës fillon vetëm pas vitit 1990, ku më pak e ku më shumë. Të gjitha qeveritë e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore shikoheshin me llupë nga SHBA dhe Bashkimi Sovjetik dhe se pa ‘lejen’ e superfuqive ishte e pamundshme ardhja në pushtet. Kjo mbikëqyrje rigoroze e dy superfuqive orientonte dinamikat zhvillimore në tërë Evropën. Edhe brendapërbrenda demokracisë parlamentare ka dallime varësisht nga zhvillimet politike, ekonomike e sociale nëpër të cilat kanë kaluar vende të ndryshme të Evropës. Përderisa Evropa Perëndimore në masë të madhe tashmë udhëhiqet nga demokracitë parlamentare përmbajtësore, Evropa Qendrore (me nuanca të vogla) dhe me theks të veçantë Evropa Juglindore ende nuk kanë mundur ta tejkalojnë demokracinë parlamentare procedurale. Si rezultat i kësaj forme të qeverisjes, qeverisjet e Evropës Qendrore dhe Evropës Juglindore, për dallim nga qeveritë e Evropës Perëndimore, shpesh janë të kontestuara, nuk kanë mbështetjen e gjerë popullore, më shumë bazohen në procedura sesa në legjitimitet qytetar, në përgjithësi janë të ‘mveshura’ me deficit të theksuar demokratik (zhvillimet në Ballkan, Poloni, Hungari, etj). Përvoja e vogël në demokraci parlamentare reflekton edhe në shpirtngushtësinë e qeverisjes së institucioneve të vendit, në kalkulime ditore e jo strategjike të spektrit politik për përfitime personale e grupore, jostabilitetin qeverisës të shteteve, nivelin e lartë të korrupsionit dhe ngecjen e reformave të gjithëmbarshme të vendeve. Me një fjalë, qytetari i Evropës Juglindore ende nuk e ndjen veten të përmbushur dhe të përfaqësuar në mënyrë të denjë nga spektri aktual politik. Si rezultat i besimit të ultë në institucionet shtetërore rajoni është duke u përballur me shkallë të lartë emigracioni, rënie të fuqisë blerëse, të hyra më të vogla dhe produktivitet të vogël ekonomik. Meqë spektri politik i Evropës Juglindore ende nuk po mund të dalë nga demokracia procedurale, atëherë demokratizimi i tij është parakusht për zhvillimin e demokracisë në të gjitha dimensionet e saj. Historiani i njohur grek Herodoti, e cilësoi demokracinë si “formë të qeverisjes në të cilën fuqia supreme e shtetit i është dhënë në duart e bashkësisë si tërësi”. Ndërkohë që definicionin më modern të demokracisë e ka dhënë ish-Presidenti i SHBA-së, Abraham Linkoln, sipas të cilit, “demokracia është qeveria e popullit, për popullin dhe nga populli”. Në qoftë se analizojmë vlerësime të ndryshme mbi shkallën e zhvillimit të demokracisë nëpër pjesë të ndryshme të Evropës, shohim që niveli i zhvillimit të demokracisë parlamentare në Evropën Juglindore është në fazat fillestare të saj. Duhet pasur parasysh që zhvillimet e ndryshme në glob pashmangshëm reflektojnë në dinamikat zhvillimore të demokracive në Evropë dhe më gjerë. Kriza globale financiare e vitit 2008 ka injektuar trende negative të zhvillimit demokratik nëpër vendet ish-komuniste të Evropës dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Sipas një raporti të Freedom House, “në vitin 2017 më shumë se gjysma e 29 vendeve të përmendura në raport (vendet ish-komuniste të Evropës dhe ish-Bashkimit Sovjetik) kanë pasur rënie në “Notat e Demokracisë”, sepse notat e 18 vendeve kanë shënuar rënie. Kjo është rënia e dytë më e madhe në historinë e këtij sondazhi, aq e madhe sa rënia e ndjekur nga kriza financiare globale e vitit 2008”. Si rezultat i këtij trendi negativ ka rritje të regjimeve autoritare, apo siç thuhet në këtë raport, “për herë të parë që nga viti 1995, ka më shumë regjime të Konsoliduara Autoritare sesa Demokraci të Konsoliduara”. Janë shumë faktorë deficitarë që e pengojnë zhvillimin e demokracisë parlamentare. Adresimi adekuat i tyre nga shoqëritë në tranzicion do të ndikonte drejtpërdrejt në zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë parlamentare ashtu sikundër që do t’u jepte legjitimitet qytetar të gjitha zhvillimeve mbarëshoqërore nëpër këto vende. Zhvillimi i demokracisë parlamentare pa rritjen e cilësisë së kontrollit parlamentar të punës së qeverisë është i paparamendueshëm. Sistemet deficitare ende nuk mundësojnë përfaqësim cilësor dhe përmbajtësor në punën parlamentare. Si rezultat i kësaj gjendje shumë zhvillime nuk marrin legjitimitetin e nevojshëm dhe kjo reflekton në besimin e ultë të qytetarëve në mekanizma shtetërorë. Indikatori më i qartë është shkalla e ultë e daljes në votime. Sikur përfaqësimi në parlament ta kishte cilësinë dhe përmbajtjen e nevojshme, atëherë sigurisht që proceset zhvillimore do të kishin legjitimitet të plotë, aspekt ky i cili do të shpërblehej edhe nga Bashkimi Evropian në rrugën e këtyre shteteve drejt Integrimit Evropian. Mungesa e politikave publike përmbajtësore dhe instrumenteve adekuate për implementimin e tyre, si dhe mospërfshirja e mjaftueshme e parlamenteve në politikëbërje, janë tregues tjerë të zhvillimit të ultë të demokracisë parlamentare. Partitë politike duhet të investojnë shumë më tepër në hartimin e politikave publike dhe identifikimin e instrumenteve të nevojshme për vënien në jetë të këtyre politikave për të mirën e përgjithshme të shoqërisë, e jo për përfitime individuale. Definimi ad-hoc i politikave publike duke marrë për bazë interesin individual para atij të përgjithshëm sigurisht që do ta rrisë edhe më tej shkallën e pakënaqësisë qytetare si rezultat i shpërndarjes joadekuate të resurseve shtetërore. Jo rastësisht në demokracitë e konsoliduara investohet shumë në resurse njerëzore që kanë kapacitetet e nevojshme për hartimin dhe implementimin e politikave publike. Një komponentë e rëndësishme e zhvillimit të demokracisë parlamentare është edhe edukimi politik i opinionit publik. Institucionet shtetërore, përpos punës mandatare, do të duhej që përmes bashkëpunimit transparent me media dhe shoqëri civile ta edukonin publikun e gjerë. Mbarëvajtja e punës së institucioneve të një shteti sigurisht që jep një mesazh edukues te opinioni i gjerë. Sa më transparente dhe produktive të jenë institucionet aq më i lartë është besimi në institucione dhe aq më i përmbushur me frymën e shëndoshë shtetërore ndihet qytetari. Nuk duhet harruar që partitë politike duhet të jenë ato që mbjellin frymë edukuese, sepse janë ato që përfaqësojnë institucionet vendore dhe që u japin formë zhvillimeve mbarëshoqërore. Partitë politike duhet të jenë sa më afër qytetarit; ato duhet të përfshijnë qytetarët në hartimin e politikave të tyre publike dhe e tëra kjo duhet të reflektojë në media për të dhënë mesazhin e duhur para qytetarëve. Pra, spektri politik duhet të jetë në ballë të zhvillimit dhe promovimit e debatit publik sepse vetëm duke qenë i tillë arrin të bindë dhe pse jo t’i edukojë masat e gjera popullore për platforma të ndryshme politike. Nuk duhet harruar që stabiliteti politik i një vendi varet pashmangshmërisht nga mënyra se si rezonojnë dhe veprojnë partitë politike. Shpeshherë na rastis të shohim situata politike jostabile si rezultat i shpirtngushtësisë së spektrit politik. Zhvillime të tilla polarizojnë shoqërinë, rrisin shkallën e elementeve të dhunës, ulin produktivitetin ekonomik të vendit si dhe kontribuojnë në largimin e masave të gjera popullore drejt një mjedisi më të mirë për jetë. Si rezultat i polarizimeve politike të shoqërive të Evropës Juglindore, ky rajon është duke u përballur me shkallë të lartë emigracioni, sidomos të rinisë, si shtresa më vitale e një populli. Pa një qasje programatike dhe zhvillimore nga spektri politik i këtij rajoni të shoqëruar me opozitë konstruktive, polarizimi i shoqërisë është i pashmangshëm. Është e paimagjinueshme ardhja në pushtet e një partie politike pa udhëheqje, sepse vetëm udhëheqësit sjellin popullaritet dhe njohje nga publiku. Pa këto dy elemente ekzistenca e një partie politike është e pamundshme ashtu sikundër që është pamundshme ardhja në pushtet. Prandaj, spektri politik duhet të promovojë udhëheqës meritorë, të sinqertë, me integritet të lartë, veprues, që janë në gjendje të ndërtojnë platforma elektorale në përputhje me nevojat e elektoratit. Përvoja në këtë pjesë të Evropës Juglindore ka dëshmuar që udhëheqësit jo gjithmonë i plotësojnë kushtet e nevojshme për të qenë udhëheqës dhe kjo reflekton në rënien e shpejtë të përkrahjes popullore dhe ngecjen e reformave. Promovimi i udhëheqësve politikë është sikur kur fut ujë të oksigjenuar në akuarium dhe nxjerr ujë të deoksigjenuar për t’i mbajtur gjallë peshqit. Kështu duhet të veprojnë partitë politike duke futur energji të reja dhe duke i hapur rrugë emisionit të energjive të konsumuara. Gjithsesi që baza e promovimit të udhëheqësve politikë duhet të jetë konkurrenca e shëndoshë promovuese. Duke qenë kështu secili udhëheqës politik e ka rrugën e hapur për ta siguruar mbështetjen e nevojshme qytetare në hapat e ardhshëm politikë të tij apo të saj. Demokracia parlamentare duhet të jetë fundamenti që përfaqëson zhvillimin e mëtejmë të spektrit të gjerë socio-ekonomik dhe interesave politike të shtrira brenda shoqërisë, si dhe duhet të veprojë si qendra e debatit dhe orientimit publik duke përfshirë drejtpërdrejt qytetarët në politikëbërje. Vetëm në këtë mënyrë politika do të shihej e ndjehej si e përmbushur me përmbajtje programatike dhe zhvillimore për qytetarët e secilit vend. Demokracia parlamentare në Evropë do të konsiderohet e përmbushur vetëm atëherë kur spektri politik gjithandej do të ndihet i përgjegjshëm moralisht dhe politikisht para një qytetarie proaktive dhe llogarikërkuese për secilin hap zhvillimor të secilit vend. Vetëm kështu Evropa do të konsiderohet e integruar dhe e unifikuar. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.