21:05, 29 Janar 2018 Autor: Baton Haxhiu

 

 

Zhvendosja nga Politika në Organizatë dhe Rikthimi nga Organizata në Politikë

Gjatë intervistës në “Jeta në Kosovë”, Albin Kurti deklaroi se tashmë ka vërejtur se si Lëvizje kanë dhjetëra mijëra faqe të shkruara për konceptin e tyre politik, por nuk kanë as dhjetëra faqe për format dhe praktikat e organizimit të brendshëm.

Përgjatë gjithë shpalosjes të vizionit në cilësinë e kandidatit për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, diskursi i Kurtit më tepër ka qenë i koncentruar në çështje të ristrukturimit organizativ sesa të reformimit ideopolitik.

Edhe në emision nënvizoi sfidën e tij si kryetar për ta reformuar organizativisht Lëvizjen Vetëvendosje. Rikthimi i Kurtit në krye të partisë shfaqet i motivuar më tepër nga dimensioni organizativ sesa politik, megjithatë ky diskurs nuk tregon thjesht një vëmendje të shtuar për çështje teknike dhe organizative. Ai përmban në vetvete doza serioze të një arrogance politike që vjen nga vetëprojektimi i supermacisë së diskursit të tij politik.

Gjatë fushatës së tij si kandidat për kryeministër, me mburrje tregonte si plani i tij “40 pikësh” është zgjidhja politike për Kosovën. Pa dashur të bëj një analizim të tërësishëm të këtij programi, shumica është e përbërë nga fjali pompoze pa asnjë elaborim përkatës metodik. Për shembull, 2. Themelimi i “FAK” (pa shpjeguar formën se si ndodh kjo në rrethanat e dhëna); 4. Ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike nga kapitali publik (pa thënë asnjë fjalë si, sa dhe me çfarë shpenzimesh të afërsishme do të ndodh kjo); 10. Krijimi i planit për furnizim me ujë të pijshëm në qytete dhe trajtimin e ujërave të zeza (në një program serioz, plani duhej të ishte i shpalosur ); 11. Reformimi progresiv i tatimit në të hyra dhe reformimi i tatimit për korporatat (pa asnjë elaborim mbi llogaritë e qarta financiare); 15. Rimëkëmbja e shkollave të Republikës së Kosovës (pa një identifikim paraprak të defekteve infrastrukturore ose planeve edukative dhe pa asnjë sqarim çka nënkupton kjo rimëkëmbje); 27. Trajtim i dinjitetshëm i veteranëve të UÇK (pa dhënë asnjë shpjegim çfarë masash nënkupton saktësisht një ndërmarrje e tillë); 36. Nisja e zbatimit të Planit 13 pikësh për bashkimin e Mitrovicës (agjendë e pasqaruar me seriozitet), etj.

Serioziteti i planeve politike të Kurtit më shumë është një vetëprojeksion i tij i imponuar në publik nga artileria e tij ideologjike dhe mediale, sesa një fakt konkret dhe i dhënë.

Qëndrueshmëria e politikës të Kurtit është e konfirmuar nga ai, por assesi e mbështetur në një alternativë bindëse dhe argumentuese. Ky është një indikator si prapa paraqitjeve të tija si figurë modeste dhe vetëkritike ekziston një arrogancë politike, kurse prapa retorikave të tija intelektuale qëndron një stagnim serioz programatik.

Megjithatë, këtu duhet të fokusohem vetëm në përmbajtjet politike të shpalosura në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Konfuzioni i tij intelektual dhe politik është i dukshëm për çdo shikues me vëmendje.

Në aspekt kulturor dhe historik, Kurti shpërfaq një qëndrim demagogjik dhe inkonsistent.

Lidhur me pranimin e tij të koalicionit me partinë Fjala të Gëzim Kelmendit,
ai thotë se kjo ka qenë në kuadër të planeve të tij për një koalicion me AKR-në. Sidoqoftë,
për t’i shpëtuar akuzave për joparimësi të plotë për një koalicion të mundshëm me Kelmendin, ai shpërfaq edhe një joparimësi edhe më të thellë për koalicionin e dëshiruar me Pacollin. Merreni me mend, kritikuesi i “mikroborgjezisë” dhe i “politikave djathtiste” i tregoi planet për një koalicion me AKR-në e multimilionerëve dhe politikave djathtiste e liberale të tregut (për mua nuk ka asgjë të keqe këtu). Kësisoj, solidariteti socialdemokrat dhe sentimenti antiborgjez i Lëvizjes Vetëvendosje është i pajtueshëm me politikat privatizuese dhe neoliberale të AKR-së.

Ai thotë se bashkëpunimi i mundshëm nuk do të ishte domosdoshmërisht vleror, por edhe strategjik. Sipas Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka bashkëpunuar edhe me njerëz kundër bashkimit kombëtar, ashtu sikurse potencialisht ka mundur të bashkëpunojë me kritikuesin e Skënderbeut, Gëzim Kelmendin. Në këtë pikë, potenca kritike e Kurtit shfaqet sipërfaqësore.

Një gamë e gjerë njerëzisht në Shqipëri dhe Kosovë sot nuk mbështesin politikat e bashkimit kombëtar për shkaqe krejtësisht politike dhe administrative (Shqipëria në mes të këtij viti do të mund t’i hapë negociatat me BE), por assesi kulturore dhe historike. Kelmendi, ndërkaq, vazhdimisht është shfaqur si mbështetës i mendësisë otomane historike dhe politikave konservatore në Kosovë. Është gabim i  madh ideopolitik barazimi i kritikave të Kelmendit ndaj Skënderbeut ndaj kritikuesve të Kurtit për çështjen e bashkimit kombëtar.

Ironikisht, Kurti që në emision pohoi se ai nuk mund të merret me njerëz që e vendosin ku të duan shenjën e barazimit, vetë ka probleme në aplikimin adekuat të kësaj shenje. Kjo bëhet edhe më problematike kur merret parasysh fakti se Kurti në fjalimin e paraqitjes së kandidaturës për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se do ta aktualizon frymën e rilindësve shqiptarë veçanërisht nga mesi i shekullit 19 e tutje. Majtizmi progresiv vleror i Kurtit duket i kapërthyeshëm në rrjetën e konservativizmit kulturor të Kelmendit. Kjo nuk tregon thjesht se Kurti është i gatshëm për kalkulime strategjike, por sa të negociueshme realisht janë bindjet e tij vlerore. Gjithsesi, kjo është e vërejtshme edhe tek fakti kur thotë se vetëm qeverisë së Isa Mustafës i kanë ikur më shumë njerëz se Ramiz Alisë, ndërkohë që qëllimi i tij ka qenë bashkëpunimi me Mustafën. Kjo flet për qëndrueshmërinë e parimeve të tija politike.

Ai thotë se është kundër Gjykatës Speciale, por shfuqizimi i saj i mundshëm duhet të kushtëzohet me zhbërje të Demarkacionit dhe Asociacionit. Në fokus të protestave të tij me akterë tjerë opozitarë, megjithatë theksi publik ka rënë vetëm tek dy temat e fundit dhe jo tek moblizimi popullor për zhbërjen e të parës. Fakti se kushtëzimi i Kurtit është i vonë tregon diçka për qasjen e tij që nga fillimi. E vërtetë e padiskutueshme është se Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë qenë zëshëm kundër Gjykatës Speciale në Kuvend dhe publik. Ai sot vlerëson se iniciativa e Presidentit të Kosovës është e pasinqertë. Në çfarëdo rrethane, nëse ai vlerëson më tepër strategji dhe veprime objektive sesa vlera apo qëndrime subjektive siç implikon në intervistë, pse nuk shfaq konsistencë të plotë në ndërmarrje politike?

Qëndrimi im personal lidhur me këtë çështje është diçka krejt tjetër. Megjithatë, duke u bazuar në vetë premisat e pikëpamjeve të tij, kjo qasje tregon për një politikan përllogaritës më tepër sesa për një njeri sinqerisht të shqetësuar për vlerat e UÇK-së. Nga ana tjetër, forma e kushtëzimit të Kurtit për shfuqizim eventual të Gjykatës Speciale është e bazuar mbi efektin praktik të rrëzimit të kësaj qeverie dhe ardhjen e tij në pushtet. Në këtë skenar, prapa kauzave madhore politike dhe historike të Kurtit qëndron pandashmërisht skenari për pushtet institucional.
Në intervistë, Kurti po ashtu thotë se iniciativa e Presidentit është joserioze, e papërgatitur dhe ata nuk mund ta zhbëjnë me ligj atë që është themeluar me Kushtetutë. Kjo pjesë gjithsesi e ka peshën e vet. Por, a ju kujtohet Kurti duke thënë se nganjëherë për ta gjykuar një konstatim duhet parë edhe prej kujt po vjen konstatimi?

Vlerësimi për rendin konstitucional të Kosovës vjen prej njeriut që ka kërkuar publikisht shfuqizim të interpretimeve të dhëna nga Gjykata Kushtetuese. Ky interpretim vjen nga njeriu që publikisht ka kontestuar proceset e kushtetutëbërjes së Kosovës duke i cilësuar si jodemokratike dhe imponime të jashtme. Në këtë kuptim, brenga e tij konstitucionaliste duket më tepër mbulesë momentale sesa bindje politike. Është njeriu që deri më sot nuk ka njohur asnjë instancë të gjyqësorit të Kosovës kur nuk ka qenë në konvenim të tij. Unë do të doja që Kurti të shfaqte respekt më të madh për rendin kushtetues të Kosovës,  por  kjo duhet të vijë si rezultat i bindjeve të artikuluara politike dhe assesi i qëndrimeve momentale strategjike.
Në këtë mënyrë, masa e leximeve të proklamuara nga Kurti në emision është disproporcionale me atë të qëndrimeve autentike të mirëmenduara dhe konsistente.

Kurti insiston se kritika ndaj tij për të qenit paranojak është e pabazë. Sidoqoftë, prapa buzëqeshjeve të tij të relaksuara në emision, një element paranoje shfaqet vazhdimisht në të folurën e tij. Ai beson se shkapërderdhja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk është rrjedhojë e pakënaqësive të brendshme të shkaktuara nga vetë ai tek njerëzit me mendje të shëndoshë dhe personalitet të pavarur, por një shkaktim nga jashtë dhe i stimuluar nga njerëzit me ndikim nga Serbia në Kosovë.

Kjo pamundësi e të kuptuarit direkt të qëndrimeve të të dorëhequrve në Lëvizjen Vetëvendosje reflekton shumëçka nga karakteri paranojak.

Njeriu që në kohën e lirë të vitit 2018 ende përhap frikë nga Stanishiqi dhe ndërton politikë me aludime të fundviteve 1990, në pamundësi të adresimit konkret të sfidave të dhëna, gjithsesi se ndan shumë karakteristika me të kualifikuarit e tillë. Madje, vetë Kurti tashmë sheshazi ka përhapur një mentalitet si të Stanishiqit, duke zhbërë dallimin midis figurave ta angazhuara në politikë dhe agjentëve informativë. Pavarësisht se nga një kënd tjetër, disa tipare të asaj paradigmë të veprimit janë të njëjta.

Një prej figurave teorike prej të cilave frymëzohet Kurti tregon se nganjëherë opozita bëhet histerike duke kritikuar mbretin se është mbret. Kjo për faktin se nëse mbreti është përnjëmend mbret, atëherë opozita s’mund ta luajë rolin e lirë në denoncimin e gjerë të tij.

Opozita e kësisojtë kundër mbretit në vetvete shpërfaq një relacion demokratik me të.

Rasti i këtij autori më vjen ndërmend sa herë më kujtohet Kurti, që duke pasur hapësirë gati dyorëshe në emisionet debatuese Klan Kosova, por edhe në televizionet tjera,  kritikonte se është medialisht i kufizuar nga pushteti.

Problemi me këtë njeri është se ai jeton nëpërmjet përhapjes së panikut politik, paranojave sociale dhe proklamimeve të gjendjeve të jashtëzakonshme edhe atëherë kur nuk ekziston mbështetje për to.

Kurti mishëron prototipin e figurës revolucionare midis Kosovës së lirë që legjitimon politika të tij në rrëfime tashmë të kaluara historike prej revolucionarëve të njëmendtë pararendës.

Ai rregullisht thotë se Lëvizja Vetëvendosje është një subjekt i gatshëm për qeverisje të Kosovës. Kriza e fundit organizative e saj tregon për kapacitetin e saj për të menaxhuar institucione dhe praktikave të përdorura në funksion të menaxhimit të tyre.

Mungesa thelbësore e vizionit politik të Kurtit është e dukshme tash e dy dekada: pa dhënë asnjë alternativë në vitet e pasluftës, ai ka përhapur akuza kombëtare dhe dilema politike që derivojnë nga marrëveshja e Rambujesë, së paku nga viti 2005 e më tutje.

Ai ka dhënë një refuzim duke mos ofruar asnjë alternativë politike, diplomatike apo ushtarake në situatat e dhëna. Mbi këtë bazë, Kurti ka organizuar protesta dhe demonstrata duke mbajtur fjalime se procesi i bisedimeve në Vjenë do sjell luftë dhe se as pavarësia formale nuk do të vjen asnjëherë. Sipas tij, zgjidhja ishte revolucioni popullor kundër UNMIK-ut për ta bindur Rusinë që në Këshill të Sigurimit ta ndryshojë rezolutën 1244. Ky shembull është evident në shpjegimin e fuqisë së tij për vlerësim të rrethanave.

Asnjëherë, përveç kritikave të vazhdueshme, ai nuk ka ofruar një shembull se qysh mund ta fitonte Kosova pavarësinë e njohur ndërkombëtarisht në një proces tjetër. Minimizimi i rëndësisë së njohjes ndërkombëtare ka qenë praktikisht komplementar me strategjinë e një shteti që vetë ai e quan armik.

Në nëntor 2007, Kurti thotë se jo vetëm që në Kosovë nuk do të vjen pavarësia, por po përgatitet terreni për autonominë e Serbisë në Kosovën autonome brenda Serbisë. Pas Pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008,
Kurti vijon duke thënë se kjo është shpallje dhe nuk është bërje e pavarësisë, ngaqë nuk ka pavarësi me rezolutë 1244 në fuqi.

Është ky njeri që në konferencën e tij të parë për media të mbajtur në Lëvizjen Vetëvendosje pas pavarësisë, ka deklaruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës është “një hap përpara, tre hapa mbrapa”. Për këtë vlerësim, besoj, duhet të mbajë përgjegjësi historike më tepër se takimi i kujtdo me këdoqoftë.

Pas kësaj disfate politike dhe historike, Albin Kurti zbulon teorinë e Bashkimit Kombëtar dhe vë theksin tek mobilizimi social dhe lufta antikorrupsion.

Këto dy të fundit kanë qenë prej faktorëve kryesorë që kanë kontribuuar në rikuperimin e tij. Sidoqoftë, pak kohë nga pavarësia e tutje, Kurti shndërrohet në subjekt elektoral pas njëmijë zotimeve publike se nuk do ta bënte asnjëherë.

Ai është akomoduar si një ndërmarrje e zakontë elektorale dhe parlamentare pa adresuar asnjëherë përgjegjshëm dhe racionalisht evoluimin e tij në dritën e akuzave morale që i ka bërë dhe koncepteve politike që ka shpalosur ndër vite.

Kurti mund të akuzojë këdo për ndikim të Serbisë në Kosovë, por duhet të reflektojë nëse prej qëndrimeve të tij nganjëherë fiton më tepër e para sesa e dyta. Albin Kurti është prej politikanëve që pikërisht në kohën kur fundi i pavarësisë të mbikëqyrur nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar ishte afër, ai luajti rolin e sabotatorit praktik të planeve ndërkombëtare në terren (vendorëve dhe ICO e EULEX) me riskun për shtyrje të afateve ndërkombëtare për mbikëqyrje.

Vazhdimisht thoshte se në politikë është me rëndësi se “në mulli të kujt çojnë ujë veprimet tuaja”. Në këtë premisë, ai duhet të mendojë përse votimi i tij kundër MSA-së midis Kuvendit të Kosovës sikurse Lista Serbe. Pavarësisht defekteve të pjesëshme të MSA-së që reflektojnë rrethanat e veçanta të Kosovës në shtetbërje, ai ka marrë qëndrim ta bllokojë raportin e parë formal midis Evropës dhe Kosovës.

Veprimi në fjalë iu konvenon ekskluzivisht kolegëve të Stanishiqit dhe assesi forcave proevropiane në Kosovë.

Ai përfaqëson njeriun që me retorikë nacionaliste ka bërë të njëjtën fushatë të bojkotimit të simboleve të Kosovës që etablojnë veçantinë e saj reprezentative në terren ndërkombëtar njëjtë si kundërshtari kryesor i saj. Ndaj është mirë që Kurti të mendojë më detajisht për format e mundshme të ndikimit të Serbisë në Kosovë para se të thurë konspiracione mediale për përfitime politike.

Kurti tha në rast se kthehet në skenar ndonjë iniciativë për ta bosnjëzuar Kosovën, “unë jam ai që më njihni”. Përfytyrimi i Kurtit për veten e tij këtu është gjithsesi i parëndësishëm. Por, cili është Kurti që ne njohim?

Është Kurti që tërheq vërejtjen për të rinjtë se më shumë kanë dëshirë ta shfaqin dijen sesa ta rrisin atë, përderisa në moshë të tyre ai mbante emisionin “Me Albinin” në RTK, ku pothuajse si Shefqet Krasniqi jepte përgjigje të gjithfarshme prej temave globale gjeostrategjike deri tek problemet me energji në Kosovën e pasluftës.

Është Kurti që ka vazhduar si aktivist nëpër protesta me KAN për ta shndërruar atë në një iniciativë politike si Lëvizja Vetëvendosje. Kjo e fundit e mbante atë si lider, demokratikisht të pazgjedhur, duke mohuar se aty ekziston ndonjë strukturë hierarkike udhëheqëse ngaqë të gjithë janë të barabartë. Si në skenat oruelliane, të gjithë ishin të barabartë por Kurti ishte pak më i barabartë se të tjerët. Është Kurti që është zotuar se nuk do të bëhet asnjëherë subjekt politik që merr pjesë në zgjedhje lokale dhe parlamentare pa referendum paraprak, por sot është subjekt politik që avokon për referendum. Është Kurti që ka kërkuar dialog me kushte paraprake dhe shumicën prej tyre i ka shndërruar në tema të dialogut në mundësinë e parë serioze për t’u bërë pjesë e tij. Është Kurti që nga refuzimi kategorik i dialogut me Serbinë, sot kërkon rivlerësim parlamentar të tij. Është Kurti që flet për angazhim të gjeneratave të reja në shoqëri dhe në të njëjtën kohë ka zgjedhur të mbajë afër vetëm fosilët historikë të LPK-së dhe imponon largime të pjesës më punëtore dhe premtuese të subjektit të tij. Është Kurti që ka folur për vëllazëri të brendshme politike, por për qëndrimet e tij irracionale dhe ambiciet për t’u bërë kryetar i sërishëm ka mbaruar në një subjekt të përçarë me shumë skandale të shpalosura. Është Kurti që në këtë emision shfaqet si një avokues i çështjeve të barazisë gjinore brenda Lëvizjes Vetëvendosje, por ka recituar poezi në fushatë pa asnjë grua kandidate të propozuar për kryetare të komunave. Është Kurti që në emision thotë se nuk mund të ketë njerëz të mashtruar kur duhet të mbrohet nga kritika e të qenit i pasinqertë në raport me elektoratin, ndërkohë që shkruan se Aida Dërguti është mashtruar kur duhet mbrojë veten nga sjellja destruktive në parti. Është, pra, Kurti që zhvillon ligjërime retorike dhe moralizim të vazhdueshëm në publik duke mos e mbështetur asnjërën në qenien e vet.

Ai mund të vazhdojë me akuza ndaj të gjithëve, por assesi nuk mund të presë më në mirëkuptim të zërave demokratikë në këtë vend.

 

 

(Fund) 

 

 

 

Lajme të tjera