23:28, 28 Maj 2017 Autor: Bosko Jaksic

Portali KoSSev nis një rubrikë të re në kuadër të faqes Dialog, e cila përbëhet edhe nga rubrikat “Nga ana tjetër e barrikadës” dhe “Bisedë pa shkas”.

Në rubrikën “Në lidhje të drejtpërdrejtë”, kolumnet e tyre javore në muajt në vijim do t’i publikojnë analisti nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi, dhe analisti i politikës së jashtme, gazetari nga Beogradi Boshko Jakshiq (Boško Jakšić). Kolumnet e tyre do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës.

Versioni në serbisht i kësaj kolumne mund të lexohet KETU.

Kolumna 3 nga Boshko Jakshiq “Uniforma dhe buka me rriska” ne shqip dhe serbisht.

Kolumna 2 nga Shkelzen Maliqi “Dialogu nuk ka alternative” ne shqip dhe serbisht

Kolumna 2 nga Boshko Jakshiq “Në rrugën prej A në B, Thaçi e humbi ushtrinë” në shqip dhe serbisht

Kolumna 1 nga Shkëlzen Maliqi “Çrregullimi i Ri Botëror”, në shqip dhe serbisht.

Kolumna 1 nga Boshko Jakshiq “Pse e kaluara nuk mund të bëhet histori” në shqip dhe serbisht.

Këtë rubrikë e ka mbështetur KFOS-i. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet dhe qëndrimet e autorëve dhe nuk përfaqësojnë doemos qëndrimet e donatorit.

 

= = = = = = = =

 

Bosko Jaksic: Lista e Shindlerit

 

Jo për hir të korrektësisë politike dhe dialogut të civilizuar, por sinqerisht i jam falënderues Shkëlzen Maliqit për plotësimin e konkluzionit tim me “Nuk ka stabilitet pa demokraci” me fjalët që: “Nuk ka as demokraci pa stabilitet”.

Plotësisht e saktë. Ligji i pastër u kauzalitetit të pastër. Demokracia dhe stabiliteti e kushtëzojnë njëra tjetrën. Por.

Po të kishin liderët e regjionit stabilitetin në rend të parë, si djep i dëshiruar i demokracisë, nuk do të silleshin ashtu si sillen. Nuk do ta shfrytëzonin secilin rast – të vërtetë, fiktiv ose të konstruktuar – që të tregojnë nacionalizmin e tyre si mburojë ndaj vërshimit nga nacionalizmi i huaj, për të thelluar stereotipat të cilët lirisht e pa pasaporta enden nëpër Ballkanin Perëndimor, për të “akuzuar” ata të tjerët se po e rrënojnë stabilitetin dhe këtë menjëherë t’ia raportojnë Bashkimit Evropian.

Po të kishin liderët e shumtë të regjionit demokracinë, si djep i stabilitetit, në rend të parë, nuk do të bënin nga partitë e tyre one man show duke e ngulfatur dialogun e brendshëm, pasi të kenë marrë pushtetin nuk do të përdornin matricën e njëjtë duke e vështruar opozitën si një ikebanë të domosdoshme por të padëshiruar, nuk do të pengonin zhvillimin e institucioneve dhe krijimin e shtetit të së drejtës, nuk do të toleronin korrupsionin nga i cili vetëm ata kanë dobi, nuk do të bënin presion ndaj medieve.

Kur e mendoj më mirë, këtu nuk ka as stabilitet e as demokraci. Deficiti, fatkeqësisht, nuk po zvogëlohet, por po zmadhohet.

Në gjithë këtë ekziston edhe një dimension – i jashtmi. Prioritetet e Bashkimit Evropian janë te stabiliteti. Deri diku e kuptueshme pasi në memorien kolektive të Brukselit ka mbetur e shënuar sa i kanë kushtuar luftërat dhe kaosi në këto territore në të 1990-at.

BE është orvatur që të motivoj shtetet e Ballkanit Perëndimor me anëtarësim, me shpresë se kjo do të transformonte shtetet e këqija autoritare në bashkësi politike e të rregulluara demokratike ku do të respektoheshin të gjitha drejtat e njeriut, e me këtë edhe të drejtat e pakicave. U tregua se pakicat nuk duan të sakrifikojnë luftën për të drejtat e tyre për përfitime ekonomike. Tensionet kanë filluar të paraqitën përsëri.

Burokratët evropian të paguar mirë ishin të gatshëm të shtyjnë ndërtimin e demokracisë në plan të dytë për aq sa ka të tillë në shtëpi të cilët kryejnë detyra shtëpie “stabilizuese” dhe në Bruksel me ngulm përsërisin se janë për pajtim dhe normalizim të marrëdhënieve në territorin e “fuqisë me barut”.

BE-ja kështu me vite toleron pushtetmbajtësit e ngarkuar me vizionin e tyre si Mesi dhe me ambicie narcisoide patriotike pas të cilave sipas rregullit fshihen “heronj” arrogant, lakmues dhe gjysmë-analfabet.

Pasi iu kanë duartrokitur dhe rrahur shpinën, kishin toleruar shpërthimet e kohë-pas-kohshme të nacionalizmit “për shfrytëzim vendor” dhe në mënyrë liturgjikë përsërisnin mantrën që dyert e Evropës janë ta hapura, në Bruksel tani mund të konstatojnë se mungesa e demokracisë, sipas ligjeve të pathyeshme të shoqërisë dhe natyrës, është transformuar në mungesë të stabilitetit. Vërsuljet e nacionalizmit, instrumentit më të favorizuar të politikanëve që nuk mund të ofrojnë asgjë më të prekshme, kërcënojnë me destabilizim të regjionit në të cilin BE ka investuar shumë, shpesh gabimisht.

Në seli të BE-së po ndërrohen apelet për përmbajtje dhe zgjidhje të problemeve me vullnet të mirë, Ballkanin Perëndimor po e vizitojnë emisarë të ndryshëm duke u munduar të përcaktojnë sa është i thellë tensioni dhe sa po e shfrytëzon këtë situatë Rusia për të zgjeruar dhe fuqizuar sferën e saj të ndikimit dhe për t’i rikujtuar shtetet konstant aspirante për anëtarësim në BE se ekziston një alternativë në lindje.

Pajtohem me Maliqin kur thotë se: “lavjerrësi i procesit kthehet në një kurs më normal”, por kjo ende nuk nënkupton që nuk mund të del nga baraspesha.

Apelet zjarrfikëse nuk nënkuptojnë se Evropa, përveç premtimeve retorike, ka strategji koherente për të ardhmen e regjionit.

Çka planifikon BE-ja me Bosnje dhe Hercegovinën e cila është një fiasko e vërtetë e konceptit të multikulturalizmit dhe multietnicitetit? Në Maqedoni kriza po qetësohet në atë mënyrë siç konsiderohet e përshtatshme në Perëndim, por tensionet e vendit të ndarë nuk janë mënjanuar. Zyrtarët nga Brukseli përsërisin se është e domosdoshme të riaktivizohet dialogu i Brukselit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës sa më shpejtë. Negociatorët në Beograd dhe Prishtinë si në korr dakordohen, përderisa kohën e ndërmjetme e shfrytëzojnë për t’u kapur me çdo temë të mundshme: nga “treni manastir” provokues serb, mbi refuzimin e gjykatës në Francë të ja dorëzoj Serbisë Ramush Haradinajn deri te përmendja e Shqipërisë së Madhe.

I lodhur me tensionet nacionaliste që kanë rrjetëzuar regjionin, Perëndimi duket se po ofron zgjidhje të reja me kujdes: rikrijimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor që do të shënonte përfundimin e kufijve të Titos, të krijuara në ish Jugosllavi.

Teza themelore bazohet mbi atë se mjediset multietnike dhe multikulturore të krijuara pas lufte paraqesin dështim dhe se garanti i vetëm i stabilitetit është që popujt e regjionit të jetojnë në shtete etnikisht të pastra. Rezoni është se ndarja në vend të bashkëjetesës me dhunë eliminon rrezikun e përsëritjes së konfliktit.

Duke llogaritur që popujt e Ballkanit janë lodhur nga luftërat, një profesor me renome nga Kolegji i Luftës në Amerikë dhe ish analist i Agjencisë Nacionale të Sigurisë, Gjon Shindler, në një tekst të cilin e kam lexuar para pak kohësh, propozon që rikomponimi territorial i regjionit të bëhet në një Kongres të ri të Berlinit, me pjesëmarrjen e të gjitha shteteve të interesuara të Ballkanit, fuqive perëndimore por edhe të Rusisë e cila do të duhej të pranohej si partner.

Propozimi shkon në drejtim të krijimit të Serbisë së Madhe dhe Shqipërisë së Madhe, me ç’rast edhe Kroacia do të dilte përfituese me bashkimin e Herceg Bosnjës. Serbia do të fitonte Republikën Serbe dhe veriun e Kosovës, por do të duhej të hiqte dorë nga Lugina e Preshevës, e cila bashkë me Kosovën, do të hynte në Shqipërinë e Madhe, ashtu si edhe veriperëndimi i Maqedonisë.

Humbësit më të mëdhenj do të ishin Maqedonia dhe pjesa boshnjake e BeH-së, por ato do të kompensoheshin me futjen e tyre pa rend në BE dhe NATO, si dhe me një ndihmë të jashtëzakonshme financiare.

Nuk jam ithtar i teorive të konspiracionit, por po të mos ishin tekstet dhe hartat që publikoheshin ne pjesën e fundit të viteve 1980-ta, e që më vonë skenarët e tyre të shkatërrimit të Jugosllavisë u realizuan, nuk do t’i jepja një rëndësi më të madhe spekulimeve çdo herë e më të shpeshtuara politiko-hartografike.

Më lejoni të parashtroj një pyetje heretike: Mos të gjitha ato sulmet e ashpra dhe dënuese që drejtohen në adresën e Prishtinës dhe Tiranës nga Beogradi, mos ndoshta mohimi konstant i projektit të Shqipërisë së Madhe që vjen nga Prishtina dhe Tirana, mos janë të gjitha këto vetëm paralojë kamuflazhi të zgjidhjes për të cilën nuk flet vetëm Shindler por edhe numër në rritje i analistëve dhe strategëve në Perëndim?

Pse do të ishte Serbia kundër Shqipërisë së Madhe nëse bëhet Serbi e Madhe? Pse do të ishin Shqipëria dhe Kosova kundër shtetrregullimit serb në veriun Kosovës nëse nesër do të gjendeshin në një nga shtetet më të fuqishme në regjion- Shqipërinë e Madhe.

Citimi i mendimeve të Shindlerit nuk paraqet përhapje të panikut. Këtë detyrë e kanë politikanët. Por, duhet të jemi të informuar për çdo gjë për të cilën mendojnë individët serioz në vendet e fuqishme të cilat përcaktojnë fatin e Ballkanit Perëndimor.

Historia e re na mëson që të mos e nënçmojmë ose të mos shtiremi se nuk po vërejmë çfarë po ngjan rreth nesh. Që më vonë të mos ngelet dikush i befasuar ose i habitur. Më intereson se çfarë ka për të thënë i nderuari Shkëlzen Maliqi për këtë temë.

 

(Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj)

 

 

 

Lajme të tjera