19:42, 3 Prill 2017 Autor: Blendi Fevziu

Rama dhe Meta ja kanë arritur dje së paku një qëllimi jo pa rëndësi: kanë fokusuar vëmendjen mediatike dhe atë publike tek darka e tyre në Pazarin e Ri. Jo vetëm e kanë fokusuar, por i kanë dhënë më shumë rëndësi vendit ku janë ulur, verës që kanë pirë, batutave që kanë bërë dhe zërit të lartë apo të ulët, thuajse po flitet për dy personazhe të shoubizit dhe jo dy liderë të mazhorancës që duhet t’i japin përgjigje një sërë pyetjesh cfilitëse për këtë vend.

Dhe ja kanë arritur jo vetëm kësaj, por e kanë përqëndruar vëmendjen tek e vetmja pyetje që s’ka më asnjë surprizë: a do dalin PS dhe LSI së bashku në zgjedhje apo veç e veç. Pa thënë asgjë për disa tema shumë herë më shqetësuese:

– Ç’do të bëhet me krizën e krijuar nga protesta e opozitës?

– Si do veprohet në rast se opozita i shkel afatet ligjore, gjë që me sa duket po ndodh? A do ketë një negocim për ta shmangur këtë?

– A do shkojë mazhoranca në zgjedhje pa opozitën dhe si do mbahen ato?

– A ka dallimet mes PS dhe LSI për zgjedhjet pa opozitën dhe ku qëndrojnë ato?

– A do nisë procedura për zgjedhjen e presidentit të ri dhe çfarë profili do ketë ai?

Asnjë prej pyetjeve nuk ka marrë ende një përgjigje të saktë, por vetëm qëndrime të palëve, që në shumicën e rasteve nuk rakordojnë mes tyre.

Çështja e koalicionit parazgjedhor PS – LSI duket më pak e rëndësishmja. Të dyja palët këmbëngulin që në darkë nuk është folur për këtë gjë dhe mund të thonë të vërtetën. Por çdo informacion dhe analizë të çon në faktin që ato do dalin bashkë dhe këtu s’ka asnjë surprizë. Dalja më vetë e LSI mund të ishte një bonus për demokracinë dhe stabilitetin politik në vend, por ka një rrezik brenda për vetë LSI. Mund ta reduktojë atë në numra. Po kështu, edhe PS mund të donte të dilte e vetme në zgjedhje, por edhe ajo ndjen rrezikun që mund të mos arrijë objektivin e saj me LSI jashtë. Pra interesi i të dyjave është të jenë bashkë ndërsa ai i vendit të jenë veç e veç. Nuk ka asnjë dyshim që të dyja do të zgjedhin të parën. Do shmangin rrezikun duke ruajtur garancinë e të qenit bashkë.

Testi kryesor i LSI do të jetë qëndrimi që do të mbajë ndaj zgjedhjeve? Do jetë ajo e gatshme të ndjekë vendimin e Ramës për të hyrë në zgjedhje pa PD apo do ruajë qëndrimin e saj që në këtë vend demokracia ka ardhur që në vitin 1990, siç u shpreh Meta. LSI i duhet këtu të mbajë qëndrim dhe kjo nuk do të jetë e lehtë.

Nëse PD i qëndron idesë së saj për të mos marrë pjesë në zgjedhje ajo ka edhe një plan të dytë për të mos lejuar zhvillimin e tyre. Nëse PD i rreziston presionit fillestar ndërkombëtar, zhvillimi i zgjedhjeve me afro 30 përqind të popullatës së përjashtuar dhe me afro 40 % që nuk voton do ta çonte vendin në katastrofë. 140 deputetët, ose 100 % e parlamentit, do të përfaqësonte vullnetin e vetëm 30 % të zgjedhësve dhe kjo ska ndodhur askund. Opozita e emëruar në këtë rast do ta bënte situatën edhe me qesharake, por edhe do ta rëndonte më shumë emocionalisht. Pa llogaritur trazirat sociale që mund të vijnë nga një vendim i opozitës për të bllokuar me qytetarë 30 apo 50 % të qendrave të votimit. Që për vendin do kishte kosto shumë të lartë.

Së dyti, edhe nëse zgjedhjet do të mbahen, PS do fitonte kaq shumë mandate sa LSI edhe pse në koalicion do ishte e panevojshme. Një apendiks qeverisës, votat e së cilës nuk do t’i vlenin askujt. Nëse elektorati i majtë do votonte si në 2013, në mungesë të PD, LSI mund të marrë edhe 30 deputetë, por këta nuk do t’i vlejnë për asgjë sepse Rama mund të marrë 100. Në këtë rast zhvleftësimi i LSI do të jetë impresionues dhe PS nuk do t’ja falë më qëndrimet e dyanshme dhe kritikat që edhe kaq e kanë cfilitur koalicionin. Nëse sot e toleron për hir të votave, nesër mund t’i japë duart e ta nisë në opozitë, duke i dhënë kështu edhe një përforcim në shifra opozitës në mungesë të PD.

Ndaj qëndrimi i LSI, më shumë se sa për koalicionin me PS, vlen për qëndrimin që ajo do mbajë ndaj zgjedhjeve, në rast se PD i bojkoton ato dhe PS vendos të shkojë më tej edhe pa opozitën. Ai është momenti real i LSI, kur kjo e fundit do të duhet të mbajë një qëndrim të vështirë!

Blendi Fevziu

Lajme të tjera