16:14, 17 Qershor 2018 Autor: Andi Bushati

E gjithë propaganda e pushtetit është angazhuar ditët e fundit për ta paraqitur çështjen e Teatrit Kombëtar si një dasi mes artistëve.

Që pas tubimit të shtirë që zhvilloi kryebashkiaku Veliaj, mediat e pushtetit, ato që po përgatiten të rëmbejnë me miliona euro nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë, u munduan të vënë si kryelajme të tyre faktin se komuniteti i aktorëve ishte i ndarë, disa për ruajtjen e godinës së vjetër dhe disa për ngritjen e një teatri të ri.

Të tjerë shkuan edhe më tej duke vënë në pah ndonjë lapsus banal në gjuhën e atyre që janë formuar për të interpretuar më shumë sesa për të menduar. Kështu u tentua të jepet një tablo e rreme sikur Reshat Arbana ishte kundër Luftëtar Pajos, sikur Robert Ndrenika ishte kundër Zamira Kitës apo sikur Alfred Trebicka ishte kundër Ervin Culit.

Në këtë histori, ku nuk do të qe e vështirë të dalloje konfliktin e atyre që thonë mendimin e tyre dhe të tjerëve që paguhen si drejtorë, këto cic mice kanë fare pak rëndësi. Në qëndrimet e aktorëve të pamësuar me gjuhën e drunjtë të politikës, e cila përbën fjalorin themelor të mediave tona tradicionale, dikush me siguri mund të shtangej nga patetizmi i ekzagjeruar i Asqeriut, nga shpërthimet ekstreme të Dërhemit apo nostalgjia e tepruar e Roza Anagnostit, por vënia e theksit tek ato është është një manipulim i pastër.

E para, sepse në gjithë këtë histori të dallueshme korrupsioni dhe arbitrariteti ka fare pak rëndësi forma e shprehjes, përpara aktit të rezistencës.

E dyta dhe më kryesorja, sepse sado që është i lidhur emocionalisht me fatet, kujtimet për të shkuarën dhe të ardhmen e aktorëve, fati i Teatrit Kombëtar nuk mund te jetë vetem monopoli i tyre. Ai është një çështje që na prek të gjithëve.

Prandaj, përpara se të merremi me aspektet banale të një drame shumë më të gjërë, gjithkush që është në mirëbesim, duhet të ngrejë disa pyetje.

Pse qeveria po përgatit një ligj antikushtetues që anashkalon korpusin legjistlaltiv të miratuar prej vitesh për t’i falur një tokë shtetërore në mes të Tiranës një kompanie private?

Pse kur ky është një biznes fitimprurës me grataçiela milionëshe, Edi Rama nuk bën garë por i’a dhuron atë klientit të tij, firmës Fusha?

Pse kur ndërkombëtarisht shitet sikur ka pasur një konkurs ndërkombëtar, qeveria e ka miratuar vetë edhe arkitektin danez Bjorke Ingels, që u paraqit në Tiranë me një plagjaturë të shëmtuar?

Pse kur ka një përvijim konsensual se ajo godinë dhe ajo zonë është monument i trashigimisë kulturore, askush nuk pyet për këtë?

Pse prej 20 vjetësh nuk hiqet dorë nga gënjeshtra se ajo ngrehinë është duke u shembur dhe më në fund doli dhe Veliaj që në stilin e tij, sa më i madh mashtrimi aq më e madhe besueshmëria, ngjalli panikun se aktorët rrezikohen të vdesin nga kanceri?

Pse disa herë kryebashkiaku u kap në mashtrim nga deklaratat e ministres së kulturës dhe të dy bashkë dolën bllof nga qëndrimet e Ramës?

Pra e gjithë kjo histori ngërthen brenda vetes aq shumë pikpyetje dhe dilema sa e ke më të lehtë të besosh tek një histori grabitjeje e përmasave të mëdha, sesa për një debat estetik se çfarë lloj teatri duhet të kemi.
Dhe si i tillë, diskutimi për të duhet të fokusohet pikërisht këtu. Tek afera, tek paratë, tek lidhja e shkurtër e kryeministrit me klientin e tij privat.

Çdo lloj shmagjeje tjetër, çdo tentativë për ta paraqitur atë si një betejë këndvështrimesh mes artistëve që kanë marë poste nga qeveria dhe atyre që nuk ndikohen nga versioni zyrtar, është një manipulim i pastër. Kushdo që vepron në mirëbesim dhe që nuk është pjesë e sistemi mediatik që po përgatitet të vjedhë taksat e shqiptarëve, nuk ka pse fokusohet as tek ndonjë fyerje e tepër e Trebickës, as tek debati banal mbi pagën e Mirush Kabashit dhe as tek ringjallja e Avni Rustemit në jetën reale.

Pyetja themelore e kësaj afere është nëse do ta lëmë Edi Ramën të vjedhë diçka që na takon të gjitëve. Dhe kush e shmang atë për t’u marë me detaje, nuk bën asgjë tjetër veçse renditet në krah të hajdutëve.

KLANKOSOVA.TV

Lajme të tjera